Duhet provuar “kafja seksi” dhe afrodiziakët e tjerë?

Intervista - - INTIMITET -

Çfarë është një ushqim afrodiziak? Megjithëse efekti i disa ushqimeve mbi dëshirën seksuale mbetet ende të provohet, disa substanca zgjerojnë enët e gjakut të organeve seksuale, të tjera mund të shtojnë edhe prodhimin e spermatozoideve, apo testosteronit (hormonit të lidhur me libidon dhe dëshirën seksuale). Kështu, disa ushqime quhen afrodiziake për efektin e tyre në organizëm. Po ju, do t’i provonit ato?

Sipas një studimi të publikuar në vitin 2012 nga shkencëtarët e universitetit “Mbretëresha Margaret” të Edinburgut, një gotë me lëng shege në ditë shton me 1630% nivelin e testosteronit. Ky lëng, përveçse ka shumë antioksidantë dhe është kundër stresit, shton edhe dëshirën.

Për të përfituar plotësisht nga efektet pozitive të shafranit në dëshirë, duhet t’i kesh paratë me thasë, nëse marrim parasysh sa kushton ai. Por, nëse paratë nuk janë problem për ju, një studim i bërë nga studiuesi Masimo Markoni (Universiteti i Gelfit, Kanada) tregoi se shafrani, bashkë me xhinsengun, ishin afrodiziakët natyralë më efikasë, para verës së kuqe dhe çokollatës. Ndryshe nga kjo e fundit, që stimulon trurin duke shtuar serotoninën dhe endorfinën, shafrani dhe xhinsengu kanë një efekt total, si psikologjik, ashtu edhe fiziologjik, duke shtuar fluksin e gjakut që shkon në organet seksuale.

Rrënja e macas (e prodhuar në Ande dhe e përdorur nga aztekët) është e shkëlqyer për të harmonizuar hormonet dhe nxitur pjellorinë. Muira puama (e mbiquajtur «pema e fuqisë seksu- ale» në Amazonë), yohimbine (një substancë alkaloide që vjen nga bima afrikane Pausinystalia johimbe), ose kakaoja besohet se janë ushqime që përmirësojnë seksualitetin, i japin trupit fuqi, konsiderohen që në lashtësi si afrodiziakë të fuqishëm dhe në përgjithësi, si bimë nxitëse të energjisë.

Një studim amerikan i vitit 2008 e quan shalqirin viagër natyrale. Ky frut plot lëng, të cilin e konsumojmë shpesh në verë, është i aftë jo vetëm të trajtojë problemet e ereksionit, por edhe t’i parandalojë ato. Pushime të mbara!

Nëse Kazanova konsumonte 40 stridhe në ditë që të përballonte dashnoret e shumta që kishte çdo natë, kjo do të thotë se e ndjente që sasia e madhe e zinkut që ato përmbajnë, një kripë minerale e domosdoshme për prodhimin e spermës, shtonte prodhimin e spermatozoidëve. Stridhet, gjithashtu, kanë histidine, një aminoacid që luan rol te dëshira. Për fat të keq, ky nxitës i pjellorisë dhe dëshirës është i disponueshëm në treg vetëm në muajt me «r» (duke u bazuar tek anglishtja), kështu që duhet të prisni deri në shtator! Nga ana tjetër, karkalecat janë të mbushur me fenilalaninë, një aminoacid që luan rol te humori dhe dëshira, duke aktivizuar njëkohësisht prodhimin e dopaminës dhe noradrenalinës (hormoni i vëmendjes). I vetmi problem: Efekti i këtij aminoacidi ka shkaktuar ereksione më të mira vetëm te minjtë... Megjithëse efekti i tij nuk është provuar ende te njeriu, disa karkaleca me salcë koktejli nuk mund të të bëjnë keq.

Erëza të tilla si paprika, kanella ( për energjinë), xhenxhefili, por edhe selinoja, speci djegës, mentja dhe sidomos, qepa e gjallë, kanë një reputacion se janë të mirë për libidon dhe fuqinë seksuale. Për pasojë, të gjitha ushqimet që stimulojnë qarkullimin e gjakut janë të mirë për të qenë më të nxehtë në shtrat, sepse favorizojnë ereksionin.

Në këtë pije, e cila po korr sukses përtej Atlantikut, thuhet se janë përzier gjithë përbërësit afrodiziakë mrekullibërës. Ju mund ta konsumoni këtë lloj kafeje një ose dy herë në javë dhe të na tregoni efektet e saj! Ja, cila është receta:

2/3 e filxhanit me kafe të zezë 1 lugë supe kakao pluhur 2 lugë supe qumësht kokosi 1 lugë supe mjaltë ½ luge kafeje me kanellë 1 lugë kafeje maca pluhur

Hidheni kafenë në një tas, shtoni kakaon, qumështin e kokosit, mjaltin e kanellën dhe përziejini derisa të krijohet shkumë. Shtoni macën, përziejeni prapë dhe pijeni. Kujdes! Nëse jeni duke bërë një dietë të veçantë, ose keni probleme me shëndetin, konsultohuni me mjekun para se të shtoni përbërës të rinj në ushqimin tuaj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.