Si ta ndihmoj që ta lërë bixhozin?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam fejuar me një djalë të cilin e njoh prej vitesh tashmë dhe jemi gati për t’u martuar. Problemi është se kam zbuluar një ves të keq tek ai; luan shumë bixhoz. E kisha vënë re pak, por thoja që nuk i ishte bërë ves. I kam thënë që nëse vazhdon kështu, kam frikë se do të shkatërrohet marrëdhënia jonë. Ai më thotë se do ta lërë dhe përsëri e kuptoj që e ka vazhduar. Nuk di si të veproj. Si ta ndihmoj që ta lërë bixhozin?

Marsela Marsi, psikologe: -E kuptoj shumë mirë problemin tuaj, sepse bixhozi është jo thjesht një ves; ai shndërrohet në një sëmundje që shkatërron shumë familje dhe çifte në ditët e sotme. Është shumë e vështirë që një person që ka rënë pre e kësaj sëmundjeje, të heqë dorë prej saj. Ai me siguri, do të gjejë shumë justifikime për kthimin e rikthimin e tij te bixhozi. Do të duhej që ai të kishte një vullnet të jashtëzakonshëm që të mund ta kapërcente këtë varësi, gjë që unë ia uroj edhe të fejuarit tuaj. Ajo që ju këshilloj juve, është që ta mbështesni moralisht dhe t’i kërkoni të heqë dorë një herë e mirë nga ky ves. Nëse edhe kështu nuk heq dorë, do ju sugjeroja të rrezikoni marrëdhënien tuaj, duke iu larguar. Ndoshta me mungesën tuaj do ta kuptojë gabimin dhe do të ndryshojë. Po kështu, shikoni se çfarë shoqërie ka, sepse ndonjëherë është kjo e fundit që ndikon për keq. Nëse në shoqërinë e tij ka nga ata që luajnë bixhoz, flisni edhe me ata dhe mundohuni ta largoni prej tyre. Flisni edhe me familjen e djalit, me babain, një vëlla, motër apo me nënën e tij dhe shikoni çfarë qëndrimi mbajnë ata. Ju këshilloj ta ngrini me forcë këtë problem, në mënyrë që edhe ata të flasin me të dhe ta ndihmoni të gjithë që të heqë dorë nga ky ves. Një zgjidhje shumë e mirë do të ishte ta afronit të fejuarin me fenë, për të cilën, bixhozi është një nga mëkatet më të rënda. Duke e kuptuar rëndësinë e asaj që po bën, ndoshta atij do t’i hapen sytë e të shohë më qartë se ku po e çon jetën e tij.

Uroj që ta zgjidhni sa më shpejt këtë problem tuajin, megjithatë, ju kërkoj të tregoheni në njëfarë mënyre egoiste dhe kam veçanërisht një këshillë për ju: Nëse e shikoni se ai nuk heq dorë (ose heq dorë dhe rikthehet, gjë që është edhe më e keqe sepse ai kështu do të bëjë gjithmonë), ju këshilloj të hiqni dorë ju prej tij! Është shumë e rrezikshme të ndërtosh familje me një person që është i varur nga bixhozi. Mund t’ju duket paksa e rëndë kjo këshillë sepse ju e doni, ashtu siç mund t’u duket e rëndë atyre që e lexojnë tani këtë përgjigje, ama mos harroni se ata që vuajnë më shumë nga bixhizxhinjtë, janë personat e tyre më të afërm. Sigurisht, vuan edhe bixhozxhiu, por në fund të fundit, është gabimi i tij dhe ai meriton ta vuajë, për sa kohë nuk i largohet atij gabimi. Askush nuk ka të drejtë t’ia nxijë jetën një tjetri, sepse nuk heq dot dorë nga vesi i tij shkatërrimtar. Ju uroj durim dhe këmbëngulje, por mbi të gjitha, vendosmëri për të marrë vendimin e duhur në çdo kohë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.