Nazifi përzë Mahirin nga shtëpia

Intervista - - TELENOVELA -

Jasini me Mahirin kthehen me makinë nga bregu i detit, ku kanë qenë bashkë me Xhynejin dhe Jasini e pyet Mahirin nëse i vjen keq për atë që ka bërë. Ai mohon. Feridja, e dërrmuar nga takimi me Mahirin e kalon natën te Suna, së cilës i thotë se do të ndodhin gjëra shumë të këqija, pa i shpjeguar se për çfarë e ka fjalën. Sapo ngrihet në mëngjes, ajo niset të kërkojë Mahirin, e bindur për të mos e lënë të bëjë ndonjë gabim...

Mehmeti bisedon me Adnanin, i cili i tregon se Xhyneji ka humbur dhe se të gjithë do të mendojnë se autor i rrëmbimit të tij është Mahiri. Mehmetit i pëlqen rruga që po marrin ngjarjet. Ai është i kënaqur me punën e Adnanit dhe i thotë se ai është po aq i zgjuar dhe i zoti sa Turguti...

Kerimja vendos të shkojë t’i shpjegojë gjithçka Ferides, por pikërisht në atë moment, Mehmeti kthehet në shtëpi dhe e pyet se ku po shkon. Ajo i rrëfen se do të shkojë t’i tregojë Ferdes të vërtetën në lidhje me vdekjen e njerëzve të saj të dashur. Atëhere Mehmeti i thotë se para kësaj, do të shkojnë të dy diku dhe e merr me vete Kerimen në makinë...

Mahiri niset të shkojë në shtëpi, por aty po e pret policia e cila e arreston dhe e çon në komisariat, ku prokurori Adnan do të marrë dëshminë e tij në lidhje me zhdukjen e Xhynejit.

Osmani dhe Songuli afrohen më shumë me njëri-tjetrin, ndërkohë që Nazifi dhe Ilknuri nuk e marrin dot veten nga vdekja e dy njerëzve të tyre më të dashur.

Orhani e gjen Bulentin duke pirë dhe e merr me vete në vendbanimin e tij, për ta takuar me Sejizin.

Feridja shkon në shtëpinë e Mahirit, por aty i thonë se ai nuk është kthyer atë natë në shtëpi. Ajo përpiqet të qetësojë Nazifin, duke i thënë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, por ai e shikon gjendjen e saj dhe nuk i beson...

Makina e Mehmetit, ndalon pranë një shtëpie, nga e cila del një burrë, gruaja dhe vajza e tij, të cilën ata po e çojnë në shkollë. Kerimja pyet se kush janë ata dhe Mehmeti i thotë se ai është djali i saj, Xhihani... Kerimes i kujtohet: “Mehmeti i propozoi për martesë dhe ajo i tha se ishte shtatzënë me Kemalin. Mehmeti i kishte premtuar se fill pas martesës do të shkonin në Evropë dhe atje ajo do të lindte fëmijën e saj, të cilën do ta çonin për adoptim. Ai i kishte thënë se askush nuk kishte për ta marrë vesh këtë të vërtetë dhe i kishte kërkuar vetëm të thonte “po” dhe të martohej me të.”

Mehmeti i thotë se ai e kishte kuptuar se ajo ishte shumë e lidhur pas asaj fëmije dhe kurrë nuk do ta jepte për adoptim, ndaj i kishte thënë atëherë se fëmija kishte vdekur, gjë që nuk qe e vërtetë... Mehmeti i thotë se i ka bërë një nder që tashmë i ka “falur” një djalë, ndaj ajo duhet ta falënderojë. Ai e kërcënon se nëse ajo i tregon diçka Ferides, atëhere jeta e Xhihanit dhe e familjes së tij nuk është e sigurtë...

Ajteni shkon të takojë Nexhdetin në burg. Ky i fundit i thotë se shumë shpejt do të dalë nga burgu, gjë që asaj nuk i pëlqen aspak, megjithëse në sytë e tij, përpiqet të luajë rolin e gruas së dashur dhe të pafajshme.

Mahiri jep dëshminë e tij dhe, kur prokurori e pyet nëse e ka vrarë ai Xhynejin, Mahiri as nuk e pohon, as nuk e mohon, por thjesht i thotë se ata nuk kanë asnjë provë kundër tij.

Feridja shkon në polici dhe takon Jasinin, i cili i tregon se Mahiri tashmë po jep dëshminë e tij për zhdukjen e Xhynejit. Ndërkohë që Jasini përpiqet ta bindë Feriden dhe Nazifin se nuk dihet ku ndodhet Xhyneji, hyn Kemali dhe i tregon rrobat e Xhynejit, duke i thënë se ato janë gjetur në Bosfor, gjë që do të thotë se ka shumë mundësi që dikush ta ketë vrarë Xhynejin dhe ta ketë hedhur në det. Feridja dhe Nazifi shokohen nga mendimi se këtë mund ta ketë bërë Mahiri...

