Burgu ia solli mendtë djalit tim

Intervista - - FAQE 1 -

Përshëndetje! Jam një grua pesëdhjetë e tetë vjeçe që dua t’ju tregoj historinë time. Nga martesa pata një djalë e një vajzë. Gjatë jetës pata shumë probleme si për shembull rritja e vështirë e femijëve pasi unë punoja banakiere dhe burri im zakonisht punonte shofer, por me raste punonte edhe si murator, pasi në atë kohë nuk kishte punë. Vajza ime ishte shumë e zgjuar, në shkollë merrte nota të mira dhe mund të them se ishte e para e klasës, kurse djali im nuk mësonte fare dhe në shkollë bënte vetëm sherre. Jeta na u bë më e veshtirë kur mësuam se djali kishte lënë shkollën dhe vetëm rrinte rrugëve. Kaloi kohë dhe burri im vdiq nga një sëmundje e rëndë në gjak. U trishtuam shumë si familje, por kjo dhimbje na bëri më të fortë që të ecnim përpara.

Tanimë, kisha mbetur e vetme dhe me rrogën time si banakiere, nuk ia dilnim dot të tre. Shpeshherë na ndihmonte me para vëllai im, por edhe ato mbaroheshin shpejt. Fëmijët rriteshin dalëngadalë, por kërkesat e tyre rriteshin shpejt. Djali im nuk bënte asgjë, vetëm rrinte në shtëpi, kurse vajza filloi edhe shkollën e lartë për Mjekësi. Kur erdhi vera, atë vit, as vetë nuk e di se si e mori atë shtysë, por djali im filloi një kurs për barist. Megjithatë, për punë nuk kujtohej. Pas shumë mundimesh ia mbusha mendjen të shkonte të punonte si barist në ndonjë lokal bregdetar, kështu që ai u nis për të kërkuar punë. Pas shumë kërkimesh djali më njoftoi se kishte gjetur punë si barist në një klub nate në Sarandë. Sigurisht që ky lajm më kënaqi dhe për ato pak sekonda, u ndjeva e lumtur. Vazhdoi jeta e përditshme me hallet e problemet e saj. Ndërkohë, vajza më tha se ishte njohur me një djalë dhe unë e mirëprita si lajm teksa shikoja lumturinë e vajzës sime. Më dukej se jeta ime sikur ishte qetësuar, por kjo nuk zgjati shumë se një shoku i djalit më tha se ai kishte filluar të shiste lëndë narkotike. U shokova shumë nga ky lajm, por nuk i thashë as vajzës dhe u nisa për në Sarandë. Gjithë rrugës mallkoja veten që e shtyva djalin të shkonte të gjente punë në jug. Arrita të gjeja lokalin sipas adresës së dhënë nga Astriti (shoku i djalit). Pyeta kamarierin e turnit dhe mësova se puna e djalit tim niste natën. Prita deri vonë derisa më në fund Emiljano (djali im) arriti. U çudit nga prania ime dhe më pyeti se përse kisha ardhur. I thashë se si ishin punët. Më tha se këtë punë do ta diskutonim të nesërmen dhe më dha emrin e hotelit në të cilin qëndronte dhe numrin e dhomës. Shkova në hotel e prita për Emiljanon, por ai nuk po vinte. Ndeza televizorin dhe fillova të shikoja lajmet. Te lajmet flash lexova se në lokalin e natës “3B” (lokali ku punon- te djali im) kishte ndodhur një plagosje me armë zjarri. Më shkoi gjaku në fund të këmbëve, vesha këpucët e u nisa për në vendngjarje, e tronditur. Mora taksi pasi nuk e njihja atë vend, i shpjegova taksistit ngjarjen dhe i thashë se duhet të shkonim në lokal me nxitim. Ecëm aq shpejt sa për pak pësuam aksident. Vendi ishte mbushur me policë. Kishte mbërritur edhe ambulanca. Pyeta policët se kush ishte plagosur dhe ata më thanë se ngjarja kishte ndodhur mes dy grupeve kriminale ku dy persona kishin plagosur një tjetër. Kaloi një orë derisa u shpallën emrat e të plagosurve dhe të sulmuesve. Tek emri i sulmuesve ishte dhe... Emiljano! Rashë pa ndjenja dhe u zgjova në ambulancën e qytetit. Policia bashkë me vajzën time ndodheshin në dhomën time dhe më thanë se djali im kishte plagosur një njeri tjetër dhe se tanimë ndodhej në burg. Pas shumë negociatash me mjekun dola nga spitali sepse ai më thoshte se isha e rënduar psikologjikisht. Bashkë me vajzën u nisëm për të takuar Emiljanon në burgun e Sarandës. Kur arritëm atje, Emiljano ndodhej në paraburgim, pra, akoma nuk i ishte dhënë dënimi. Folëm gjatë për çka ndodhi dhe na tha se pagesa e ulët që merrte si banakier e kishte detyruar të futej në bandat e trafikimit të lëndëve narkotike. Na tha se i duhej një avokat i mirë që ta nxirrte nga kjo mesele. Këtë gjë sigurisht që e bëmë. Djali kishte shpresa se do të mund të lirohej, por unë dhe vajza i kishim prerë shpresat. Edhe avokatin e morëm vetëm që djali të mos ndihej keq. Pas dy-tri javësh vendimi për djalin tim u mor dhe ai ishte: tetë vjet burg!

Nuk mund të llogaritet dhimbja që kalova. Mallëngjimi im kalonte vetëm për atë një orë që e takoja në burg. Vajza ime mbaroi shkëlqyeshëm shkollën e lartë dhe nisi një master. Pas një viti vendosi të martohej me djalin që kishte njohur në shkollë të lartë. Kështu, unë takova edhe dhëndrrin tim të ardhshëm, i cili më la përshtypje shumë të mirë. Ndihesha krenare për vajzën time të mbarë. Ditën e dasmës ku fatkeqësisht Emiljano nuk ishte, ndihesha gruaja më e lumtur në botë, gjithsesi. Shumë shpejt mora lajmin e mirë se dënimi për Emiljanon ishte zbutur me dy vjet për sjellje të mirë; tani ai do të qëndronte edhe një vit në burg. Më në fund jeta ime u përmirësua vajza kishte zënë një punë të mirë në një spital privat, gjithashtu edhe bashkëshorti i saj. Djali shpresoj se kishte zënë mend më në fund. Të paktën mua, në bisedat që bëja me të, ashtu më dukej... Kot nuk thonë se Zoti me një dorë të hedh dhe tjetrën të pret.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.