Erion Veliaj: “Po më marrin në qafë të mitë…”

Intervista - - AKTUALITET -

Kaso Kosa: - Përshëndetje zoti Veliaj!

Erion Veliaj: - Ça bën Kaso, mirë je? Ulu Kaso ulu, na jep ndonjë vodka!

- Mirë jam zoti Veliaj, mirë. Urime për kandidimin për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Të mërzitur të shoh. Ç’ka ndodhur?

- Si ç’ka ndodhur mo Kaso!? Vetë e the, më kandiduan mua…

- Po shumë mirë. Ku ta gjesh?! Nuk je i kënaqur për këtë?

- Ma kanë me të futur ata të mitë, o Kaso; më hoqën nga ministër. Po sikur të humbas unë?!

- Nuk ma ha mendja se humbet, po edhe po humbe, kthehesh prapë ministër.

- E kush të bën më ministër?! Le aman, se isha mirë në ministri. Bëja pallë gjithë ditën. - Po pallë do bësh edhe në Bashki! - Pallë o pallë, por në bashki të duket puna. Të kërkojnë njerëzit: Sa rrugë shtrove, sa ujë solle? Në ministri rrija rehat. Dilja ndonjëherë në rrugë, merrja ndonjë rom në krahë dhe kaq. Mos kujto se jam i pirë, jo. Është e vërtetë se në ministri bëja pallë. Dy muaj, për shembull, nuk kishim vulë, se meqë ministrisë iu ndërrua emri, duhet t’i ndërrohej edhe vula. Sa të bëhej tenderi i vulës së re, ikën dy muaj. Pastaj u vonuam edhe ca, se ata që bënë vulën, ishin vulëhumbur. Në vend që të shkruanin “Ministria e Punës”, kishin shkruar “Ministria e Tunës”. Si duket, ata që bënë vulën e Ministrise se Punës, e kishin mendjen te zogu i Tunës.

- Mos u mërzit zoti Veliaj. Pastaj si kryetar bashkie, ke mundësi të fitosh ndonjë lekë. Jep ndonjë leje ndërtimi…

- Po ku ka ngelur vend të ndërtosh o Kaso? I ka dhënë Lul Basha të gjitha këto muajt e fundit. Eh, ç’më gjeti mua, thuaj!

- Të pashë në stadium para dy javësh. Je bërë tifoz me Tironën më duket. Do të hiqesh si tirons i vjetër, apo si?

- E ku ka tirons të vjetër?! Ata të gjithë nga Dibra janë. Pastaj, ç’tifoz të jem unë?! Unë s’kam parë futboll në Angli, do shikoj këtu! Shkova në stadium të takoja ndonjë tirons që të bëja ndonjë pazar paraprak për shesh ndërtimi. - Po shyqyr! Ishallah del gjë... - Aman, o Kaso... Tironsit janë zënë me vëllezërit. “Ta jap unë, më thanë ata që takova, por s’ta jep vëllai tokën, se kam 20 vjet pa folur me të”. Ja, prandaj ika në pjesën e dytë të ndeshjes. S’gjeta asnjë tirons pa konflikt me vëllain. Aman Kaso se po më ikën truri, ndaj e kam filluar pijen.

- Zoti Veliaj, mos u mërzit! Unë mendoj se kandidimi yt nga zoti Rama është nder dhe vlerësim.

- Kaso! Nëse do të më vlerësonte, do të më linte akoma ministër. Unë për nder ia di vetëm një njeriu në këtë jetë...

- Zotit Rama ia di për nder, e di unë. Dhe, e meriton t’ia dish...

- Jo, Kaso, jo! Për nder ia di vetëm Fatos Nanos. Po të mos ishte ai, unë nuk do bëja G99. Ajo lëvizje kundër tij më ngriti mua, Kaso.

- Qetësohu, zoti Veliaj! Fushata kërkon përqendrim dhe posti i kryebashkiakut kërkon punë.

- O Kaso! Po unë nuk kam punuar në rini, jo më tani që jam i martuar.

- Zoti Veliaj, keni pirë shumë. Më mirë e mbyllim këtu intervistën dhe shkoni në shtëpi tani...

- Të shkoj thua?! Po ku të shkoj? Çelësat e shtëpisë time më kanë humbur. Te shtëpia e mamasë nuk shkoj dot... - Pse? - Se ka kallaballëk të madh te dera e shtëpisë, Kaso. Mblidhen gra nga gjithë Shqipëria. Duan të takojnë nënën time e ta pyesin se si ia doli që, me pension, i bëri dasmën djalit. Mblidhen aq shumë gra Kaso, sa as te dervish Hatixheja dhe në kishë të Laçit nuk shkojnë. Lëre Kaso, se më ka zënë belaja!

- Po të lë vetëm, zoti Veliaj, se më duhet të iki...

- Ku do ikësh pa paguar ti!? Paguaj këto, paguam edhe një teke tjetër vodka dhe ik.

- Po paguaj zoti Veliaj dhe po largohem. Edhe qetësohu! Buzëqeshja jote na duhet në krye të bashkisë. Zoti Basha i shtyu katër vjet duke mos bërë asgjë, vetëm duke buzëqeshur...

- Edhe unë, po të mos kisha këtë buzëqeshje, nuk do bëja prokopi, o Kaso. Do isha një i ri i rëndomtë pa punë.

KASO KOSA

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.