E torturova gruan për një xhelozi idiote

Intervista - - FAQE 1 - (Vijon numrin e ardhshëm)

E nderuar redaksi e gazetës “Intervista”! Së pari, dua t’ju përgëzoj që jeni kaq pranë problemeve dhe halleve të këtij populli kaq të vuajtur. Meqenëse kasta politike nuk na përgjigjet për asgjë këto shtatëdhjetë vitet e fundit, të paktën keni mirësinë ju të na ndihmoni. Kam parë që shumica e lexuesve të gazetës suaj shprehin brengat e hallet e tyre. Në fakt, unë dua të ndaj me ju një mëkat që kam bërë në vitet e para të martesës, në kurriz të bashkëshortes sime.

Kam lindur në një qytet të vogël verior, por qytet i bukur dhe i qetë. Ne ishim katër vëllezër dhe unë isha më i vogli. Prindërit e mi kanë qenë njerëz të qetë. Babai im ishte kapter, ndërsa nëna ime ka punuar në një ndërmarrje shtetërore. Nëna ime ka qenë dhe është një grua e jashtëzakonshme. Megjithëse ne kemi qenë katër djem, kemi qenë fëmijët më të pastër si në shkollë, dhe në lagje. Në shtëpi s’kishim orendi apo mobilje të shtrenjta të asaj kohe, por ato që kishim, kanë qenë gjithmonë shumë të pastra e të rregullta.

Ne të katër fëmijët lindëm në këtë qytet që shumicën e banorëve i kishte muslimanë. Nuk po e përcaktoj besimin fetar të banorëve të nderuar të këtij qyteti për t’i fyer ata, por ne ishim katolikë. Ne kemi jetuar dhe vazhdojmë të jetojmë në këtë qytet pa patur as më të voglin problem për faktin që ne nuk jemi vendalinj. Kjo nuk ka qenë asnjëherë problem për ne. Dy nga vëllezërit e mi i kanë gratë e tyre po nga ky qytet dhe i përkasin besimit mysliman (me gjithë dëshirën e fshehtë të prindërve tanë për të patur nuse katolike).

Prindërit e mi sigurisht që kishin shoqëritë e tyre në punë e në lagje, por miqtë e shokët më të mirë që ata kanë patur ishin nga i njëjti fshat prej nga ne kishim ardhur. Ishin dy familje katolike me të cilat ne kishim marrëdhënie shumë më të ngushta. Njëri ishte bashkëpatriot i babait tim dhe punonte oficer, ndërsa bashkëpatrioti i nënës sime, punonte magazinier. Me fëmijët e tyre ne kishim shumë diferencë në moshë dhe nuk shoqëroheshim shumë.

Unë, si djali më i vogël i familjes sime isha pak i llastuar, merresha me futboll. Isha i gjatë dhe trup i bukur, sytë i kam si im atë, bojëqielli. Me pak fjalë, jo për t’u lavdëruar, por në rininë time kam qenë djalë i bukur. Kur unë po mbaroja shkollën e mesme, sytë më mbetën te një vajzë shumë më e vogël se unë. Diferenca mes nesh ishte njëmbëdhjetë vjet. Përpiqesha t’i thërrisja mendjes time e të mendoja se ajo ishte shumë e vogël e pavarësisht se shumë e bukur, nuk i dihej si do të bëhej derisa të rritej, por prapë nuk mund ta hiqja mendjen prej saj. I bëra llogaritë shumë gjatë për të se si mund të sh- konte puna. Ajo ishte vajza e njërit prej miqve më të mirë të familjes sime. Babai i saj i thoshte mamasë sime “motër” kur vinte për vizitë në shtëpinë tonë apo kur nëna shkonte tek ata.

Kështu, vitet ecnin, shkova ushtar dhe erdha punova disa vite si mësues fizkulture në një shkollë fshati. E bukura, e vogla ime po rritej po aq e hijshme dhe e bukur sa ç’e mbaja mend. Kur shiheshim në rrugë, përshëndeteshim e flisnim si të ishim kushërinj. Nuk dija si mund t’i flisja apo ç’mund t’i thoja, si t’i jepja një shenjë për llojin e marrëdhënies që unë kërkoja me të, por ndërkohë që unë mendohesha se si t’ia thoja, ajo u dashurua me një djalë tjetër, sigurisht, më i ri se unë. U tërbova jo vetëm për faktin se kisha vite që e adhuroja në ëndrrat e mia, por edhe djali me të cilin ishte lidhur ajo, nuk më pëlqente. Nuk ishte djalë i mirë dhe aq më tepër, më dukej sikur nuk kishte asgjë serioze në sjelljen e tij. Ndodhi ajo që kisha menduar, lidhja e saj me tjetrin zgjati afërsisht tre vjet. Ata u ndanë dhe e shihja vajzën të cilën e kisha adhuruar, të më tretej ndër sy. Mendoj se nuk ishte vetëm dhimbja e ndarjes që e zvogëloi në atë mënyrë, por edhe ajo e mendonte që në atë qytet ku ne jetonim, llafet do turbullonin e jetën e saj.

Durova edhe një vit pas ndarjes së saj, me frikë në zemër se mos ata ktheheshin sërish bashkë, por nuk ndodhi. Ish-i dashuri i saj u fejua me një vajzë nga një fshat dhe atëherë e kuptova që kishte ardhur dita ime. E takova të bukurën time ndërsa po shkonte në spital (klinikat dentare vazhdonin të ishin po ato që kishin qenë në kohën e monizmit), për të mjekuar një dhëmballë.

E pashë ashtu të trullosur nga dhimbja dhe i thashë se do ta shoqëroja që të mos e lija vetëm. Faqja e majtë i ishte enjtur dhe dukej që kishte dhimbje të tmerrshme, por nuk e dëgjova të nxirrte zë. Kjo tregonte që nuk ishte qaramane, por e fortë dhe me karakter, pavarësisht se një maskara ishte tallur me ndjenjat e saj prej adoleshenteje. Besoj se një pjesë e fajit ishte i imi. Nëse do të isha treguar pak më i shkathët, do të isha lidhur vetë me të dhe nuk do të kisha lënë askënd t’i afrohej. Nejse.

Pasi mbaruam te dentisti, i thashë që do ta shoqëroja në të gjitha ditët që do të vinte për të mjekuar dhëmballën dhe përfitova që ditën e parë për t’i thënë se, edhe pse e enjtur, vazhdonte të dukej po aq bukur sa ç’e mbaja mend qysh fëmijë. Kështu, edhe tri ditë të tjera, ndërsa shkonte te dentisti, unë arrita ta shprehja simpatinë time. Më në fund, arrita t’i thoja edhe që e dashuroja.

- Të lutem, do të më tregosh deri ku ka shkuar lidhja jote me X? – arrita ta pyesja atë ditë.

Ndërsa ajo skuqej e më dukej sikur po merrte flakë, më tha...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.