Drejtori më hoqi nga puna, pa më dhënë atë që më takon

Intervista - - PYETJE PËRJIGJE PËR GJITHCKA -

- I nderuar zoti avokat Albani. Jam një qytetar nga Delvina. Deri në vitin 1997 kam qenë punonjës i fabrikës së vajit Delvinë. Atë vit, fabrika u privatizua dhe drejtori i saj u bë pronar me bono privatizimi. Ne punonjësve na dhanë nga një bono me vlerë 7500 lekë, të cilat i paguam dhe na dhanë një fletë aksioni me vlerën përkatëse. Drejtor- pronari na hoqi nga puna dhe që prej 18 vjetësh, nuk kemi përfituar asgjë nga kontributi si aksionerë. Pyetja është: A na takon gjë neve nga aktiviteti i fabrikës, nga fitimet e saj, qoftë edhe 1 % dhe ku ta zgjidhim këtë problem? Mendoj se na takon diçka nga fitimet vjetore ose pronari të na kthejë në lekë vlerën që kemi paguar, të konvertuar me kursin e ri, në bazë të inflamacionit dhe ngritjes së çmimeve. Pres një përgjigje nga ju. Me respekt, Xhezairi, Delvinë.

- I nderuar zoti Xhezair, ju falënderoj shumë që keni kontaktuar me rubrikën “Ju pyesni, avokati përgjigjet”.

- Përsa i përket problemit tuaj, ju jepni një informacion shumë të thatë dhe unë nuk jam shumë i qartë. Me sa kuptova nga ajo çfarë paraqisni, ju e keni marrë shpërblimin tuaj lidhur me pjesën që keni zotëruar në fabrikë. Pra, pjesët që keni zotëruar në këtë fabrikë i keni shitur, pasi për këtë ju keni marrë bono.

- Duhet parë i gjithë dokumentacioni dhe praktika e ish- drejtorit tuaj, si ka vepruar për të privatizuar fabrikën. Në rast se ju keni hequr dorë nga privatizimi i kësaj prone, atëherë nuk ju lind e drejta për të përfituar nga fitimi i kësaj fabrike. Për të përfituar nga kjo pronë, ju duhet të ishit bashkëpronar ose aksioner në veprimtarinë e saj, pra, të shoqërisë tregtare. Format e shoqërive tregtare me ortak ose aksioner janë SHPK dhe SHA.

- Edhe nëse ju mund të ishit bashkëpronar i pronës, nuk jeni i shoqërisë që ka aktivitetin e kësaj fabrike, pra, ju nuk mund të përfitoni nga aktiviteti i saj tregtar. Ajo çfarë mund të përfitoni, është qiraja e përdorimit të godinës nga shoqëria, e cila e ka shfrytëzuar këtë fabrikë. Këtë përfitim monetar, e merrni gjithmonë nëse ju nuk keni hequr dorë nga privatizimi.

- Përsa i përket dividentit ( fitimeve) të shoqërisë tregtare, ju do të përfitoni vetëm nëse ju do të ishit aksioner, në rast se kjo fabrikë është SHA ose do të përfitonit kuota, në rast se ju do të ishit ortak ( në rast se kjo fabrikë është SHPK). Megjithatë, unë ju ftoj të më nisni të gjithë dokumentacionin që dispononi në adresën e emailit info@ durajlavv. com në mënyrë që t’ju jap një përgjigje sa më të detajuar dhe profesionale.

Bulevardi “Bajram Curri”, Pll. “Aviacioni i Ri”, K. 1, Zyra no. 4. Tiranë

044532512; www.durajlaw.com

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.