A i plotësoj kushtet për pension social?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam N.G., i datëlindjes 11.07.1946. Kam qenë emigrant në Greqi, jam kthyer para 4 viteve në Shqipëri dhe banoj në qytet. Nuk përfitoj asnjë lloj pensioni se nuk plotësoja vjetërsinë në punë. U interesova për pensionin social, por më thanë se nuk e përfitoj. Unë ende nuk e kam të qartë se pse nuk e përfitoj këtë pension, kur nuk kam asnjë të ardhur. Cilat janë kushtet për të përfituar pensionin social dhe kur mund t’i plotësoj?

- I nderuar letërshkrues, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 928 datë 29.12.2014 dhe Udhëzimin nr. 1 datë 02.02.2015, të 3 Ministrive, konkretisht, Ministrisë Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, janë përcaktuar rregullat dhe kriteret që duhet të plotësojë një person për të përfituar pensionin social. Nisur nga këto akte, për përfitimin e pensionit social duhet të zbatohen këto kritere:

a) Përfiton të drejtën për të kërkuar trajtimin financiar me pension social shtetasi shqiptar i cili ka plotësuar moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për pension dhe nuk ka të ardhura ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social;

b) Masa mujore e pensionit të plotë social të jetë e barabartë me shumën e pensionit të pjesshëm të pleqërisë të datës 31.12.2014, përllogaritur për 15 vite vjetërsi pune të siguruara kundrejt pagës minimale, shtuar me kompensimet;

c) Duke filluar nga data 1.1.2015, masa e pensionit të plotë social do të jetë 6 750 lekë në muaj. Pensioni social i përcaktuar të indeksohet çdo vit, për të kompensuar pasojat e ndryshimit të indeksit të çmi- meve të mallrave dhe të shërbimeve;

ç) Personat që kanë plotësuar moshën 70 vjeç, si dhe ata që janë rezidentë në Shqipëri në 5 vitet e fundit, kanë të drejtën e përfitimit të një pensioni social të pjesshëm, i cili është sa diferenca midis pensionit të social të plotë dhe të ardhurave mujore të deklaruara dhe të vlerësuara e të pranuara nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore. Procedurat për përfitimin e pensionit social janë si më poshtë:

Shtetasi që plotëson kriteret për trajtimin financiar me pension social, paraqet kërkesën për përfitim dhe dokumentacionin e parashikuar, pranë agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore, ku ka vendbanimin; Pensionet sociale caktohen dhe dërgohen për pagesë nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore. Vendimi i caktimit të pensionit social nënshkruhet nga inspektori përpunues, kryetari idegës së përfitimeve, kryetari i degës se financës dhe drejtori i drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore. Afatet e caktimit dhe të pagesës së pensionit social janë të njëjta dhe ndjekin të njëjtat rregulla, si dhe për pensionet e pleqërisë; Për të përfituar pensionin social, kërkuesi, së bashku me kërkesën personale, duhet të paraqesë edhe këto dokumente: Fotokopjen e kartës së identitetit; Certifikatën familjare; Deklaratën për gjendjen e tij social-ekonomike; Vërtetimin nga zyra e gjendjes civile, që është banor në Shqipëri për të paktën 5 vite, nga koha kur paraqet kërkesën për pension; Vërtetimin e drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore, që nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni; Vërtetimin nga organet tatimore, nëse ushtron ose jo veprimtari ekonomike sipas kuptimit të saj, përcaktuar në pikën 20, të nenit 4, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”; - Certifikatë pronësie nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme; Vërtetim nga zyrat rajonale të SHSSH-së (nëse personi merr ndihmë ekonomike në përbërje të familjes së tij që përfiton ndihmë ekonomike); Aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës, apo certifikatën e pronësisë mbi tokën; Deklaratë nëse është ose jo aksioner apo bashkëpronar në aktivitete ekonomike ose pasuri të patundshme, të dhëna për qëllime të nxjerrjes së të ardhurave. Deklarata për gjendjen e të ardhurave dhe dokumentacioni i paraqitur nga kërkuesi verifikohet dhe dokumentohet nëse është i saktë dhe, pas këtij procesi, caktohet masa mujore e pensionit social. Një herë në vit përfituesi i pensionit social paraqet deklaratën e re për gjendjen e tij social-ekonomike, e cila, pasi verifikohet nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore, shërben si dokument për vazhdimin e përfitimit, rillogaritjen ose ndërprerjen e tij. Përfituesi i pensionit është i detyruar të njoftojë agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore ku ka dorëzuar kërkesën, sa herë që ndryshojnë të ardhurat dhe, mbi këtë bazë, drejtoria rajonale e sigurimeve shoqërore rillogarit masën e pensionit.

- Pensioni social duhet të tërhiqet nga përfituesi çdo muaj. Pagesa e pensionit social ndërpritet në rast se përfituesi nuk e tërheq atë nga qendrat e përcaktuara të pagesës, brenda fundit të muajit të kredituar për pagesë. Në këto raste, parashkruhet vetëm pagesa për muajin e patërhequr. Pensioni social mbyllet kur konstatohet se, për përfitimin e tij, janë kryer veprime spekulative të dhurimit apo të pakësimit të kapitalit që ishte burim i të ardhurave. - Kësti mujor i pensionit social nuk ndërpritet në rastet kur përfituesi kurohet në spital ose është i sëmurë nga sëmundje që nuk mundësojnë lëvizjen apo nuk është i aftë nga ana mendore, të vërtetuara këto me raport mjekësor. Këto ishin disa nga kërkesat kryesore për përfitimin e pensionit social. Në rastin tuaj, Ju jeni në moshën 69 vjeç, të cilën e plotësoni më 11.07.2015, ndërsa moshën 70 vjeç e plotësoni në vitin 2016, por në të njëjtën kohë plotësoni edhe periudhën 5 vite në Shqipëri. Me të plotësuar këto kushte, mund të paraqisni kërkesën për pension social, duke respektuar dokumentacionin e kërkuar sipas akteve të mësipërme. Ju falënderoj për besimin.

Valbona Vukulaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.