U dashurova me njerkun tim

Intervista - - FAQE 1 -

Mamaja ime është martuar në moshën 21 vjeçe me tim atë, por u ndanë shpejt, kur unë nuk kisha mbushur as një vjeç, prandaj nuk e mbaj mend tim atë, i cili u zhduk fare nga jeta jonë. Pas një viti ajo u lidh me një burrë tjetër, me të cilin bëri një vajzë tjetër, Edën, por as lidhja me të nuk funksionoi dhe ai iku njësoj si im atë. Nëna ime nuk na fliste as për njërin, as për tjetrin, sigurisht, sepse nuk kishte kujtime të mira prej asnjerit nga ata të dy. Dinim vetëm emrat e tyre dhe ndonjë gjë tjetër. Për babain e Edës thoshte se ishte një dashuri e momentit dhe nuk donte të dinte më për të. Në fakt, nuk kishte asnjë kujtim prej tij, as letra, as fotografi. Për timin kishte nja 2-3 foto dhe fliste pak më shumë, por thoshte se ishte një njeri i papërgjegjshëm, egoist, që s’donte t’ia dinte për askënd. Unë kurrë nuk kisha menduar shumë për tim atë dhe nuk kisha kuriozitet ta njihja, por motra ime, po, kështu që filloi ta kërkonte kur u rrit...

Lidhja me time më kishte qenë gjithnjë pak e vështirë. Ajo ishte nevrike dhe binte shpesh në depresion. Na thoshte të dyjave se nëse nuk do të na kishte lindur ne, tani nuk do t’i duhej të punonte gjithë ditën e ditës për të na mbajtur dhe nëse baballarët tanë do të ishin sjellë ashtu siç duhet, ajo nuk do të sakrifikonte jetën e saj si tani. Eda ishte më pasive dhe mundohej t’i bënte qejfin mamasë, ndërsa unë, nga ana ime, kisha vendosur t’i dilja zot vetes sime dhe të largohesha nga shtëpia një orë e më parë, sepse nuk e duroja atmosferën që krijohej aty. Një ditë u zura me mamanë, e cila më ulëriti: “Ik nga shtëpia nëse nuk të pëlqen këtu”. Unë, vërtet u largova nga shtëpia. Isha 17 vjeçe dhe sapo kisha filluar punë si kameriere në një lokal (shkollën e kisha lënë përgjysëm). Gjeta një apartament bashkë me dy shoqet e mia dhe e morëm me qira.

Eda, që ishte dy vjet më e vogël se unë, u zemërua me mua dhe më mbante mëri pse isha larguar nga shtëpia. Megjithatë, i ruanim lidhjet dhe mundoheshim të takoheshin herë pas here. Në një nga këto takime, ajo më rrëfeu se kishte nisur të kërkonte të atin... Kërkimet ecnin ngadalë dhe mua më dukej se nuk e kishte marrë shumë seriozisht këtë punë. Nganjëherë bile mendoja se e bënte për inat të mamaë, e cila nuk donte më të dëgjonte për baballarët tanë dhe nuk donte që edhe ne t’i kërkonim. Kur unë mbusha 21 vjeçe, Eda më rrëfeu se kishte gjetur adresën e të atit. Me sa dukej, kishte qenë marinar dhe tani punonte në atë ndërmarrje. Ajo i shkroi një letër, pa e ditur nëse do të merrte përgjigje. Për çudinë e saj, gati tri javë pas letrës mori një përgjigje nga i ati, në të cilën i shkruante se edhe ai kishte dashur ta njihte. Eda ishte e entuziazmuar, ndërsa mamaja jonë, kur e mori vesh, u zemërua shumë. Motra ime filloi të takohej me të atin. E merrte në telefon dhe dilnin bashkë herë pas here. Me sa dukej, ai ishte martuar dhe divorcuar më vonë, megjithëse nuk kishte patur fëmijë. Nganjëherë, Eda ankohej për të. Thoshte se nuk tregonte iniciativë të madhe dhe duhej t’i qepej që të linin një takim, megjithatë edhe e lavdëronte dhe thoshte se ishte burrë shumë zbavitës. Pas disa kohësh, ajo vendosi të ma prezantonte dhe ne dolëm një darkë për të pirë një kafe. Më pëlqeu dhe e ndjeva se edhe unë i pëlqeva atij, por jo tamam si një fijane. A-ja ishte një burrë shumë simpatik, në të dyzetat, burrëror e njëkohësisht, delikat. Kishte udhëtuar shumë, dinte shumë, i pëlqente të dëgjonte të tjerët dhe bënte një muhabet interesant. Pas asaj dite u takuam edhe disa herë të tjera bashkë, por me kohë u mundova ta harroja dhe secili vazhdoi jetën e vet...

