Dua shumë vajza njëkohësisht

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Kam ra në hall, më pëlqejnë shumë vajza njëherësh dhe jam shumë i pavendosur, më duket sikur jam i dashuruar me të dyja vajzat, por edhe me një tjetër që flas në telefon. Çfarë e ka njëra, s’e ka tjetra. Nga ana tjetër, kam një lidhje shumë serioze që ma di familja dhe pret që unë të fejohem. Problemi është se më rri mendja dhe te vajzat e tjera... si të veproj?

Borana Marku psikologe: - Në radhë të parë, unë mendoj se nëse fejoheni tani, do të bëni gabimin më të madh të jetës suaj. Me ato çfarë më shkruani, mendoj se nuk e keni arritur pjekurinë e duhur për t’u fejuar apo martuar. Keni nevojë akoma të rriteni dhe të piqeni. Një arsye tjetër është se ju nuk keni gjetur akoma një vajzë e cila t’ju bëjë totalisht për vete dhe të mos e keni mendjen tek asnjë tjetër.

Fakti që ju doni shumë vajza përnjëherësh, do të thotë që realisht nuk jeni i dashuruar me asnjërën prej tyre. Nuk jeni akoma gati psikologjikisht të krijoni një lidhje serioze, sepse kjo gjë kërkon shumë përgjegjësi dhe përfshirje emocionale. Duhet t’i jepni pak kohë vetes përpara se të fejoheni, të sqaroheni me veten tuaj se çfarë kërkoni realisht te një vajzë.

Një tjetër gjë që t’ju këshilloja është që të mos mbani kaq shumë vajza pezull në të njëjtën kohë sepse përveçse i bëni dëm vetes, fare padashur mund të lëndoni edhe vajzat. A do t’ju pëlqente juve që një femër t’ju lëndonte shpirtërisht? Absolutisht jo. Atëherë, mos e bëni as ju me asnjërën prej tyre. Përqendrohuni te njëra që ju pëlqen më shumë sesa tjetra, njiheni mirë dhe pak nga pak, do të filloni të bëni përzgjedhjet e duhura dhe të zgjidhni vetëm një femër e cila ju bën të ndiheni i plotë shpirtërisht. Për momentin, mos hidhni asnjë hap për t’u fejuar se do të merrni në qafë si veten, ashtu edhe vajzën me të cilën keni lidhje serioze. Rrini pak vetëm dhe shoqërohuni vetëm miqësisht me vajzat, gjersa të gjeni atë që do t’ju bëjë të marroseni pas saj. Ju uroj fat.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.