E tradhtova burrin pasi ika në Amerikë

Intervista - - RREFIME MEKATARESH - (Vijon nga numri i kaluar)

Vajzat filluan të ambientoheshin me shkollën. Gjashtë muajt e parë i lija fëmijët gjithë ditën para televizorit që të mësonin të flisnin. Burri im flinte gjumë, ndërsa unë punoja në tre shtëpi të ndryshme si pastruese.

Të tria shtëpitë ku punoja ishin afër njëra-tjetrës dhe të zonjat e shtëpisë më ndihmuan që të gjeja edhe punë të tjera. Ndërmjet punëve që më gjetën, ishte edhe pastrimi i një klinike dentare. Dentisti ishte i divorcuar dhe jetonte i vetëm. Ai më tha se kishte nevojë t’i pastroja edhe shtëpinë dhe unë, sigurisht, kisha nevojë për punë. Punova për rreth një vit në pesë shtëpi e në klinikë dhe realisht, lodhesha, por isha e lirë. Javët e para kur pastroja shtëpinë e dentistit ai punonte, por më pas filloi të rrinte në shtëpi. Kjo nuk ndodhte shpesh, por kur ai qëndronte, kisha një lloj frike, dyshimi. “Mos i ka humbur gjë dhe dyshon tek unë?”, mendoja. Edhe kjo më duhej, të më iknin dy punë dhe të merrte fjala dhenë, ndërkohë që nuk kisha marrë asgjë. Mes gjithë këtyre dyshimeve e frikërave të mia, një ditë kur po pastroja klinikën, ai më erdhi pas e më tha:

- E dashur, mos ki frikë nga unë. Nuk kam asgjë me punën tënde. Thjesht, ti më dukesh femër interesante, edhe pse je emigrante dhe punon si pastruese.

Në fillim u stepa e u tërhoqa, por nuk pata kohë të reagoja më shumë sepse ai u largua. Ditën tjetër, kur më duhej të pastroja shtëpinë, ai po më priste në shtëpi dhe më tha:

- Prita që ta pi kafen e mëngjesit me ty. Të thashë, më dukesh femër interesante dhe dua thjesht të flas me ty. Kafet po i bëj unë.

Ai bëri kafet e filloi të më pyeste për jetën time. I trego- va për çka më pyeste e në fund, ai më përkëdheli dorën, tha “mirupafshim” e iku. Kështu, filluam të flisnim më shumë me njëri-tjetrin si në shtëpi, ashtu edhe në klinikë. Kur i kisha treguar për jetën time, ndër të tjera, i tregova që e kisha mbaruar shkollën shkëlqyeshëm.

- Atëherë, pse nuk vazhdon një shkollë dy vjeçare këtu dhe më ndihmon mua në laborator? Do të jetë punë shumë më e mirë dhe më e paguar për ty.

Qesha me të madhe për çka më tha dhe i thashë që shkolla nuk ishte për mua tani që isha dyzet e pesë vjeçe. Pas dy ditësh, m’u desh t’i merrja leje sepse djali im kishte dalë i pari në një olimpiadë matematike që ishte zhvilluar në qytet dhe duhej të isha edhe unë në ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve. Dentisti ma dha gjithë ditën pushim kur e mori vesh për çfarë më duhej leja.

- E kam për nder të kem në punë mamanë e një djali kaq të shkëlqyer dhe, përveç kësaj, tani të jap urdhër që edhe ti të vazhdosh atë kursin për laborante.

Dhe kështu, unë fillova të kërkoja dëftesat e shkollës së mesme në Shqipëri dhe dhashë provime pas provimesh derisa u regjistrova. Sigurisht, të gjitha këto i bëra me ndihmën e dentistit. Pak nga pak, rashë në dashuri me të. Edhe ai këtë priste. Kisha dyshuar që ai donte vetëm të më fuste në shtrat e pastaj të më hidhte në rrugë, por jo. Ishte ai personi që më nxiti të vazhdoja shkollën edhe në Amerikë, edhe pse në moshë goxha të madhe dhe me një punë vetëmohuese, sepse më duhej të ushqeja edhe fëmijët. Gjatë gjithë kësaj kohe, burri im jo vetëm që nuk punonte, por filloi të bridhte pas fustaneve edhe në Amerikë.

Kjo lloj sjelljeje më shtyu akoma më shumë në krahët e punëdhënësit tim. Gjithçka filloi aq natyrshëm mes nesh sepse ne kishim kohë që flisnim si shokë, por natyra ime e sinqertë dhe nuk mund të duronte që të isha edhe e martuar, edhe me të dashur tjetër në punë, ndaj vendosa t’ua thoja fëmijëve dhe burrit tim. Kur u thashë, vajzat e miratuan menjëherë sepse po rriteshin me mentalitet tjetër dhe e kishin parë që marrëdhënia jonë kishte qenë për të qarë hallin. Pastaj, fakti që burri im nuk punonte fare, ua kishte nxirë jetën edhe atyre. E kështu, mes histerizmave të burrit tim, unë i kërkova të ndaheshim, por për çështje dokumentesh, nuk kishim si të ndaheshim ligjërisht. Atëherë zgjidhja ishte vetëm që të jetonim në shtëpi të ndryshme. Të tre fëmijët ndenjën me mua. Unë fillova të dilja lirshëm me të dashurin tim të ri dhe ai vinte shpesh në shtëpinë time. Edhe unë shkoja në të tijën, jo më si pastruese, por si shoqja e krahut. Më në fund, morëm edhe dokumentet dhe filluam procedurat e divorcit me burrin. Më dukej sikur çdo gjë po zvarritej, sepse realisht, nuk e duroja dot më. Më në fund, jam divorcuar prej tij dhe jam martuar me një amerikan. Kam martuar dhe të dyja vajzat e jam bërë gjyshe. Edhe burri im i dytë është i lumtur kur vajza ime e madhe na vjen në shtëpi me vajzën e vogël. I thotë vetes gjysh gjithë kohës dhe duket i lumtur. Më në fund, edhe unë, në moshën pesëdhjetë vjeçare, gjeta paqe e lumturi. Por, nëse unë jam e lumtur, duhet të pranoj me keqardhje që për prindërit e mi divorci im ka qenë i tmerr shëm. Ata jetojnë në Shqipëri dhe vuajnë paragjykimet e komshinjve. Ndaj, në këtë letër, do të doja t’u thoja gjithë prindërve: Mos shikoni e dëgjoni komshinjtë, shikoni vetëm lumturinë e fëmijëve tuaj!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.