Çfarë i shkakton këto alergji?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Doktoreshë Mira, a mund të na jepni një informacion mbi alergjitë e kësaj kohe? Unë kam disa shenja që më bëjnë të mendoj se kam alergji, pasi kam skuqje të syve, lotim të tyre dhe më bllokohen hundët shpesh. Çfarë i shkakton këto alergji dhe pse më ndodh që në këtë periudhë kam probleme të tilla? Faleminderit. Një lexuese e rregullt e kësaj rubrike. Dr. Mira Xhixha, alergologe: -E nderuar lexuese, alergjitë kanë origjina të ndryshme, por duke qenë se ju keni shenja në këtë periudhë, atëherë ka shumë mundësi që të jeni prekur nga alergjitë e pranverës. Disa bimë barishtore si: grami ose loliumi (bimë të egra dhe të kultivuara), mund të shkaktojnë alergji. Në familjen e gramit bëjnë pjesë mijëra lloje bimësh, të cilat në muajt e pranverës nxjerrin polenin në hapësirë. Kjo fazë vjen pas fazës së lulëzimit dhe zgjat disa javë. Gjatë kësaj kohe, persona të veçantë kanë alergji. Alergjia nuk i prek të gjithë njerëzit. Përgjithësisht, ajo kap persona të ndjeshëm, organizmi i të cilëve kundërshton dhe u përgjigjet poleneve apo dhe substancave të tjera që ndodhen në mjedis në një mënyrë të ndryshme krahasuar me personat e tjerë “normalë”, të cilët nuk reagojnë. Kjo bën që në trupin e tyre të zhvillohen reaksione apo sëmundje alergjike të ndryshme.

- Shenjat që shfaq më shpesh një person alergjik janë: teshtima të njëpasnjëshme, kullim të ujshëm të hundëve, bllokim të hundëve dhe më pas frymë merret nëpërmjet gojës, skuqje të syve, kruarje të lëkurës rreth hundës dhe kollë të thatë. Këto janë simptomat, por një person mund të ketë edhe vetëm njërën prej këtyre shenjave, pra, mund të mos i ketë të gjitha shenjat karakteristike. Më shpesh hasen persona që shfaqin shqetësime të rrufës. Por, alergjia mund të shfaqet edhe vetëm me kollë të thatë, me marrje fryme, apo me ndjenjë shtrëngimi në gjoks, pra me shenja të astmës bronkiale, e cila mund edhe të na prezantojë e vetme një alergji nga polenet. Shenjat e alergjisë, fillimisht, konsiderohen si një grip apo si një virozë, por nëse shqetësimet vazhdojnë më shumë se 2 javë, personi duhet të mendojë se kjo është një alergji dhe të kontaktojë me mjekun. Alergjitë fillojnë në formë të lehtë dhe nëse nuk shkoni te mjeku, alergjia mund të rëndohet akoma më shumë. Edhe ju, duhet të drejtoheni menjëherë te mjeku, duke qenë se keni shfaqur disa shenja që të bëjnë të mendosh se i përkasin alergjisë. Alergjitë e kësaj periudhe fillojnë në fund të marsit dhe vazhdojnë gjer në fund të qershorit, prandaj duhet të konsultoheni patjetër, aq më tepër që jemi në muajt më kulminantë të alergjive, siç janë muajt prill dhe maj. Sa më shpejt të konsultoheni, aq më mirë do jetë për shëndetin tuaj, që të mos rëndoheni më shumë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.