Si t’i largoj këto mendime?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- I nderuar Dr. Demiri, unë që po ju shkruaj jam nëna e një djali adoleshent. Djali im kishte ankesa të shumta trupore dhe e kam vizituar kudo, sa te një doktor, te tjetri. Më në fund, dëgjova këshillat tuaja në telefon dhe doli ashtu siç më thatë, djali u ekzaminua me depresion të maskuar. Si ka mundësi që psikologia e shkollës, jo vetëm që nuk ia dalloi vetë asnjë shenjë të këtij lloj depresioni te djali, por qeshi si me ironi kur i thashë mendimin tuaj? Tani, dua të di, ç’janë këto depresionet e maskuara, deri edhe për fëmijët e adoleshentët?Me respekt, Amelsea, Fier.

- E nderua r a letërshkruese, mos u mërzit q ë paske vuajtur nga njëri doktor te tjetri se kështu ndodh në këto raste, edhe për paaftësitë e psikologes, por gëzohu që më në fund u gjet diagnoza e saktë e djalit tënd adoleshent, që rezulton të jetë depresioni i maskuar ose i fshehtë, apo siç e quajmë shpesh, depresion pa depresion ose atipik... Psikologia e shkollës, në fakt, e ka shumë të vështirë ta dallojë këtë lloj depresioni, pasi ai nuk shfaqet me klinikën e tij karakteristike, siç e kanë testet që ne u japim studentëve tanë, psikologë të ardhshëm, të përshkruara edhe në manualet psikiatrike. Ky lloj depresioni paraqitet me një formë ku mbizotërojnë ankesat e ndryshme trupore, prandaj quhet i fshehur ose i maskuar, pasi në plan të parë nuk dalin shenjat depresive, ndaj dhe sëmundja nuk mund të kuptohet dhe ndodh që diagnostikimi, ose bëhet i gabuar, ose me vonesë. Sidomos te fëmijët dhe adoleshentët, këto lloj dhimbjesh trupore, si: dhimbje koke, gjymtyrësh, dhimbjet rreth zemrës, në shpatulla, të përzierat, prishja e oreksit etj. nuk merren aq shumë në konsideratë, pasi prindërit dhe mësuesit i kujtojnë ose i mendojnë këto si karakteristika të ndryshimeve moshore. Këto lloj supozimesh se fëmijët dhe adoleshentët nuk rriten pa dhimbje, ankthe e frikëra, e lënë në hije sëmundjen e vërtetë, e cila mund të zbulohet vetëm nga një sy i stërvitur profesionisti të shëndetit mendor. Mos e fajësoni pra psikologen e “shkretë”, pasi këta të sëmurë me depresion të maskuar, nuk i paraqesin shenjat e zakonshme të depresionit, siç quhen ndryshe, shenjat bazë si dëshpërim, frenimet mendore e lëvizëse, të qarat e shpeshta, kufizimet, mosshijimin e jetës etj. aq më tepër që fëmija me sedër përpiqet ta arrijë “ritmin” e mëparshëm, qoftë edhe me ca sforcime. Si shenjë dalluese e tyre është pagjumësia, zgjimi herët, mungesa e oreksit, ankesa të cilat shfaqen më shumë në mëngjes ose me fillimin e mësimit. Mos u çudisni që ky lloj depresioni i maskuar më tepër shfaqet te moshat e reja dhe sa vjen e po shtohet, për arsye që do t’i sqarojmë. Për ta dalluar këtë lloj sëmundjeje te fëmijët, duhet të kemi parasysh disa tregues që mund të na ndihmojnë; e para, origjina, domethënë nëse ata kanë ndonjë të afërm që vuan nga depresioni endogjen apo jo. E dyta, kur vërehet se këta të sëmurë po përgjigjen mirë ndaj mjekimit me barna antidepresive dhe e treta, vizitat e ndryshme që nuk gjejnë asnjë lloj sëmundjeje, gjë që tregon një sëmundje “pa sëmundje”, psikosomatike.

