Kam çrregullime metabolizmi. Si të veproj?

Intervista - - PYETJE PËRJIGJE PËR GJITHCKA -

- Kam një pyetje për instruktorin. Sado që bëj ushtrime, unë përsëri shëndoshem. Kam pak probleme me metabolizmin dhe nuk di si të veproj, që ta përshpejtoj. Ju, çfarë më këshilloni? Më tregoni ndonjë regjim ushqimor sepse po më ikën mendja.

Mario instruktor: - Së pari, do t’ju kërkoja të qetësoheni, sepse nuk zgjidhni asgjë nëse e mbani mendjen te pesha juaj. Në momentin që do të qetësoheni, edhe trupi do të punojë më mirë, edhe metabolizmi do të rregullohet. Një nga faktorët që ndikon në çrregullimin e metabolizmit është stresi. Së dyti, do t’ju këshilloja të mos hiqni dorë nga stërvitja, sepse rezultatet shikohen 2 muaj e tutje pasi jeni ushtruar intensivisht. Ndërsa përsa i përket rregullimit të metabolizmit, do t’ju sugjeroj disa truke të lehta që do t’ju ndihmojnë ta përshpejtoni atë.

- Sa të zgjoheni në mëngjes, pini dy gota ujë. Mirë do ishte të hidhni pak lëng ose një fetë limoni në të. Uji i ftohtë do t’i detyrojë organet e brendshme të heqin ujin në muskujt periferikë, gjë që përmirëson qarkullimin e gjakut. Uji është më i rëndësishmi për funksionimin e trupit të njeriut dhe shumë njerëz janë të dehidratuar në njëfarë mase për çdo ditë. Nëse gjatë vitit e bëni zakon të pini ujë në mëngjes, ju do të humbni 2.5 kg.

- Kur të bëni dush, tani që është ngrohur koha, alternoni ujin e nxehtë me të ftohtin dhe anasjelltas. Filloni një dush me ujë të nxehtë prej 2-3 minutash, pastaj bëni dush me ujë të ftohtë për 30 deri në 45 sekonda. Kjo ndikon në relaksimin e enëve të gjakut kur uji është i nxehtë dhe tkurrjen e tyre, kur uji është i ftohtë. Pas këtij dushi, ju do të ndjeni qarkullimin më të shpejtë të gjakut.

- Duhet të flini gjumë mjaftueshëm, sepse në mungesë të tij, do të keni çrregullim total të metabolizmit. Mesatarja që duhet të flini është nga 7 gjer në 8 orë ose 9, maksimumi. Një gjumë i rehatshëm ndikon në rregullimin e metabolizmit.

- Vaktin e fundit duhet ta konsumoni maksimumi në orën 7 të darkës. Nëse hani pas kësaj ore, do të keni tendencën të vini dhjamë. Mos harroni t’u hidhni ushqimeve tuaja pak piper ose spec djegës, pra, t’i bëni pak pikante, gjithmonë nëse nuk keni probleme me stomakun. Specat djegës shërbejnë për të reduktuar obezitetin, për shkak se nxisin shpenzimin e energjive dhe oksidimin e yndyrës. Speci djegës përmirëson tretjen e qarkullimin e gjakut. Përveç kësaj, përmban një nivel të lartë të vitaminës C, A dhe mineraleve esenciale. Sigurisht, merrini në sasi të vogël, ndryshe do të keni probleme me stomakun. Mundësisht, ushqimet gatuajini me vaj ulliri apo përdorni herë pas here edhe vaj kokosi. Vaji i kokosit përmban shumë acide që treten lehtë dhe thithen me shpejtësi, që do të thotë se konvertohen shpejt në energji, në vend që të depozitohen si shtresa yndyrore. Gjithashtu, ushqimet e pasura me fibra janë të mira për shkak se marrin shumë energji për tretje, që do të thotë se do të shpenzoni më shumë kalori.

- Pini 2-3 gota çaj jeshil në ditë. Studimet tregojnë se çaji jeshil ndikon shumë në përshpejtimin e metabolizmit dhe shkrirjen e kilogramëve të tepërt. Edhe përdorimi i kosit është një burim i shkëlqyer për përshpejtimin e metabolizmit, kështu që mos e kurseni përdorimin e tij në ndonjë vakt të ditës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.