E urreja nënën e tij!

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

Atëhere mora një vendim që do të trondiste përfundimisht jo vetëm jetën time, por edhe atë të Arjanit dhe të nënës së tij, që aq shumë kisha nisur ta urreja. Vendosa të shkoja të takoja nënën e tij, pa i thënë gjë Arjanit, sigurisht. Pas zënkës së fundit që kishim patur, unë u hoqa sikur isha bindur nga arsyetimi i tij dhe ne po vazhdonim “të qetë” lidhjen tonë.

Një ditë, kur ai u nis për një shërbim jashtë Tirane, unë vendosa të shkoja në shtëpinë e tij. Megjithëse zakonisht jam shumë e ndrojtur, atë ditë nuk e pata fare problem të trokisja në portën e asaj shtëpie që deri në atë moment më ishte dukur si një istikam. Derën ma hapi pikërisht ajo, nëna e tij. Ishte krejt ndryshe nga ç’e kisha parashikuar. E kisha imagjinuar të gjatë e me një fytyrë të vrazhdë, madje isha përgatitur që ajo të më mbyllte edhe derën, por nuk ndodhi aspak kështu. Ajo ishte një grua e thatë, me një fytyrë të përvuajtur e me flokë të thinjur që i shkonin gjer te supet. Gjithë mllefi që kisha mbledhur në shpirt për atë njeri, m’u shua në çast. Nuk isha në gjendje as të flisja, as ta përshëndesja. Mbeta si e ngrirë para saj.

- Kush jeni ju? – më pyeti ajo e habitur.

- Unë, jam… Desha të flisja me ju! – i thashë, por kur e pashë se ajo me të drejtë vazhdonte të më shihte si e hutuar, mendova se duhet të shpjegohesha – Jam një shoqe e Arjanit. Ai nuk donte që të prezantoheshim bashkë, kështu që unë vendosa ta bëja vetë.

Buzët e gruas, papritur, lëvizën dhe në vend që të thonin ndonjë sharje, formuan një buzëqeshje.

- Hajde! – tha ajo dhe më hapi rrugën për në kuzhinën e shtëpisë së tyre.

Ndihesha si e çarmatosur, por eca pas saj. Kisha harruar gjithë ç’doja t’i thoja, por ajo sërish më ndihmoi, duke më pyetur se ç’më kishte thënë Arjani për të.

- Nuk e di… - belbëzova. – Di që e dua Arjanin, por ai thotë se ju… nuk do të pranonit kurrë që unë të lidhesha me të. Nuk e kuptoj se pse. Ju dukeni kaq e mirë!...

Në këtë moment, gruaja qeshi sërish.

- Pse, ju më kishit përfytyruar si ndonjë egërsirë?

- Jo, por, ai është aq i lidhur pas jush sa… nganjëherë më fut tmerrin. Më duket sikur…

- Arjani është lidhur me mua dyfish, përderisa i mungon babai i tij, – më tha ajo. – Është normale që një fëmijë të jetë shumë i lidhur me prindërit e tij.

- Por Arjani nuk është fëmijë! – i thashë.

- Të gjithë jemi fëmijë. Edhe unë jam ende fëmijë… Do të doja edhe unë ta kisha gjallë nënën time dhe po ta kisha, do të llastohesha para saj.

- Pse nuk më doni mua? – shpërtheva atëhere. Ndihesha aq e zemëruar për faktin që ajo po tregohej aq e mirë me mua, për faktin që ajo dinte të fliste aq mirë, që më respektonte, ndërkohë që unë prisja të më urrente… - Pse Arjani më ka thënë se ju nuk do të pranoni kurrë që ai të lidhet me mua?

- Kjo nuk ka të bëjë me mua. – tha ajo. – Arjani nuk do vetë që të lidhet me ty. Ky është problemi i tij dhe jo i imi. Ti, e dije që Arjani ka një fëmijë? Që ka edhe grua…

- Çfarë? – u hodha përpjetë.

- Po. Ata nuk jetojnë këtu, por Arjani vazhdimisht kujdeset për ta. Ai e do shumë atë grua që ia sh- katërroi jetën… Do të bënte gjithçka për të, për dashurinë e saj, por ajo nuk e ka dashur kurrë. Edhe ai fëmijë, që për Arjanin është vetë jeta, ishte thjesht një gabim që po i kushton shumë. – gruaja u përlot dhe nuk foli më.

As unë nuk fola më. Nuk kisha ç’të thoja. Gjithçka ishte shumë e qartë tashmë. Më kot isha inatosur me atë grua të mirë, që nuk ishte “hipnotizuesja” e Arjanit tim. Ai nuk ikte prej meje për të, por për dikë tjetër…

Që nga ajo ditë nuk e kam parë më Arjanin. I kërkova asaj gruaje t’i thoshte atij të mos më kërkonte më dhe ai vërtet nuk e ka bërë, megjithëse në ndonjë moment dobësie unë e kam pritur një telefonatë prej tij. Tashmë kanë kaluar kohë, por unë ende nuk e kam harruar dhe e di se kurrë nuk kam për ta harruar atë njeri.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.