A mund t’ia heqim mbiemrin tonë ish-kunatës?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje avokat! Unë quhem Irma, jetoj në Itali dhe doja t’ju bëja një pyetje. Vëllai im është ndarë prej një viti dhe jeton këtu në Itali, por divorcin po e bën në Shqipëri. Ish- gruaja nuk do që ta heqë mbiemrin, për arsye dokumentesh. Ai gjyqin e parë e humbi në Durrës, kështu që ajo ka akoma mbiemrin tonë. Tani e kanë hedhur në shkallë të parë në Tiranë dhe kur ishte gjyqi, avokatja nuk u paraqit. Nuk e kuptoj arsyen, por desha të di, i nderuar avokat, si është ligji, a mund ta mbajë ajo mbiemrin e vëllait? Si funksionon kjo punë? Dua që vëllai im të fillojë një jetë të re, por po nuk u nda nga ajo, nuk mund të martohet me dokumente. Pres me padurim përgjigjen tuaj.

- Përshëndetje zonja Irma, pasi lexova me vëmendjen letrën, kuptova se ju keni dy probleme: A mund ta mbajë ish-bashkëshortja e vëllait mbiemrin pas zgjidhjes së martesës dhe a mund ta zgjidhë martesën?

- Fillimisht dua t’i jap përgjigje pyetjes së dytë, përsa i përket zgjidhjes së martesës. Kodi i Familjes përcakton: Secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martesës kur, për shkak të grindjeve të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, sëmundjes mendore të pashërueshme, dënimit penal të rëndë të bashkëshortit ose për çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve që rrjedhin nga martesa, jetesa e përbashkët bëhet e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj për bashkëshortin paditës ose për të dy bashkëshortët. Gjykata ven- dos për fajësinë, në zgjidhjen e martesës, vetëm kur kjo kërkohet prej njërit ose të dy bashkëshortëve. Në shqyrtimin e padisë për zgjidhjen e martesës, gjykata cakton fillimisht një seancë pajtimi, në të cilën duhet të paraqiten personalisht bashkëshortët. Gjyqtari mund t’i dëgjojë ata veçmas secilin dhe më pas bashkarisht, pa praninë e përfaqësuesve të tyre. Kur arrihet pajtimi, mbahet procesverbal dhe gjykimi pushohet për këtë shkak.

- Në rast se në seancën e pajtimit nuk paraqitet paditësi, ndonëse ka pasur dijeni rregullisht, gjyqtari i vetëm vendos pushimin e gjykimit të çështjes. Kur nuk paraqitet i padituri, ndonëse ka pasur dijeni rregullisht, gjyqtari shtyn seancën e pajtimit, duke i përsëritur njoftimin të paditurit.

Nëse edhe në këtë seancë i padituri nuk paraqitet pa ndonjë shkak të arsyeshëm, gjyqtari, pasi dëgjon paditësin dhe krijon bindje se pajtimi i bashkëshortëve nuk mund të arrihet, cakton seancën gjyqësore, duke urdhëruar thirrjen e provave të nevojshme. Gjykata mund të shtyjë shpalljen e vendimit deri në 1 vit, kur nuk ka krijuar bindje se përjashtohet çdo mundësi pajtimi e bashkëshortëve.

- Përsa i përket pyetjes nëse ajo mund ta mbajë mbiemrin e bashkëshortit, neni 146 i Kodit të Familjes përcakton se: “Bashkëshorti që me lidhjen e martesës ka ndryshuar mbiemrin e tij, pas zgjidhjes së martesës merr mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës. Gjykata, me kërkesën e bashkëshortit dhe kur është në interes të tij ose të fëmijëve, mund të lejojë që ai të mbajë mbiemrin që ka marrë me lidhjen e martesës”. Përfundimisht, martesa ndërmjet vëllait tuaj dhe bashkëshortes mund të zgjidhet pranë gjykatës ku është gjendja civile e bashkëshortëve dhe vëllai juaj duhet të jetë patjetër i pranishëm në seancën e pajtimit. Për këtë arsye mendoj se ju është pushuar gjykimi. Përsa i përket mbajtjes së mbiemrit, bashkëshortja e vëllait tuaj, pas zgjidhjes së martesës, mund të mbajë mbiemrin e vëllait, pasi këtë të drejtë ia jep Kodi i Familjes.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.