Si bëhet mbjellja e dhëmbëve?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Kam një pyetje për një stomatolog. I kam dhëmbët shumë keq nga ana estetike dhe shëndetësore. Të jem i sinqertë, nuk është se jam kujdesur shumë për to, sepse kam pasur gjithnjë fobi nga dentistët. Dua të di, a mund të përdor fije dentare? Sa herë përdoret ajo? Po mbjellje dhëmbësh a mund të bëj dhe cilat janë mënyrat? Po larja e dhëmbëve, bëhet me ujë apo aplikohet direkt pasta e dhëmbëve në dhëmbë, pa e lagur gojën?

Anisa Nasto, stomato- loge: - E kuptoj shqetësimin tuaj, por fobinë duhet ta lini mënjanë dhe të merrni situatën në dorë, në mënyrë që të ruani dhe ato dhëmbë që ju kanë ngelur të shëndetshëm. E fillojmë me fijen interdentare të cilën e përdorin ata pacientë që i kanë dhëmbët ose të ngjeshur, ose të rreshtuar normalisht. Në qoftë se i keni dhëmbët me hapësira në mes, përdorni furça të vogla interdentare. Fija përdoret nga lart poshtë, duke e mbështetur në sipërfaqen anësore të dhëmbëve dhe futet nën mish, derisa të lejon mishi i dhëmbëve. Pra, në këtë proces nuk duhet të ushtrohet forcë. Megjithatë, kjo është më e lehtë për t’u shpjeguar praktikisht. Sa i përket pastës së dhëmbëve, ajo përdoret direkt te dhëmbët, pa e lagur gojën. Hidhni pastë sa një kokërr bizele në furçë dhe fërkojini dhëmbët lart poshtë dhe nga brenda, gjersa të ndjeni që i keni pastruar. Më pas, shpëlajeni gojën.

Në lidhje me vendosjen e dhëmbëve, plotësimi me ura i dhëmbëve që mungojnë, nuk është i dhimbshëm dhe ke një garanci të madhe përsa i përket jetëgjatësisë së punimit. Mbjellja është procedurë kirurgjikale dhe, për rrjedhojë, është shumë herë më e vështirë e më e dhimbshme. Mbjellja e dhëmbëve rekomandohet vetëm në ato raste kur nuk mund të vëmë ura.

Valbona VUKULAJ

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.