Nazifi i thotë Ferides se Mahiri nuk do ta kishte vrarë kurrë atë njeri, pasi ai e dinte se ai qe i pafajshëm, pasi vetë burri i kishte treguar Mahirit se e kishte marrë përsipër fajin për bombën, vetëm sepse i kishin ofruar para...

Adnani jep urdhër që Mahiri të mbahet në burg dhe të nesërmen do të dalë para gjykatësit, i cili do të japë një vendimin për të. Mahiri çohet në burg dhe pikërisht në atë moment vjen Feridja e cila pyet prokurorin. Ai i tregon për vendimin e marrë dhe thotë se Mahirin mund ta takojë vetëm ajo dhe askush tjetër (duke patur këtu parasysh Nazifin). Feridja futet të takojë Mahirin...

Ajo shkon dhe e pyet Mahirin se pse po ia bën të gjitha këto asaj, por ai i kërkon të largohet duke i thënë se nëse nuk do ta bëjë këtë, “gjaku me të cilin ai ka lyer duart, do të bëjë pis edhe atë”. Feridja shokohet dhe i lutet t’i thotë se ai nuk ka vrarë njeri, por Mahiri nuk i përgjigjet. Në gjendje shumë të keqe, Feridja del të takojë Nazifin dhe nis të qajë në krahët e tij... Adnani, që i shikon nga dritarja, bindet se vrasjen e ka bërë Mahiri. Nazifi i lutet t’i tregojë dhe ajo, e dëshpëruar, nis të thotë se është e bindur që vrasjen nuk e ka bërë Mahiri...

Ajteni vihet në siklet sepse këngëtarja largohet nga puna, pikërisht atëhere kur dikush tjetër po hap një lokal pranë tyre dhe po i rivalizon. Atëhere ajo detyrohet të dalë vetë në skenë, ku e mahnit Selimin… Të nesërmen, të gjitha tavolinat rezervohen, për të parë Ajtenin në skenë…

Mahmeti i thotë Adnanit se ata vetë mund të sajojnë prova për ta mbajtur Mahirin në burg, por Adnani i kujton se Feridja është mbi kokat e tyre dhe ajo nuk ka për të lënë gjë që t’i shpëtojë. Mehmeti i jep të drejtë.

Nazifi shkon te Daljani dhe i kujton premtimin se duhet ta mbajë Mahirin larg botës së gangsterëve. Daljani nuk i tregon asgjë për bisedën e bërë me Mahirin...

Të gjithë gangsterët (mes të cilëve është edhe një grua, Belgini) mblidhen në lokalin e ri dhe nisin të flasin për mundësinë që Mahiri të ketë vrarë Xhynejin, gjë që nuk i pëlqen aspak Daljanit.

Mahiri del në gjyq dhe, për mungesë provash, gjyqtari jep vendimin që ai të dalë nga burgu. Jasini po e pret jashtë. Kur vjen Feridja e gjen aty dhe habitet që Jasini po përgatitet të ikë. Ajo e pyet se pse nuk po pret sa të jepet vendimi për Mahirin, por ai i thotë se ka shumë punë, gjë që e habit Feriden. Ajo i lutet Sunës që ta hutojë Jasinin për pak munita. Në këtë mënyrë, Feridja arrin të futet në makinën e tij dhe të fshihet, që ai të mos e shohë. Për habinë e saj, Jasini shkon në një shtëpi të vetmuar dhe kur ai del nga makina, Feridja del dhe e ndjek. Aty ajo arrin të shohë Xhynejin të gjallë. Feridja mrekullohet kur kupton se Mahiri nuk ka vrarë askënd.

Në të vërtetë, Mahiri ia ka falur jetën Xhynejit, me kusht që ai të mos kontaktojë me askënd për ca kohë dhe një njeri i Daljanit e ushqen dhe e ruan atë në atë shtëpi. Të gjithë këtë, ai e ka bërë që mes gangsterëve të marrë namin e një njeriu mizor, kurse njeriu që fshihet pas këtij krimi, të mendojë se ai nuk e di që Xhyneji është i pafajshëm.

Mahiri kthehet në shtëpi dhe takon të atin, i cili e qorton për veprimet që po bën. Mahiri i tregon se nuk ka vrarë askënd dhe se një ditë ai do ta gjejë personin që qëndron pas fatkeqësisë së familjes së tyre. Nazifi e qorton dhe i thotë se nëse nuk heq dorë që tani nga rruga që ka marrë, duhet të ikë nga shtëpia.

Mahiri tregohet i vendosur për të vazhduar rrugën e tij, ndaj Nazifi i kërkon të dalë nga ajo derë dhe që nga ai moment, për të është i vdekur dhe i harruar. Mahiri ikën...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.