Dua t’i jap fëmijës një mbiemër

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Përshëndetje! Para se të vendosja të shkruaja historinë time, u mendova disa herë sepse sa herë që e kujtoj, ndjej shumë dhimbje dhe lotët nuk më pushojnë… siç po ndodh edhe tani. Nuk dua ta kujtoj më të shkuarën, por vendosa ta ndaj me lexuesit sepse në këtë mënyrë sikur ndihem edhe më mirë. Isha vetëm 15 vjeçe kur jeta ime mori një kthesë tjetër. Kisha shumë ëndrra për veten, për jetën dhe të ardhmen time. Deri në atë moshë nuk kisha ndonjë problem, isha e lumtur, akoma me ato ëndrrat dhe planet për veten. Arjan quhet djali që erdhi të më kërkonte dorën në shtëpi për t’u martuar me të. Ai, bashkë me të atin, ia mbushën mendjen babait tim me gënjeshtra duke i thënë se ishte në gjendje shumë të mirë ekonomike, kishte prona dhe punonte në Itali. “Vajza do jetë e lumtur dhe do ketë një jetë prince- shash”, i thoshte ai babait tim. Mua diçka nuk ma mbushte mendjen, e ndjeja se ato që thonin ishin vetëm fjalë, asgjë nuk ishte e vërtetë, ndërsa babai im i besoi të gjitha dhe ishte dakord që unë të fejohesha me të. S’kisha ç’të bëja tjetër kështu që i besova babait i cili më dha fjalën se nëse do dilte e kundërta e asaj që thonin ata, e kisha derën e hapur për t’u kthyer në familjen time. Dhe kështu, Arjani erdhi bashkë me prindërit dhe u bë fejesa. Shkova në shtëpinë e tij dhe, ç’të shihja aty?! Ata jetonin në dy dhoma, në një shtëpi të vjetër! Nuk fola fare. “Nuk do rrimë shumë këtu sepse pas tre ditësh do ikim në Itali. Atje do jetojmë më mirë”, më tha ai. E pashë në sy, por ai e hoqi menjëherë shikimin. E ndjeja që kjo mund të ishte gënjeshtra e radhës. “Por babai im nuk e di këtë”, i thashë. “Do ia themi sonte”, ma ktheu. Ia thashë vetë babait, edhe pse e dija që për atë nuk kishte ndonjë ndryshim. Ai besonte çdo fjalë që thoshte Arjani dhe e besoi edhe këtë, që ne do të ishim më mirë po të iknim në Itali. Kaq shpejt ndodhën këto ndryshime në jetën time saqë akoma pa u ambientuar me njërin, vinte ndryshimi tjetër. Shpresoja të ishte për mirë e gjitha kjo, por ky nuk kishte qenë asgjë tjetër veçse fillimi i kalvarit të vuajtjeve të mia.

Sapo arritëm atje, Arjani takoi disa persona të tjerë që po më shihnin çuditshëm nga koka të këmbët. Ata ishin pak metra më larg dhe nuk i dëgjoja dot se për çfarë po flisnin, por më bënte përshtypje që shihnin nga unë në atë mënyrë. Arjani nuk e ktheu kokën nga unë për asnjë moment. Pasi u nda nga ata, erdhi drejt meje dhe e bëmë rrugën pa folur asnjë fjalë.

“Kush ishin ata?”, e pye-

ta. “Disa shkokë”, u përgjigj. “Pse më shikonin në atë mënyrë?”. “Si të shikonin?” “Shumë ngultas” “Të është dukur ty”, ma preu shkurt.

Mua s’më dukej sikur ai ishte i fejuari im, por si dikush të cilin sapo e kisha njohur. Që në atë moment ndjeva një frikë të pashpjegueshme! Nuk po e dija më me kë isha, ku po ikja dhe çfarë po ndodhte me mua! Shkuam në një shtëpi tepër të thjeshtë, por që ishte në një lagje shumë të frikshme. Kudo shikoje njerëz që rrinin bordurave dhe që dukeshin si të droguar. Nuk bëra zë fare, vetëm ecja pas Arjanit. E dorëzova veten tek ai dhe le të bëhej ç’të bëhej me mua, por ajo që më priste, ishte e tmerrshme. Nuk kaluan as dy ditë dhe Arjani më detyroi që të prostituoja.

“Merri këto, vishi. Mos u vono se po të prersin poshtë”, më tha me një zë udhërues.

“Çfarë janë këto?”, e pyeta ndërkohë që në dorë kisha veshjet dhe po i shikoja. Ishin disa veshje me të cilat më tepër dukeshe e zhveshur sesa e veshur.

“Mos bëj pyetje, vishi dhe zbrit poshtë se po të presin. Të tregojnë ata se çfarë duhet të bësh”.

E kuptova për çfarë bëhej fjalë dhe fillova të bërtisja, të qaja, por çdo gjë ishte e kotë sepse askush nuk më dëgjonte në atë lagje, ose edhe sikur të më dëgjonin, nuk do më ndihmonte njeri. Arjani filloi të më rrihte dhe më mbyllte gojën që të mos bërtisja. Po më trajtonte si një të huaj dhe jo si të fejuarën e tij. E dija që kjo e fundit nuk kishte aspak rëndësi për të sepse ai po sillej me mua si kafshë. Pasi e mora pak veten dhe më dha një gotë me ujë, më tha përsëri se duhet të vishja rrobat që më dha dhe të zbrisja poshtë. Unë përsëri nuk pranova! Këtë herë ai më rrahu më keq, më bëri gjysëm të vdekur. Nuk mora vesh asgjë që në momentin që më ra të fikët. Pasi u zgjova e pashë veten në një dhomë të vogël, të errët. Po më ngjante me një dhomë izolimi, të pisët dhe u frikësova shumë. Thirra Arjanin, por asgjë. Ishin bërë ditë që nuk kisha ngrënë fare, vetëm kisha pirë pak ujë. Nuk kisha më fuqi, prandaj pranova punën që ai më detyroi të bëja. Më mirë të vdisja sesa të vazhdoja të bëja atë lloj jetese. Ia thoja shpesh Arjanit që më mirë të më vriste sesa të vazhdoja në atë mënyrë, por ai nuk donte t’ia dinte. Për fat të mirë, doli dikush që më ndihmoi. Ishte një burrë i cili më kishte parë disa herë në atë rrugë sepse kalonte andej për të shkruar në shtëpinë e tij. “Ishe e vetmja që më kishe bërë përshtypje sepse në fytyrën tënde lexoja vetëm vuajtje”, më tha.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.