Më pëlqenin burrat e martuar...

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

I kisha vënë synim vetes ta ndaja nga e shoqja dhe të martohesha unë me të. Kësaj radhe nuk ia lejoja vetes të dështoja, e dëshiroja me çdo kusht këtë burrë për veten time. Ai më hapej për problemet me të shoqen, e cila ishte shumë xheloze, e kontrollonte shumë dhe ankohej gjithnjë. Për pasojë, ata kishin filluar të kishin probleme edhe në krevat. Unë, sigurisht, i jepja këshilla se si të afrohej me të shoqen, pra, bëja vajzën e mirë, të urtë, engjëllin, por qëllimi im ishte ta bëja për vete dhe kaq! Kaloi një vit dhe problemet e Tonit me familjen e tij ishin bërë të padurueshme. Si duket, afrimiteti im me Tonin i kishte dhënë një goditje akoma më të madhe marrëdhënies së tij me gruan. Më vinte keq vetëm për vajzën e tij sepse ishte 5 vjeçe, por në fund të fundit, duhet të mendoja vetëm për veten time. Pas shumë peripecish, ne përfunduam të lidhur. Arritëm deri aty sa ai i kërkoi divorcin gruas së tij, sepse do të martohej me mua. Në atë kohë kalova një periudhë të vështirë nga thashethemet e njerëzve dhe nga sulmet e gruas së tij, por nga ana tjetër ndihesha fitimtare’ kisha fituar Tonin dhe kësaj here po martohesha vërtet me atë që doja. Më gjykuan ashpër kolegët e punës dhe shoqëria ime, kur e mori vesh, u larguan të gjithë. Të gjithë më thonin se ata kishin qenë një çift shumë i lumtur derisa u shfaqa unë. Në atë kohë nuk e besoja, sepse Toni më ankohej gjithnjë për gruan e tij, por kisha harruar që të gjithë burrat kështu bëjnë kur i josh një femër. E shohin çdo gjë gabim te gratë e tyre qoftë edhe vogëlsira që mund të rregullohen fare lehtë. Gjithsesi, në atë kohë, logjikoja fare ndryshe nga sot. Toni u nda dhe u martua me mua. Blemë një shtëpi shumë të bukur dhe jetonim të lumtur.Ato që na mundonin ishin vetëm shikimet e kolegëve tanë. Edhe ish-bashkëshortja e Tonit nuk la gjë pa thënë për ne kudo që shkonte, por unë bëja të pamundurën që Toni të mos e ndjente peshën e këtij divorci. Përveçse punoja gjithë ditën, shkoja përpara në shtëpi që të gatuaja dhe të bëhesha seksi për netët tona të nxehta seksuale. Çdo ditë i dhuroja një emocion të ri edhe atëherë kur nuk e ndjeja që ta bëja një gjë të tillë. E bëja me çdo kusht vetëm e vetëm që ta shikoja Tonin të lumtur dhe ai të mos pendohej kurrë për divorcin. E shikoja shpesh të trishtuar, por e kapja menjëherë situatën dhe bëja të pamunduren që t’i ngrija humorin. Por nuk do të vazhdonte shumë gjatë ky lloj përkushtimi nga ana ime sepse Toni po llastohej shumë nga unë, ndërsa unë kisha filluar të lodhesha me gjithë këtë vëmendje që i kushtoja atij. Ndonjëherë kisha nevojë për shoqërinë time, hapësirat e mia, të pushoja për qejfin tim dhe i lija pas dore ato çfarë bëja për Tonin çdo ditë. Ai kishte filluar të ankohej çdo ditë e më shumë për mua, duke më thënë: “ti ke ndryshuar, nuk je më ajo e para”. E kuptova që kisha bërë shumë gabime, e kisha joshur Tonin duke dalë nga natyra ime e vërtetë, kisha bërë shpesh rolin e burrit si në shtëpi, ashtu edhe në punë, vetëm që ai të ishte rehat dhe i lumtur me mua. Isha shtirur shumë herë vetëm e vetëm që ta bëja të lumtur Tonin, por ja që edhe kjo e ka një kufi; sado të shtiresh, do vijë dita që do jesh vetvetja një moment. Isha lodhur duke bërë gruan perfekte. Ngela shtatzënë dhe shtatzaninë e kisha me probleme. Filluan problemet serioze edhe në lidhje me Tonin. Ai ishte një egoist i tmerrshëm dhe gjithnjë kërkonte nga unë. Arriti deri aty sa më tha se ishte penduar që ishte ndarë nga gruaja e tij e parë dhe se i mungonte vajza e tij, ndërkohë që unë asnjëherë s’e kisha penguar ta takohte të shoqen. As në krevat nuk shkonim më mirë. Kalonin javë të tëra dhe s’bënim marrëdhënie seksuale. Gjithë pasioni që kisha ndezur unë në fillim, tashmë ishte shuar. Ai kishte filluar të vinte vonë nga puna, dilte më shumë me shoqërinë e tij dhe komunikimi ynë po shkonte drejt fundit. Një ditë prej ditësh ndjeva nevojën të takoja shoqërinë time të vjetër. Megjithëse kishin të drejtë të mos më pranonin mes tyre, ata u treguan shumë mikpritës. Ajo ishte një nga ditët e mia më të bukura gjatë gjithë asaj kohe. Atëhere e kuptova se çfarë kisha bërë në të kaluarën time dhe gabimin më të rëndë; martesën me Tonin. Kuptova sa e vetmuar kisha qenë dhe isha. Grindjet me Tonin sa vinin e shtoheshin dhe aty kuptova se, përveç atyre që kishim diskutuar disa herë, mund të ishte në mes një femër tjetër. Këtë e kuptova sepse ai po sillej me mua siç sillej dikur me ish-gruan e tij. Kuptova që ai hapej për problemet e tij me ndonjë shoqe të re. Dhe në fakt, e vërteta doli në shesh. Unë isha në muajin e nëntë të shtatzanisë dhe ditët e lindjes po afronin, por Tonin e ndjeja gjithnjë e më larg meje. Në vend që të ishte i gëzuar që po bëheshim me djalë, ai ishte shumë i nervozuar dhe vraponte te vajza që kishte me ish-gruan e tij. Linda djalin dhe isha nëna më e lumtur në botë, ndërsa Toni më shikonte si i trembur. Kuptova që gjithçka kishte marrë fund. Sado që vazhdonim të jetonim në një shtëpi, ai nuk ishte me mua asgjëkundi. Një ditë i thashë se duhet të flisnim.