Në atë kohë, unë po ndahesha nga i dashuri im, me të cilin kisha 4 vjet që isha lidhur. Isha 28 vjeçe. Më vonë mora vesh se edhe Eda me të atin ishin larguar nga njëri-tjetri. Me sa dukej, risia e takimit baba-vajzë kishte humbur atë kuriozitetin e fillimit dhe ata s’kishin ç’të tregonin më, kështu që shiheshin vetëm në raste të rralla. Një ditë mora një telefonatë nga A-ja. Më kërkoi të shiheshim dhe gjatë takimit u tregua shumë i dashur, korrekt dhe i sjellshëm. U takuam edhe herë të tjera dhe e ndjeva se të dy po i futeshim një rruge pa krye, megjithatë kurioziteti nuk më linte të largohesha. Ai më tregonte për jetën e tij, gjërat interesante që dinte, më trajtonte me shumë delikatesë dhe butësi, por nuk guxonte të bënte hapin e parë. I kisha treguar për këtë edhe shoqes sime të ngushtë, e cila më qortoi...

Megjithatë, mua më tërhiqte shumë A-ja, shikimet, bisedat me të, pjekuria dhe ëmbëlsia e tij. Asnjëherë nuk kisha njohur një burrë të tillë, meqë lidhjet e mëparshme i kisha patur me djem të moshës sime, pak të papjekur dhe fëminorë. Një ditë ai më ftoi për darkë dhe unë shkova. A-ja më rrëfeu shumë gjëra për jetën e tij, në të cilën sigurisht, bënte pjesë edhe ime më. Takimet tona vazhduan dhe e ndjeja se A-ja më pëlqente çdo ditë e më shumë. Një ditë ndodhi ajo që pritej. Kur po ndaheshim, ai më puthi lehtë në faqe, por kur unë ula kokën pak e mërzitur, ai më kapi fytyrën me të dyja duart dhe më puthi fort. Sigurisht që nuk iu shmanga asaj puthjeje, të cilën e dëshiroja prej kohësh.

Kështu, filloi lidhja jonë. E dija që mamasë dhe motrës sime nuk do t’u pëlqente aspak kjo lidhje, por unë nuk doja ta privoja veten nga kjo dashuri, sepse kurrë nuk kisha njohur më parë një burrë që të më pëlqente kaq shumë.

Për dy vjet e mbajtëm të fshehtë lidhjen tonë. Ai e dinte se ndihesha keq për këtë lidhje dhe një ditë më propozoi të martoheshim. Shtoi se lidhja jonë do të merrej vesh një ditë, se nuk mund të vazhdonim të fshiheshim gjithë jetën... Unë nuk dija ç’të bëja. Isha shumë konfuze dhe para se të vendosja, mendova të takohesha me Edën për t’i rrëfyer gjithçka. I thashë se isha e dashuruar si kurrë më parë dhe sigurisht, ajo do ta merrte keq kur ta mësonte se për kë bëhej fjalë, por nuk mund ta evitoja dashurinë time për Anë... I thashë se kishim vendosur të martoheshim. Nuk mund ta harroj britmën e saj në mes të lokalit. Iku shumë e nxehur duke evituar më pas çdo lidhje me mua. Mendova se i kishte treguar edhe sime mëje, sepse shkova dy herë në shtëpi dhe ajo nuk ma hapi derën. U ndjeva shumë keq. E kisha shkatërruar edhe më shumë atë familje të shkatërruar që kisha.

E kam pyetur veten pse duhej të lidhesha pikërisht me atë burrë, nga gjithë ata që më vinin rrotull, por ajo që ndjeja për të ishte më e fortë se dyshimet e mia. Të dy besonim tek fati dhe, meqë ai i kishte sjellë gjërat në këtë mënyrë, ishte ai që vendoste për ne. Kështu, vendosëm të mos e zgjasnim më, por të martoheshim. Bëmë një dasëm të thjeshtë, me disa miq. Ftuam edhe të afërm, edhe Edën me time më, por asnjeri nuk erdhi. Të gjithë e quanin një turp martesën tonë. I shkruajta një letër sime motre ku i shpjegoja gjithçka dhe i kërkoja falje. Nuk mora kurrë përgjigje. E di që nuk më ka falur dhe ndoshta nuk do të më falë kurrë. Unë tani kam krijuar familjen time, kam jetën time, megjithatë, nganjëherë më merr malli për to...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.