Enada Puka: Më mirë e vdekur sesa e dhunuar!

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Ajo quhet Enada Puka dhe fat keqësisht, është një ndër femrat e shumta të dhunuara nga një mashkull, më saktë, nga mashkulli i jetës së saj. Dhuna në familje ka bërë që Eneda të ndryshojë jetën e saj, të shndërrohet në një nënë mbrojtëse, sepse tashmë nënë normale nuk mund të jetë. Ndërsa bisedoj me të, e shoh të trishtuar ndërsa mendon të ardhmen e fëmijës dhe thotë se kërkon diçka më të mirë nga jeta, ndonëse emrin e dhunuesit nuk mund ta bëjë publik dhe kjo e bën atë të dalë disi e humbur në betejën kundra dhunës ndaj së femrave. Ajo shprehet se së shpejti do jetë pjesëtare e oragnizatave shoqërore në vend, për të dhënë kontributin e saj në mbrojtjen e femrave. Për më tepër, rreth familjes, dhunës së ushtruar dhe gjendjes së saj emocionale, ju ftoj të lexoni këtë rrëfim të trishtueshëm, por mjaft sensibilizues… - Enada, si ndihesh? - Eh, si të ndihem?! E zhgënjyer… Kam pasur një jetë shumë të vështirë dhe tani më duket sikur jam mësuar me këtë pabarazi gjinore, me dhunën, që të bën të heqësh dorë nga elementet bazë të një familjeje normale. Tani i jam përkushtuar plotësisht fëmijës, edhe pse s’e kam të lehtë, pasi kam shumë frikë për pikën time të dobët, fëmijën që kam.

- Nga kush ndihesh e kërcënuar?

- Nga një person, i cili ka ushtruar jo vetëm dhunë fizike, por edhe psikologjike mbi mua. Një herë përfundova në spital sepse kisha trauma në trup. - Pse nuk e denoncon? - Emrin e tij nuk mund ta bëj publik sepse kam frikë për fëmijën tim. Ai më ka kërcënuar me jetën e fëmijës dhe unë nuk kam besim në rendin edhe në policinë e shtetit. Këtu po vriten njerëz dhe faji ngelet jetim.

- Si është raporti yt me fëmijën?

- Edhe pse kam kaluar shumë vuajtje, mundohem të mos e jap vetën me fëmijën dhe të jem një nënë e mirë, me këto pak mundësi që kam.

- A ndihesh një nënë si gjithë të tjerat për të?

- Si nënë dhe si femër ndihem shumë e zhgënjyer nga rrethanat emocionale dhe ekonomike në të cilat gjendem, por gjëja që më shqetëson më shumë tani është frika për jetën dhe të ardhmen e fëmijës tim.

- Po mbi të, është ushtruar dhunë?

- Jo, mbi fëmijën jo, por ai ka qenë i pranishëm kur jam dhunuar unë. Për këtë, unë iu drejtova edhe një psikologu.

- Deri tani, te kush je mbështetur dhe çfarë masash ke marrë për mbrojtjen tënde e të fëmijës?

- Jam mbështetur te njerëzit e mi të afërt, por edhe rrethanat ekonomike nuk i kam të mira, ndaj s’mund të drejtohem askund. Nuk kam besim as të them gjëra më konkrete se ku kam kërkuar ndihmë e nuk kam gjetur, sepse mund të më sjellë edhe më shumë probleme.

- Si është jeta jote tani?

- Nganjëherë them, “më mirë mos të isha fare në jetë”. Jetoj nga halli.

- Pse kur të kërkova intervistën, refuzove të flisje publikisht?

- Ndikimi i mediave edhe i institucioneve që duhet të merren me ne, lë shumë për të dëshiruar. Rasti i fundit që kam lexuar në gazeta më ka trondi- tur. Lexova se nga dhuna në familje një femër ishte në rrezik për jetën. U trondita shumë pasi ajo femër që ishte duke luftuar për jetën mund të isha edhe unë. Kujtoj çastet që kam kaluar dhe e them me gjithë zemër se, më mirë të isha e vdekur sesa e dhunuar.

- Dëshira më e madhe që ke...

- Ta rris fëmijën tim larg dhunës. Në ditën e nënave, dua të marr lule e dashuri e të mos marr më si dikur, dhunë pa arsye. Më trishton e ardhmja. Vetëm ndonjë mrekulli do të më bënte të mendoja pozitivisht.

- Çfarë do të më thuash tani, në fund të kësaj interviste?

- Gjithkush duhet ta ketë të qartë se, liria jote fillon aty ku mbaron liria ime. Dua të bëj apel kundër dhunës ndaj femrës edhe për këtë dua të bashkëpunoj edhe me organizatat në vend. Femra meriton më shumë. Fëmijën tim do ta mësoj që t’i respektojë femrat e të mos jetë një mashkull më shumë që vetëm dhunon, për të plotësuar mangësitë personale.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.