Ç’kuptimkaëndrraime?

Më ndiqte pantera

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje astrologe! Ç’do të thotë të shikosh në ëndërr një panterë? Ajo mundohej të më bënte keq, por nuk ia arriti dot. Në një moment, kur po më ndiqte, iu hakërreva aq shumë saqë fillova ta ndiqja unë, ndërsa ajo ikte. A ka ndonjë kuptim? - Sigurisht që ka kuptim, do të thotë që duhet të keni kujdes sepse rrethoheni nga disa persona të cilët mund t’ju hidhërojnë lehtësisht. Edhe pse në fillim do të duket sikur rrezikoni në shumë gjëra, në fund dilni të fituar ju, sepse po e ndiqnit panterën. Kjo do të thotë që do t’i sundoni ju këta persona dhe ata do t’ju largohen sepse ju kanë shumë frikë. Ju do të dilni më të fortë se ata që ju kanë inat.

- Kam parë në ëndërr sikur u hap toka dhe aty kishte monedha floriri. Pastaj u mbyll dhe unë sikur kisha një thes të vogël. Kisha flori para syve. M’u shfaqen tre kavanoza qelqi dhe unë zgjodha njërin prej tyre, i cili kishte brenda disa petale trëndafili të kuq. Unë e ndërrova me thesin me flori.

- Florinjtë në ëndërr tregojnë se fati do t’ju trokasë në derë. Edhe trëndafilat e kuq, kanë lidhje me fatin e mirë, si në jetën private, po ashtu dhe në atë profesionale. Ndërrimi që keni bërë në fund, do të thotë që u jepni më shumë rëndësi vlerave tuaja si person, si karakter, por edhe vlerave materiale. Kështu, nëse do të jeni para një zgjedhjeje, zgjidhni anën monetare, që ka lidhje edhe me profesionin tuaj.

- Kam parë në ëndërr sikur isha me ish- të dashurin dhe ai filloi të më ledhatonte. Në atë moment erdhi i dashuri im dhe ai vazhdonte të më përkëdhelte. Dua të di kuptimin e kësaj ëndrre...

- Një ëndërr e tillë tregon që nuk jeni plotësisht e kënaqur me marrëdhënien që keni me të dashurin aktual, ndaj keni herë pas here nostalgji e mall për ish-të dashurin. Nuk ndiheni totalisht e plotësuar dhe ëndrra të tilla e tregojnë qartë këtë gjë. I mendoni të dy njëkohësisht dhe jeni konfuze për lidhjen që keni. Këtij lloj konfuzioni vetëm ju mund t’i jepni drejtim. - Përshëndetje astrologe! Kam parë në ëndërr djalin që dua dhe më pëlqen shumë, sikur më shikonte dhe më buzëqeshte. A ka ndonjë kuptim ëndrra ime? Pres përgjigje këtë javë. Me respekt, Xhelozja e Nardit Vl. - E dashur Xheloze, faleminderit për përshëndetjen. Do ju thoja që duke qenë se e doni këtë djalë, ëndrra të tilla janë të pashmangshme. Ju dëshironi ta keni gjithnjë para syve, dëshironi vëmendjen e tij, buzëqeshjen e tij, ashtu siç e keni parë në ëndërr. Pra, ëndrra juaj është thjesht pasqyrim i dëshirave tuaja. Ju uroj realizim të ëndrrës. - Kam parë në ëndërr sikur po shikoja duart e mia dhe më dukej e çuditshme. I shikoja, i rrotulloja dhe thoja me vete: “Po unë, ç’kam që shikoj duart?”. A ka ndonjë kuptim kjo ëndërr? Në popull thonë që kur shikon duart në ëndërr, do të thotë që të përflasin për keq. Është e vërtetë? - Duart në ëndërr kanë kuptime të ndryshme, por nuk kanë lidhje me atë çfarë thonë në realitet. Kuptimi i këtyre ëndrrave është në varësi të asaj se si i keni shikuar duart. Në qoftë se shikoni se i keni duart më të mëdha se në realitet, do të thotë se do të keni sukses në jetën tuaj profesionale. Nëse shikoni që keni duar të plagosura apo të prera, do të thotë që ndiheni të vetmuar dhe kërkoni ndihmë e mbështetje. Kur shikoni duar të pastra dhe të mirëmbajtura, ëndrra ka lidhje përsëri me suksesin profesional. Në të kundërt, nëse i shikoni të pista, do të thotë që nuk do të keni sukses dhe do të mërziteni shumë. Duart e lidhura në ëndërr tregojnë situata të komplikuara në jetën reale. Uroj të keni parë versionin më pozitiv të ëndrrës. - Kam parë në ëndërr sikur isha në një ndërtesë shumë të pisët. Shkallët dhe gjithçka tjetër ishte e pisët në të. Më pas pashë edhe shoqen time, e cila i kalonte shumë lehtë të gjitha pengesat dhe më thoshte: “Do t’ia dalim mbanë”. Përtej ndërtesës na priste shefi dhe na thoshte: “Hajdeni këtu”, por unë isha në një siklet të madh dhe çdo gjë e bëja me vështirësi. Në fund, arritëm te shefi ynë. Çfarë kuptimi ka, ju lutem? - Një ëndërr e tillë tregon që keni kaluar ose do të kaloni vështirësi në jetën profesionale. Do të keni një ndryshim i cili do t’ju shqetësojë jashtë mase dhe do t’ju bëjë të ndiheni e pasigurt nga ana profesionale dhe monetare. Këtë gjë do ta përjetoni shumë keq shpirtërisht bashkë me shoqen tuaj. Shefi juaj në ëndërr është zgjidhja e këtij problemi, por zgjidhja varet gjithnjë nga ai. Ëndrra tregon vështirësinë që do të përjetoni, ndërkohë që zgjidhjen e këtij ngërçi që do të keni në jetën profesionale mund ta japë vetëm shefi juaj. Ju uroj suksese!

Valbona VUKULAJ

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.