Kam emocione, nuk komunikoj dot

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje doktor Jashari. Jam një djalë 25 vjeç, që kam një problem me komunikimin. Jam i ndrojtur kur flas me njerez të rinj e sidomos me vajzat. Me shoqërinë jam aktiv dhe në çdo fushë ata më marrin mendim, më kërkojnë sugjerime madje, por kur bie fjala për vete, nuk di të flas bindshëm ose qartë. Kam emocione dhe shpesh më ndodh të mos komunikoj dot, pasi nuk di çfarë të bisedoj. Për shembull, ka një vit që flas me një vajzë në telefon. Ne njiheshim që më parë, por jo nga afër. Tani, kur e takoj, nuk jam në gjendje të flas e të krijoj një bisedë interesante me të. Bisedoj pak për tema serioze dhe largohem se kam emocione e nuk më vjen asgjë në mendje për të folur. Kjo gjendje më streson dhe nuk di si ta ndihmoj veten për të qenë më aktiv dhe gazmor në komunikim. Ju falënderoj shumë për ndihmën.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: -I nderuar djalë 25 vjeçar, po ta them që në fillim se ti qenke djalë i aftë dhe me vlera, por me sedër të tepruar. Edhe pse nuk ke shkruar shumë, e kuptoj shumë mirë gjendjen tënde, por mos harro se noti vetëm në ujë mësohet. Unë kam trajtuar e çliruar shumë të rinj me ndrojtje, sidomos me vajzat, por edhe me ankth social apo siç kam qejf ta quaj unë, “ankth performance”. Çuditërisht, ky lloj ankthi ndeshet më shumë te moshat e reja dhe më shumë te djemtë sesa te vajzat. Deri diku ai quhet “normal”, por edhe kur është i tepruar, ai është ankth i trajtueshëm dhe ne psikologëve na pëlqen se me të nuk na vete puna “dëm”, pra, ia dalim gjithmonë me këtë lloj ankthi, por siç është lajm i mirë se është i sigurtë trajtimi me psikoterapi, ashtu është lajm i keq fakti se mbi 80 % e klientëve me ankth so- cial, për shkak të vetë specifikës së ankthit që u krijojnë bisedat me një të panjohur, qoftë edhe psikolog, nuk vijnë për trajtim. Ata 20 % që vijnë, miqësohen menjëherë me ne psikologët dhe kur trajtohen, mësojnë më shumë rreth këtij lloj ankthi, rreth vetes, rreth vlerave të tyre, pushojnë së qeni “viktima” dhe bëhen shkencëtarë mjaft të aftë “menaxhues”. E prandaj ka gjithmonë një herë të parë që, siç thuhet, e “thyen akullin”. E vërteta është se përgjithësisht, njerëzit me ankth social kanë një zgjuarsi gati hyjnore dhe një shpirt të madh e të gjerë, por ata kërkojnë saktësira deri në detaje, sidomos ndaj vetes. Ky lloj ankthi apo fobie sociale, si të gjitha fobitë, nuk është diçka e “lindur” edhe kur të duket sikur s’do të shpëtosh dot kurrë prej tij, por është diçka e “mësuar”, në saje të ngacmueseve specifikë e të përsëritur që ti djalë tani ke merak ( ose i ke marrë shumë merak) pak e nga pak sepse reagimet e tyre me ankth të kanë shqetësuar shumë, pra, të kanë “djegur”.

Ruajna Zot, kur kjo ndodh edhe në seksin e “herës së parë”, kur djali ndoshta i trembur dhe tepër i përqendruar për performancën seksuale, pra, për të bërë një përshtypje sa më të mirë befas, nuk arrin të bëjë dot seks. Nëse ky lloj fenomeni përsëritet, djali dalëngadalë bindet se është i paaftë si mashkull, edhe më keq, impotent dhe ndodh që ikën e mbyllet larg vajzës, në “fatkeqësinë” e tij të fshehtë. Kështu, i tërhequr, pa guxuar më tej të provojë, duke mos u përballur e duke mos marrë njohuritë psikoseksologjike, ai mund të vazhdojë të mbetet i tërhequr për shkak të ankthit e turpit. Kjo përkohshmëri e përsëritur mund t’i bëhet si një përhershmëri e zgjatur e që populli s’ka ditur t’i vërë emër tjetër, por sëmundje ose magji.

- Me psikoterapi ata kuptojnë se janë futur si pa e kuptuar në atë rreth vicioz i cili duhet thyer pasi kjo lloj “impotence” nuk është reale, nuk është e vërtetë, por fallco, e induktuar, e autosugjestionuar (për keq) ose hipokondrike ( nga frika). Ashtu si te të gjitha simptomat e ankthit, vepron edhe këtu ajo që quhet “psikosomatikja”. Kjo ndodh ngaqë për shkak të mendimit se do të dështojë, se do të turpërohet përsëri etj., gjaku grumbullohet te truri e vete pak te penisi dhe ky i fundit mbetet i paerektuar.

Ta dhashë këtë shembull, i nderuari letërshkrues, për ta kuptuar se si ti je futur pa kuptuar e dalëngadalë në këtë rreth vicioz kur flet me vajzat, edhe pse je aktiv e i zgjuar dhe ata ty të marrin mendime e të kërkojnë sugjerime për çdo gjë. Ty të duket e pakuptueshme se si ti, papritur, gjendesh si në një “valle” të keqe dhe para një vajze, në vend që ta ëmbëlsosh muhabetin, do që të largohesh sa më parë. Largimi për shkak të turpit dhe emocioneve përbën atë që quhet “keqpërshtatje”, si një lloj kompulsioni që e mban gjallë obsesionin (fiksimin, merakun) ose siç thonë besimtarët, duke ikur, ti ia bën qejfin “shejtanit” i cili të thotë “ik se po le nam”, kur qëllimi i tij këtu nuk është që të ndihmojë, por të të prishë punë. Duke mos ikur e duke biseduar jo vetëm tema serioze, por edhe ato që quhen “hoka- koti” apo gallatë, për të cilat ka nevojë njeriu, ti do të mësohesh e do të përballesh, do të të bëhet kjo si një gjë e zakonshme e natyrore, ashtu si noti, të cilin, pasi e ke mësuar, edhe pse s’e ke pasur “tëndin” (domethënë, natyror) nuk e harron kurrë. Më sipër përmenda fjalën “valle e keqe” sepse ti ndihesh në këtë lloj gjendjeje ngaqë nga njëra anë përpiqesh të dukesh e të tregohesh i qetë, edhe pse nuk je, kurse nga ana tjetër përpiqesh të gjesh e të thuash fjalë të mençura e interesante aq sa ke frikë se mos “shuhet” biseda e nuk do të dish për çfarë të flasësh.

Mos qëndro si i shtrënguar në vetvete, mos ki ego e sedër të tepruar dhe krenari fallco. Mos rri si ndonjë i pashpresë dhe si i “marrë peng” nga kjo lloj “pengmarrjeje” emocionale, por bëji nja 8 apo 10 seanca me psikoterapi. Besoj se u kuptuam.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.