A ka ndonjë mënyrë për të ndjerë përsëri?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam një vajzë 21 vjeçe. Para një viti kam patur një shqetësim nervor, e diagnostikuar me lodhje të sistemit nervor dhe ankth. U kurova dhe u ktheva në normalitet. Tani u bë nja 2 javë që ndihem e këputur dhe më merren mendtë, më buçasin veshët, këmbët më ngurtësohen dhe kam frikë të eci. Çfarë më këshilloni? Desha t’ju pyes edhe në lidhje me ndjenjat... Kohët e fundit nuk kam ndjenja fare si gjithë femrat dhe kur dua të kryej marrëdhënie, nuk eksitohem dhe ndihem shumë keq. Nëse ka mundësi, më ktheni përgjigje se dua të di, a ka ndonjë mënyrë për të ndjerë përsëri, apo jo? Faleminderit.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: - Është normale, o vajza 2 1 vjeçare, që ju të ndiheni kështu, duke qenë me lodhje nervore e ankth. Vërtet ankthi e stresi nuk janë sëmundje dhe nuk të çojnë në ndonjë sëmundje, ama të bëjnë “telef”, të lodhin e të “shkërmoqin” sikur të keni kaluar ndonjë “betejë”, pasi të gjitha organet (“ushtarët”) nën komandën e trurit punojnë me një super “kapacitet”, njëlloj sikur të jetë luftë e sikur do të përmbyset bota mbi ju(!). E çfarë lufte? Të duket sikur s’do të mbarojë asnjëherë! Dhe, dihet se edhe vetë truri, një organ është dhe lodhja pas një beteje stresi, apo ankthi, shpesh është aq e madhe, sa më vjen çudi pse mjekësia për këto raste nuk jep as raport. Nuk është raport mjekësor për ndonjë sëmundje, por është nevojë e madhe për pushim e relaks pasi është lodhur jo vetëm sistemi nervor, por të gjitha organet. Është njël- loj sikur të kemi qenë në Polin e Veriut. Atje, temperatura është – 60 gradë, ndërsa trupi ynë e ka temperaturën konstante 36,5 gradë. Ndryshimi është gati me 100 gradë dhe organet duhet të punojnë fuqishëm, aq fuqishëm që ne të mos ngrijmë, por pasi të ktheheshim, nuk do të kishim fuqi as të pushonim dhe vetëm gjumë do të na duhej. Të paktën e dimë në këto raste se të gjitha i kemi nga të ftohtët e nga kushtet e mbijetesës, kurse në rastin tënd, kushedi sesa je trembur nga simptomat e ankthit, duke i menduar ato për lloj- lloj “sëmundjesh” me supozime pafund me “po sikur...?” e “pse...?”! Kushedi se çfarë do të dëgjonim po të kishim mundësi që gjithë klientët e mi që trajtoj për ankthin, stresin e panikun t’i thohin me zë ato që ata mendojnë gjatë procesit kur janë në ankth dhe gjatë trajtimit. Një mik timin në kupolën e Ministrisë së Shëndetësisë e kam pyetur se përse të mos jepet raport mjekësor për lodhje të sistemit nervor dhe ai më ka dhënë një përgjigje të bukur, edhe pse paksa “justifikuese”... Më tha se këtyre njerëzve me ankth e stres apo edhe lodhje të sistemit nervor, puna u bën shumë mirë, u shërben si terapi. Dakord jam, por varet shumë nga lloji i punës, pasi puna me zhurma, me tymra e me kokëçarje do t’i rëndonte ata. Edhe aktiviteti fizik në natyrë, ecja në ajër të pastër, përmes gjelbërimit etj. këshillohet të jenë të përditshme, por të lehta dhe konstante. Në këto raste, njeriu jo vetëm që ndihet i këputur e pa dëshira, por edhe organet sikur mpihen e lodhen shpejt, ndër to edhe organet seksuale se edhe ata “ushtarë” janë, me “komandant” trurin. Pra, prishet gjumi, bie oreksi, pakësohen dëshirat seksuale, bie aftësia për të mbajtur mend, domethënë, një lodhje totale, pasi vetë truri (komandanti i trembur) ka punuar si në kushte lufte dhe i duhet ta “stakojë”, por përkundrazi, pasi po i stërmundon “ushtarët” ( organet dhe gjendrrat me të cilat funksionon organizmi) mbilodh edhe veten. Po ec e bëje atë që të stakohet, pasi “butoni” i panikut mbetet i aktivizuar, në këto raste, i takuar.

