Big Basta: Ky është starti…

Intervista - - MUZIKE -

Kjo është një nga ato intervistat që lexohen me mjaft kuriozitet deri në fund, edhe për faktin se Geri apo Big Basta, ka shumë për të na treguar. I kishte munguar muzikës me projekte të reja, por me këngën “Fire, Higher, Ajër” e risolli edhe njëherë gjithë vëmendjen nga ai, duke na përcjellë në këto ditë të nxehta, disa ritme rege. Një ndër projektet e tij është edhe hapja e radios MCN, në të cilën do të transmetohet 24 orë muzikë hip hop. Por, ne nuk mund të mos e pyesnim Gerin edhe për dashurinë e tij, Vesën, e cila, siç ai thotë, është kthyer në refrenin e jetës së tij. Një intervistë e mbushur me projekte të reja, frymëzim, dashuri, dëshirë, thjeshtësi, përgjigje reale… Ky është Big Basta!

Mia Buci: - Geri, pas një mungese të gjatë në tregun muzikor, vjen me “Fire, Higher, Ajër”, një këngë rege mjaft interesante, duke nisur që nga titulli...

Gerald Xhari: - “Fire Higher Ajër” vjen pikërisht për t’i shtuar nxehtësinë pranverës dhe për ta sjellë më afër stinën e verës. Ka ritëm interesant dhe është frut i një pune dymujore për ta sjellë deri këtu. Mr Rez gjithashtu, një Dj i njohur i skenës shqiptare, më surprizoi me kompozimin bashkë me vëllain e tij, Natty Lens dhe gjithashtu për faktin se donte të këndonte për herë të parë në një këngë që do realizohej me video. Video është realizuar nga Max Production, të cilët me të vërtetë kanë dhënë maksimumin në këtë projekt.

- Pse e mendove të përshtatshëm rikthimin tënd pikërisht tani?

- Aresyet janë të kuptueshme, kam gati për publikim mbi 20 këngë të reja dhe një pjesë tyren me video. Frymëzimi është në shkallën më të lartë, ndaj nuk mund të prisja edhe shumë. Megjithëse po flitet për një rikthim timin me video që po qarkullon nëpër televizione, fansat e mi e dinë se kurrë s’kam ndaluar së bëri muzikë dhe së interpretuari. Nuk jam ndalur as në produksion dhe në tekste në asnjë çast.

- Çfarë ke bërë më së shumti këto kohë?

- Kam qenë i përqendruar për një jetë më të mirë dhe të lumtur sepse asgjë nuk vlen më tepër në këtë botë.

- Filozofia që e ka mbajtur të ndriçuar rrugën tënde në muzikë...

- Respekti ndaj jetës si edhe të qenit vetvetja në çdo moment. Një shprehje thotë: “Përpiqu të jesh vetvetja sepse të tjerët i kanë zënë të tjerët”. (Buzëqesh)

- Ora shënon 19.00... Zakonisht, çfarë je duke bërë në këtë orë?

- Jam në studio, në kreativitet. Është një pjesë e pashmangshme e terapisë sime ditore për t’u ndjerë i lumtur.

- Nëse e risjell në mendje takimin e parë me Vesën... çfarë të ka mbetur në mendje?

- Vesa... ajo femër që më është bërë refren në jetën time, tashmë është gjithçka për mua. Ajo buzëqeshje, e folura dhe era e mirë ishin kimikatet e përdorura nga ajo ditën e parë që e pashë.

- Si është t’i japësh fund beqarisë? Shumë djem i druhen kësaj...

- Në komunitetin tonë, do të thotë të bëhesh burrë, ndërsa për mua, do të thotë t’i ndihmosh planetit për të shtuar jetë. (Buzëqesh)

- Si janë fundjavat tua- ja?

- Me lëvizje te shumta. Koncerte kryesisht, por nuk përjashtohen sporti dhe shëtitjet brenda e jashtë Shqipërisë.

- Ti dhe Vesa, më tepër ngjani apo ndryshoni?

- Jemi tipa të njëjtë. I përkas shenjës së Gaforres, nuk rri dot me tipa që s’më përshtaten. (Buzëqesh)

- Çfarë keni të rëndësishme në marrëdhënien tuaj?

- Sinqeritetin dhe besimin! Ky është starti.

- Cilat ishin gjërat që i dhanë ngjyra ditës tënde sot?

