Po më shkatërron paniku

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Ju lutem, më ndihmoni sepse kam një kohë të gjatë që po vuaj nga ankthi ose paniku. Nuk di si ta shpjegoj, por di të them që ky ankth nuk po më lë të jetoj i qetë. Kam frikë për çdo gjë gjatë gjithë kohës, më merret fryma, kam rrahje të shpejta të zemrës, më errësohen sytë, më merren mendtë. Nuk di më çfarë të them, di vetëm që po vuaj shumë, kam gati 2 vjet kështu dhe nuk jam vizituar asnjëherë, por tani nuk mundem më të vazhdoj. Ndihem shumë i lodhur, nuk kam më fuqi për asgjë, kam vetëm një ndjenjë frike dhe emocioni në zemër. Kam frikë se gjithë kjo periudhë e gjatë po më jep efekte anësore. Më duket sikur kam tension të lartë dhe më dhemb koka gjatë gjithë kohës. Së fundmi, ankthi po kontrollon jetën time. Jam përpjekur ta heq këtë siklet me aktivitet fizik e duke lexuar, por nuk ia kam dalë dot. Maksimumi vetëm një ditë në javë mund të jem i qetë, ndërsa në ditët e tjera më kap paniku. Di vetëm që kjo gjë më është bërë e papërballueshme dhe kam frikë se jam tepër vonë sepse më duket sikur gjithçka në trupin tim është shkatërruar prej këtij ankthi që mund ta quaj kronik, pasi e kam të përditshëm. Kam shpresa në përgjigjen tuaj. Faleminderit.

Dr. Valentina Qemalli ( Asabella), psikiatre: - I nderuar lexues, duket shumë qartë që jeni në ankth nga letra e gjatë që më keni shkruar, por për këtë ju duhet të konsultoheni me një psikiatër drejtpërsëdrejti pasi në gjendjen në të cilën ndodheni nuk do mjaftonte vetëm psikoterapia. Ankthi ka ndikuar dukshëm në jetën tuaj, prandaj duhet të trajtoheni me medikamente, pa lënë pas dore psikoterapinë. Një vizitë e drejtpërdrejtë do t’ju ndihmonte si juve të çliroheni dhe të kthjelloheni duke marrë si këshilla, por dhe mjekim nëse është e nevojshme dhe psikiatri e ka më të lehtë duke ju kontaktuar së afërmi për të gjetur shkakun e këtij ankthi. Sigurisht që është e kurueshme, por duhet ta bisedoni patjetër me një psikiatër.

Valbona VUKULAJ

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.