- Në të tilla raste, edhe ilaçet gjumëvënëse të tipit valium, loram, xanax, librium mund të përdoren pasi bëjnë mirë, por për përdorim akut (me raste) dhe vetëm kur ankthi është pikëllues, me qëllim që format e tjera të psikoterapisë bashkë me ilaçet bimore ( domethënë terapia e ëmbël) të mund ta trajtojnë problemin. Psikoterapia do të ishte shërimi juaj, e nderuara 21 vjeçare, pasi ajo hap “dyer e dritare” të “magazinave” të pavetëdijes dhe i “ajros” e i “sistemon” ato; me pak fjalë, vete direkt e te problemet që e kanë shkaktuar këtë lloj gjendjeje, sepse i gjejmë edhe ngacmuesit e jashtëm apo të brendshëm të cilët e “gjenerojnë” ankthin, por edhe ngarkesat e tjera të cilat pak e nga pak, janë bërë shumë. Thuhet se deveja, mbajti sa mbajti e më pas edhe një lëkurë lepuri që ia hodhën sipër e bëri që të ulej.

E kam thënë edhe herë të tjera se qëllimi i ankthit është që ta mbrojë organizmin nga dëmtimet e sforcimet, ashtu si edhe amortizatoret i mbrojnë makinat, prandaj ankthioziteti s’ka të bëjë me sëmundjet. Psikoterapia është 100 % e suksesshme pasi ajo i zbulon shkaqet, bën analizat, bën njohjen reale të gjendjes edhe jep informacionin e saktë për regjimin ditor, higjienën e punës mendore e fizike si dhe heq keqpërshtatjet me anë të ritrajnimeve profesionale. Aq shumë e vlerëson bota perëndimore psikoterapinë saqë atje thuhet se çdo njeri ka nevojë për psikolog, ashtu si çdo pemë apo bimë që ka nevojë për krasitje apo mbështetje, sidomos moshat e reja. Pra, asnjë fenomen nuk është më i dobishëm e i natyrshëm në botën njerëzore sesa fenomeni i nënshtrimit psikoterapeutik, pasi në këtë mënyrë ne hapemi në mënyrë të ndërgjegjshme ndaj provokimeve më të thella të jetës. Scott Peck ka shkruar se shërimi i shpirtit tuaj nuk mund të ndodhë derisa hapja ndaj provokimit të bëhet mënyrë jetese. Dihet se jeta na sulmon dhe ne duhet t’i përgjigjemi, por kur jemi të lodhur, edhe duhet të çlodhemi, t’i ulim të gjitha “kapacitetet” e të punuarit dhe të mos trembemi sikur jemi të sëmurë, të paaftë dhe impotentë. Jo, ne do të kthehemi përsëri në normalitet, vetëm të mos futemi në panik dhe të zbatojmë të gjitha këshillat e psikoterapeutit. Ne psikologët themi se ajo që neve na shkakton stres, nuk janë aq problemet dhe ndodhite në vetvete, por mënyra se si ne i mendojmë ato, ose më saktë, mënyra se si i vuajmë e i përjetojmë. A nuk thotë edhe Populli se “mendja bën kalanë, mendja bën hatanë”?! “Hata” të mendjes unë quaj mënyrat e gabuara të të menduarit të cilat çelin telashe të mëdha, më keq sesa telashet e vërteta apo reale. Njerëzve që kanë këto probleme e që u vijnë nga mënyrat e gabuara të të menduarit, unë u them me dashamirësi, por edhe me pak humor se “kompjuterin” (lexo: trurin) e ke në rregull, madje special, por duhen rregulluar “programet” (lexo: mendimet). Dhe nuk është rastësi se më shumë sesa të tjerët, vuajnë ata me koefiçient të lartë intelekti, pra, ata kanë edhe më shumë nevojë për psikoterapi. E ç’i duhet psikoterapia atij që i rri ora 12, apo një bariu që i bie fyellit, që kënaqet se po kullot një lopë e nuk e “vret” mendjen për t’i bërë dy apo një tufë?! Gjykojeni vetë...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.