Bëj dot bashkim familjar me babain?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam emigrant në Itali me banim në Bari, i martuar e me 2 fëmijë. Kam leje qëndrimi të rregullt afatgjatë dhe shtëpi me qira në kushte normale. Kam babain në Shqipëri, në një moshë të vjetër 67 vjeç, i cili jeton me vëllain. Janë në një gjendje ekonomike të vështirë. Vëllai është i sëmurë me astëm dhe nuk ka mundësi t’i shërbejë. Po kështu, edhe nga gjendja ekonomike, janë në vështirësi. Për këtë arsye, dëshiroj të bëj bashkim familjar me babain, mbasi unë i kam kushtet për t’i shërbyer.

- I nderuar letërshkrues, bazuar në legjislacionin italian, qytetari i huaj i cili ka një leje qëndrimi për në BE afatgjatë ose një leje qëndrimi për të paktën një vit, për punë si i punësuar, ose i vetëpunësuar, studim, azil politik, për arsye fetare, për arsye familjare ose mbrojtje plotësuese, mund të aplikojë për bashkim me anëtarët e familjes që jetojnë jashtë vendit (bashkëshorti, fëmijët e mitur, të rritur me invaliditet të plotë dhe prindërit në ngarkim që nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës ose të cilat kanë një moshë mbi 65 vjeç dhe fëmijët nuk mund ta sigurojnë më mirëmbajtjen e tyre).

- Për të përfituar bashkimin familjar, është e nevojshme të demonstrohet vlefshmëria e strehimit dhe të ardhurat vjetore, që variojnë sipas numrit të anëtarëve të familjes. Si procedurë, të interesuarit duhet të paraqesin kërkesën e tyre në menyrë elektronike në Sportelin e Unik për Imigracionin. Për hartimin dhe dorëzimin e kërkesës elektronike për bashkim familjar, mund të kërkojnë asistencë dhe ndihmë prane zyrave të Patronatit Inas (ndihma dhe asistenca ofrohet pa asnjë pagesë), i cili ka zyra në çdo zonë të Italisë, si dhe në Shqipëri. Në çdo kohë, ky institucion do të jetë i gatshëm për të asistuar dhe ndihmuar për procedurat që ndiqen. Sipas legjislacionit të ri italian, mund të aplikohet për bashkim familjar me kategoritë e mëposhtme;

1. Bashkëshorti, jo i ndarë ligjërisht dhe që nuk është nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare;

2. Fëmijët e mitur, të bashkëshortit apo të lindur jashtë martese, të pamartuar, në kushtet kur prindi tjetër, ka dhënë pëlqimin e tij;

3. Fëmijët në moshë madhore në ngarkim, në qoftë se për arsye objektive nuk mund të sigurojnë nevojat e tyre thelbësore të jetës për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore (përfshihet invaliditeti i plote);

4. Prindërit në ngarkim, në qoftë se ata nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes;

5. Prindërit mbi gjashtëdhjetë e pesë vjeç, nëse fëmijët e tjerë nuk janë në gjendje t’i mbështetin ata, për arsye shëndetësore serioze të dokumentuara. Për të gjitha tipologjitë e bashkimit familjar, janë të domosdoshme dokumentet e mëposhtme: Dokumentacioni i nevojshëm për të gjitha tipologjitë e bashkimit familjar:

- formulari i kërkesës për vizë (duhet përdorur një formular për secilin aplikant për vizë, i plotësuar në secilën pjesë të tij dhe i firmosur. Në rastin e të miturve, formulari duhet firmosur nga të dy prindërit ( ose kujdestari) pranë Kancelarisë Konsullore);

- pasaporta e vlefshme (skadenca e pasaportës duhet të jetë të paktën tre muaj pas mbarimit të afatit të vizës që kërkohet); - një fotokopje e pasaportës; - 2 fotografi të kohëve të fundit, të formatit teser;

- certifikatë personale (vetëm nëse është kërkesa e parë për vizë, për të verifikuar përkatësinë territoriale të Kancelarisë Konsullore të Ambasadës së Tiranës);

- fotokopje e lejes së qëndrimit, të vlefshme, e qytetarit shqiptar me qëndrim të rregullt në Itali. Në rast se është e skaduar, duhen paraqitur 3 faturat e pagesës për kërkesën për rinovim;

- fotokopje e Autorizimit (Nulla Osta) lëshuar nga Sporteli i Vetëm për Emigracionin (SUI).

Në rastin tuaj për aplikimet për bashkim familjar për prindin mbi gjashtëdhjetë e pesë vjeç, kërkohet si kusht që fëmijët e tjerë të mos jenë në gjendje për t’i mbështetur ata për motive të rënda shëndetësore të dokumentuara. Në këto kushte, do t’ju kërkohet të plotësoni këta dokumente:

a) Certifikata e lindjes së fëmijës që kërkon ribashkimin; b) certifikatën e familjes nga e cila evidentohen të gjithë fëmijët (që jetojnë e prindërve që aplikojnë për bashkim familjar;

c) fotokopje e leje së qëndrimit të të gjithë fëmijëve që jetojnë jashtë vendit ( në rast se një fëmijë ose më shumë fëmijë do të jenë rezidentë në një shtet tjetër, dokumenti në fjalë duhet të jetë i përkthyer dhe legalizuar nga një përfaqësi diplomatike/konsullore në këtë vend). d) certifikatë mjekësore lëshuar nga mjeku i besuar i Ambasadës, duke deklaruar se fëmijët që jetojnë në Shqipëri si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore të dokumentuar, nuk e mundësojnë jetesën e tyre. Pra, kërkesa themelore është që vëllai që është në gjendje të vështirë shëndetësore, duhet të paraqitet te mjeku i caktuar nga Ambasada Italiane, ku duhet të ketë edhe një dokument për gjendjen e tij shëndetësore, i cili do të vlerësojë shkallën e gjendjes shëndetësore dhe mundësinë e bashkimit familjar. Theksojmë se aktualisht kërkohen edhe dokumentacioni nga bankat, që vertetojnë transfertat në kesh, në favor të prindit me të cilin kërkohet bashkim familiar. Ju sugjeroj që, nëse deri tani ndihma financiare që keni dhënë për babain, mund të ketë qenë nëpërmjet takimeve që keni patur, është e domosdoshme që në këto kushte dërgesat të jenë nëpërmjet bankës. Dokumentacioni i dërgesave duhet të paraqitet në Ambasadën Italiane, si dokument që vërteton angazhimin tuaj në ndihmë të prindit.

Valbona Vukulaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.