Për shkak të ndotjes, bebet lindin më të vegjël

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Sipas një studimi të kohëve të fundit, gratë shtatzëna, të cilat ekspozohen ndaj ndotjes së ajrit në javët e fundit të shtatzanisë, lindin fëmijë me peshë më të vogël. Në Pekin, gjatë verës së vitit 2008, janë marrë në studim gratë që kanë qenë nga fundi i shtatzanisë së tyre. Në këtë qytet shumë të ndotur, autoritetet kineze kishin bërë gjithçka ishte e mundur për të reduktuar ndotjen e ajrit gjatë Lojërave Olimpike të 2008- ës. Këto masa treguan se gratë që kishin lindur gjatë kësaj periudhe kishin bërë bebe më të rënda se ato që kishin lindur më parë, ose më pas.

Studimi ka analizuar të dhënat e 83 672 lindjeve në kohën e duhur (37-42 javë shtatzani) të nënave që jetonin në katër lagjet e Pekinit. Studiuesit kanë krahasuar peshën e fëmijëve të lindur nga nënat që ishin 8 muajshe shtatzënë gjatë Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike 2008 në kryeqytetin kinez dhe atyre që ishin në të njëjtin stad shtatzanie në vitin 2007 dhe 2009, kur nivelet e ndotjes ishin normalisht më të mëdha. Ata konstatuan se fëmijët e lindur në 2008-ën ishin mesatarisht 23 gramë më shumë se ata të lindur më 2007-ën dhe 2009-ën. Për të reduktuar ndotjen në Pekin gjatë LO, qeveria kineze kishte marrë masa drastike, si reduktimin e qarkullimit të makinave, mbylljen e uzinave, apo pezullimin e projekteve të ndërtimit. Këto masa, që më vonë u zbutën shumë, kishin sjellë një pakësim të dukshëm të pjesëzave të vogla dhe gazrave ndotës në atmosferë gjatë 6-7 javëve të LO. Javët e fundit të shtatzanisë janë një periudhë kyçe për zhvillimin e fetusit, sidomos për sistemin nervor qendror, kardiovaskular dhe atë të muskujve e skeletit.

Rezultatet e këtij studimi, sipas studiuesve, tregojnë se ndotja mund të ketë një ndikim në këtë periudhë të zhvillimit të fetusit. Sipas tyre, është ende i panjohur mekanizmi biologjik që i bën bebet të lindin me peshë më të vogël, nëse nëna është e ekspozuar ndaj ndotjes. Mund të luajnë rol shumë faktorë, si një ndryshim në placentë dhe një pakësim i ushqimeve që merr fetusi, që mund të reduktojë rritjen e tij. Ndërkohë që ndotja në Pekin është veçanërisht e dukshme, metropole të tjerë të mëdhenj përballen me të njëjtin problem të cilësisë së ajrit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.