- Intervistat dhe promovimi i “Fire Higher Ajër”. (Buzëqesh)

- Kujdesesh për të thënë gjithnjë gjërat e duhura në një intervistë?

- Ashtu si në këtë rast, njihemi prej kohësh me gazetarët dhe ata e dinë mirë që jam tepër real në përgjigjet e mia.

- Si do ta quaje pikën në të cilën ndodhesh në karrierën tënde?

- …është pika më e bukur, është momenti i së vërtetës dhe kam gati çdo material të mundshëm për të lënë në jetë një shenjë të madhe, edhe më të madhe se më përpara, sepse qëkur kam nisur të bëj rep, kam bërë këngë të cilat do mbeten gjatë, duke filluar nga “Një hap përpara” me Burn.

- Po të vendosje të bëje një ndryshim të madh në jetën tënde, cili do të ishte ai?

- Të bëhem baba. Aty nis ndryshimi.

- Ti po mendon të hapësh një radio, ku me siguri ke menduar të kesh edhe një emision tëndin… Do na tregosh diçka më shumë vetë rreth këtij projekti?

- MCN Radio është në fazën e fundit të ndërtimit dhe realisht s’e kisha menduar të kisha emision timin, por do ta shqyrtoj më vonë. (Qesh) Është produkt i një ëndrre dhe i një miqësie të fortë për të sjellë këtë institucion kaq të dashur dhe të lënë pas dore në Shqipëri. Do jetë 24 orë hip hop e black music dhe një shtëpi e madhe për rininë që e do këtë muzikë dhe kulturë. Falë suportit të MCNetvvorking, kjo do bëhet e mundur.

- Disa nga kolegët e tu kanë testuar edhe talentin në aktrim. Të intrigon ideja e aktrimit në një film?

- Edhe unë aktroj dhe ka disa muaj që në TVSH po jepet seriali “Dadoja e pallatit tim”. Kam një rol të bukur që e dua shumë. Ishte një dhuratë për fëmijët, sidomos për mbesën dhe nipin tim.

- E ke vënë re pranë cilit person qesh më shumë?

- Pranë Vesës, familjes sime dhe shoqërisë sepse me ta ndihem mirë dhe i sigurt.

- Më mirë të të kapin duke përgjuar pas derës apo në një foto me pozë aspak të përshtatshme?

- S’kam çfarë fsheh. Kam një jetë korrekte, por në rastin konkret, më mirë të më kapin pas dere duke përgjuar. (Qesh)

- Cila është ajo gjë që për të mos e bërë, gjen gjithnjë një justifikim?

- A e lamë që jemi bërë burra? Nuk justifikohemi më, por i dalim ballë! ( Qesh) Mbase dentisti është prapë për justifikim...

- Një moment kur je ndjerë në siklet në publik?

- Në finalen e Top Festit, vitin që shkoi. Patëm një aksident me një nga çiklistët që dolën për të performuar dhe bërë akrobaci. Veten nuk e njihja në të tilla raste dhe mendoja se do shkojë keq gjithçka, por jo, vazhduam sërish performancën. (Buzëqesh)

- Po të kishe një kopje tënden, për çfarë do ta “shfrytëzoje”?

- (Qesh) Për të dalë në koncerte të rrezikshme dhe të vritet. (Qesh)

- Duke u rritur, ne humbasim gjithnjë diçka nga vetvetja, ndërsa fitojmë të tjera. Çfarë të mungon nga Geri adoleshent dhe çfarë nuk ia ke më zili atij?

- Më mungon muzika Hip Hop e atyre viteve, por s’më mungon moda e atëhershme. (Buzëqesh)

- Talenti që do të doje të kishe, por nuk e ke?

- Sportist ose më saktë, futbollist.

- Cilat janë planet që presin të marrin jetë në aspektin personal dhe profesional?

- Planet janë të shumta dhe nuk dua t’i bëj publike. Megjithatë, albumi i tretë, me titull “E treta e vërteta”, po bëhet gati.

- Të pëlqejnë ndryshimet apo u trembesh atyre?

- Sigurisht që më pëlqejnë ndryshimet. Janë sfiduese.

- Do të niseshe për punë vullnetare në botën e tretë, në shërbim të popullsisë atje?

- Patjetër. Unë kam mbaruar për Sociologji, kështu që më shkon për shtat puna në botën e tretë.

- Shpesh, objektivat e tu janë të arritshëm, shumë ambiciozë, të pasigurt, entuziastë…

- …por shpesh në fund arrihen me sukses. (Buzëqesh)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.