- Toni, unë e di që ti ke një tjetër. Je i lirë të vazhdosh jetën tënde nëse ke dëshirë! - i thashë. Ai shqeu sytë nga habia dhe heshti për një copë herë. Pastaj m’u drejtua.

- Më fal Anisa që po ta them, por unë nuk të dashuroj më. Do të kthehem tek ish-gruaja ime. U bënë muaj që dal me të dhe me vajzën time. E dua djalin tonë, por ty nuk të dashuroj më. Erisën e kam dashur gjithnjë, por nuk e di çfarë ndodhi në atë periudhë që u njoha me ty. Dua të kthehem me atë, nuk mund të jetoj më me ty.

Në fakt, e kisha menduar që ishte një femër në mes, por që të ishte ishgruaja e tij, s’e kisha menduar kurrë. Megjithatë, pasi heshta një copë herë, i thashë:

- Je i lirë të shkosh, por të lutem largohu që nga ky moment.

Ai përsëri më pa me habi dhe kjo nga sjellja ime shumë e qetë dhe e vendosur në atë që po i thoja. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Zoti më ndëshkoi në po atë mënyrë që kisha zgjedhur unë dikur për të ndëshkuar një familje. Këto ishin pasojat e gabimeve të mia të kaluara. Unë ndërhyra mes një çifti, arrita t‘i ndaja dhe ia mora burrin tjetrës, ndërsa tani përsëritej historia, por tashmë mbi kurrizin tim. Do ishte një femër sërish që do të më ndante mua, por këtë radhë isha e martuar dhe me një fëmijë. Pra, historia përsëritej, por kësaj radhe isha e bindur që e meritoja këtë ndëshkim, sado që e përjetova përsëri shumë rëndë. Nga ana tjetër kuptova se sa rëndë kisha gabuar dhe që nuk i duhet bërë askujt ajo çfarë nuk do të doje të ta bënin ty. Tashmë e dija ku qëndronin gabimet e mia dhe çfarë duhet të bëja në të ardhmen. Ajo çfarë më ngushëllonte ishte se unë isha një grua e përgatitur nga ana profesionale dhe nuk isha keq nga ana ekonomike të rrisja djalin tim. Tani jetoj vetëm me djalin tim dhe nuk ndihem aspak fatkeqe. Çfarëdo që më ka ndodhur, ka qenë një mësim shumë i mirë për mua. Vërtet bëra një mëkat, ama e pagova sepse dështoi martesa ime dhe humba një shoqëri goxha të mirë. Kam filluar të takohem me ish-miqtë e mi të fakultetit dhe ata që më kanë qenë pranë në të mirë e në të keq. E them me vete gjithnjë, “s’ka si shoqëria” dhe ndihem e lumtur për këtë. Një ditë do të gjej njeriun e duhur me të cilin do të kaloj gjithë jetën time, për këtë jam e sigurtë. Tashmë s’jam vetëm, jam me vogëlushin tim i cili më mbush shpirtërisht.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.