- Ju thoni se nuk keni dëgjuar më parë për këto lloj sëmundjesh dhe kjo është e vërtetë, pasi literatura psikiatrike është pasuruar kohët e fundit me studimet për depresionet e maskuara. Jo se më parë nuk ka patur sëmundje të tilla, por sepse ato nuk kuptoheshin e nuk zbuloheshin dot, jo si sot që diagnostikohen e trajtohen me sukses, pasi shumë prindër të kulturuar, me gjithë hallet e shumta që kanë, nuk harrojnë se duhet pirë një kafe edhe me psikologun, bashkë me fëmijën e vet. Gjatë kësaj “kafeje”, që në pamje ne mund të dallojmë te fëmija shenjat e këtij lloj depresioni, pasi ai paraqitet në formën e një frenimi trupor, mendor dhe emocional. Depresioni i maskuar mund të fshihet gjithashtu, edhe pas shenjave të tilla si lëvizje të pavullnetshme të gjymtyrëve, lëvizje të fytyrës që quhen tike etj. Pastaj, na vijnë në ndihmë nëse ka shenja të tjera, siç janë: ndjenja të të vjellëtit, urinim të shpeshtë ose urinim në dyshek natën, turbullime të shikimit, dhimbje barku, dhimbje koke, prishje të gjumit, vështirësi në të folur etj. Shpesh, fëmijët në këtë gjendje përpiqen të dalin vetë nga ky lloj “tuneli”, por pastaj bëhen të plogësht dhe paraqesin ulje të veprimtarisë së tyre fizike e mendore. Bien edhe në mësime dhe krijohet përshtypja e rreme se është bërë dembel, shtiret ose se nuk e ka zhvillimin e nevojshëm mendor për të përparuar. Kësisoj, lihet pas dore trajtimi e mjekimi dhe gjendja e fëmijës rëndohet më tepër kur fillojnë kritikat apo sjellja e ashpër ndëshkuese nga ana e prindërve, të cilët duan që ta fusin fëmijen e tyre në rrugë të drejtë. Më ka ndodhur që prindër shumë të mirë kanë qarë me lot në klinikën time pasi kanë mësuar për vuajtjen dyfishe të fëmijës, nga sëmundja dhe nga vetë ata. Këto gjëra m’i thotë shpesh edhe një mjeshtre e re e trajtimit të fëmijëve dhe adoleshentëve, psikologia klinike Entela Isufi, e cila i ndjek më shumë kujdes fëmijët te shkolla e saj private. Ajo më ka shpjeguar se nëse që sheh te një fëmijë ankesa dhimbjesh trupore, nervozizëm, shenja ankthi, frike, mospërqendrim, shenja lodhjeje, ngathtësie, mungesë oreksi, mosinteresim për lojërat, muzikën etj. menjëherë futet në biseda të kujdesshme me të, me ushtrimet në formë loje, jo vetëm për ta gjallëruar e për t’i rritur atij besimin në vetvete, por edhe për të dalluar se mos ka shenja të depresionit të maskuar. Pastaj këshillohet edhe me familjarët dhe fillon me këtë fëmijë psikoterapi të rregullt intensive, deri në shërimin e tij të plotë. Në ca raste, ajo, bashkë me prindërit, i sjellin fëmijët edhe te klinika jonë për ndonjë diagnostikim më të saktë dhe për të marrë edhe kura 100 % bimore, pa asnjë efekt anësor e përgjumës. Rezultatet nuk vonojnë dhe fëmijët mësojnë me sukses, ata hidhen e vrapojnë ashtu si kecat në pranverë. Kjo psikologe dhe ky trajtim duhen marrë si shembull edhe për shkollat e tjera. Diagnostikimi i saktë dhe psikoterapia, janë baza e suksesit të shërimit. Si gjithmonë, parandalimi është më i lehtë sesa trajtimi.

- Ju lutem, më thoni se si të veproj me këto mendimet e mia, sepse vetëm negativisht mendoj dhe kjo gjë më bën të ndihem shumë keq me veten. Më thoni një këshillë, me çfarë të merrem? Si t’i largoj këto mendime, sepse po çmendem? Jam 28 vjeçe.

Borana Marku psikologe: - E nderuar 28 vjeçare, do kishte qenë mirë të dinim nëse jeni këshilluar më parë me ndonjë psikolog. Kjo do të na ndihmonte të mësonim nëse keni pasur më parë gjendje të tilla apo vetëm tani. Gjithashtu, bëni mirë të bëni një kontroll shëndetësor të tiroideve. Nga ana tjetër, kjo gjendje duhet ta ketë një arsye. Nuk e di nëse ju qetëson kjo gjë që do t’ju them, por në pranverë, pra, në këtë periudhë, të gjithë personat, sidomos ata që janë shumë të ndjeshëm, kanë ulje-ngritje të humorit, për shumë arsye... Ndërrohet gjaku, dita zgjatet, dalim nga një periudhë dimërore ku dita ishte e shkurtër dhe përballemi direkt me një ditë të gjatë e më me dritë. Në ndërrim të stinëve, sidomos nga ekstremi në ekstrem, të gjithë kanë një lëvizje të çuditshme humori, ndaj do t’ju sugjeronim të merreshit me sport, të frekuentoni ambiente me shumë persona, të dilni me shoqërinë tuaj dhe t’i gëzoheni qoftë edhe një kafeje të shkurtër me shoqërinë. Nuk keni pse të keni mendime negative, mbushuni me frymë dhe mendoni se jeta është shumë e shkurtër dhe duhet jetuar. Ka persona që janë sakatë, nuk shikojnë, janë të sëmurë, pa punë, të uritur dhe përsëri ia dalin mbanë. Ju nuk na thoni se keni ndonjë arsye të fortë. Pastaj, vetë fakti që thoni “më duket se po çmendem”, do të thotë se jeni shumë e shëndetshme psikologjikisht. Një person që është i shëndetshëm, nuk shprehet në këtë mënyrë, por thjesht mbyllet në vetvete. Ndaj, hiqini këto mendime negative dhe jetojeni jetën sa më bukur dhe shëndetshëm. Zëreni kohën tuaj me aktivitet sportive, në palestër, me një xhiro në natyrë, dilni me shoqërinë dhe punoni. Nëse jeni pa punë, shikoni njoftimet dhe, duke kërkuar, do ta gjeni patjetër një punë. Ndiqni një hobin tuaj dhe çdo gjë kalon. Nuk do të keni kohë të mendoni më negativisht, por vetëm pozitivisht. Mendimet negative duhet ta kenë një shkak ose thjeshtë ju vijnë për arsyet që ju thamë më sipër, por që janë kalimtare, më besoni për këtë. Nëse shikoni se nuk ia dilni dot e vetme, ju sugjerojmë të flisni me një psikolog ose edhe me një shoqe të ngushtë apo pjesëtarë të familjes tuaj. Thjesht, flisni që të çliroheni dhe do të shikoni se do të ndiheni më mirë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.