Akullnaja që “rrjedh gjak”

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Në Antarktidë ka ndodhur një fenomen i cili, që prej një shekulli, ka bërë kureshtarë studiuesit, por ka qenë një studim i ri ai që ka zbuluar shkaqet e këtij misteri tërheqës.

Studimi në fjalë është publikuar më 28 prill në revistën “Nature”. Fenomeni i përket akullnajës Tejlor, në Antarktidë, një nga zonat e planetit ku kushtet klimatike janë nga më ekstremet. Me sa duket, poshtë këtyre akullnajave ka ujë shumë të kripur dhe të ftohtë. Uji që lidh një rrjet shumë të madh liqenesh të nëndheshëm në këtë zonë ka gjasa të ketë jetë, në formë mikrobesh, me gjithë temperaturat polare. Mjafton të vrojtosh imazhet e akullnajës McMurdo për të vënë re praninë e një lëngu me ngjyrë të kuqe të ndezur, të njëjtë me atë të gjakut, që del mbi një sipërfaqe të bardhë dhe, në pamje të parë, të shkretë. Për disa kohë, shkencëtarët mendonin se ngjyra vinte nga algat e kuqe, por tani ata mendojnë se shkaku i vërtetë është prania e bakterieve.

Ujërat e kripura të nëndheshme krijojnë një habitat të veçantë, të aftë të mbajë bakteriet që e ngjyrosin ujin me të kuq. Ka mundësi që, prania e lëngut që ngjan me gjak, të mos i përkasë vetëm kësaj akullnaje, por edhe të tjerave rreth e rrotull. Bakteret përgjegjëse për këtë fenomen, sipas ekspertëve, mund edhe të ndërveprojnë me oqeanin. Tani, ekspertët janë kureshtarë të zbulojnë nëse ka lidhje mes liqeneve me ujë të kripur në Antarktidë dhe oqeanit. Ujërat e nëndheshme të Antarktidës kanë forma të jetës bakterale, të cilat, sipas disa shkencëtarave, mund të jenë të pranishme edhe në Mars apo planetë të tjerë, kur kushtet klimatike janë të ndryshme nga ato mbi Tokë.

Ujërat e Antarktidës pra përmbajnë jetë mikrobike. Mbase shkencëtarët nuk do ta kuptonin kurrë, nëse nuk do të josheshin nga fenomeni i akullnajës që “rrjedh gjak” . Pika ku rrjedh “gjaku” është përcaktuar si një portë hyrëse drejt një bote të nëndheshme për t’u eksploruar. Bakteret që u rezistojnë temperaturave kaq ekstreme janë të afta të marrin hekurin e pranishëm në shkëmbinjtë e fshehur nga akullnaja. Hekuri më pas lëshohet në ujin e kripur. Pikërisht nga bashkimi i tyre, duke hyrë në kontakt me oksigjenin, kur arrin në sipërfaqe, krijohet lëngu me ngjyrë ndryshku, i ngjashëm me gjakun, që i kishte bërë shkencëtarët të mendonin për një fenomen të mbinatyrshëm. Shkencëtarët, jo vetëm kanë zbuluar misterin e akullnajës që rrjedh gjak, por kanë gjetur një pikë për të thelluar njohuritë mbi praninë e jetës në planetë të tjerë, pikërisht në Mars, ku ka mjedise të ngjashme me Dry Valleys të Antarktidës. Përveç kësaj, edhe disa satelite të Jupiterit mund të kenë ujë në gjendje të lëngshme ( e mbase jetë) nën sipërfaqen e tyre.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.