Rovena Ibrahimi: Do t’i martoj të gjithë beqarët!

Intervista - - MUZIKE -

Arlis Alikaj: - Rovena, më në fund, ua gjete ilaçin edhe beqarëve në këngën tënde të re “Ilaçi i beqarit”...

Rovena Ibrahimi: - Në fakt, unë jam munduar ta bëj këtë qëkur këndova “Kush do që të marrë grua”. (Qesh) Nga atje e deri tek “Ilaçi i beqarit”, do t’i martoj të gjithë sepse të gjithë beqarët e kanë nga një ilaç. Vetëm duhet ta gjejnë.

- “Për gjumin që të ka dalë, bëj durim e pritë o djalë, pritëm pritëm”, thua ti... E sa duhet të presë ky i shkreti?

- Të presë sa të dalë dita, si fillim… (Qesh)

- “E mira vjen ngadalë”... edhe në jetën reale të Rovenës?

- E mira vjen gjithmonë ngadalë, në jetën e secilit prej nesh… Unë, në përgjithësi, mundohem shumë për gjërat që bëj në jetën time, ndaj mendoj se edhe tek unë, e mira vjen ngadalë. Ama, as unë vetë nuk nxitoj.

- Në fund, ilaçi i beqarit i bën derman djalit?

- Po, përderisa vendos të vishet dhëndërr, them se po.

- Në pak ditë, kënga ka arritur mijëra klikime dhe shumë shpërndarje. Duket se ke goditur në shenjë me këtë video...

- Ju falënderoj për vëmendjen e kushtuar, por di të them me bindje që kemi punuar shumë, ndaj falenderimet shkojnë për autorin e tekstit Nexhip Seraj, kompozitorin Adrian Hila, si dhe produksionin Max, për realizimin e videoklipit. Asgjë nuk arrihet vetëm.

- Rovena, çfarë ka ndodhur në jetën tënde që nga intervista e fundit që kemi bërë së bashku?

- Sapo kam lançuar këngën time më të re (buzëqesh), e cila realisht më ka marrë shumë kohë. Pastaj, koncerte brenda e jashtë vendit, si dhe puna e përditshme në teatrin “Petro Marko”. Të tjera të reja nuk ka pasur.

- Shumë e kërkuar je... Para disa muajsh ishe në Australi, këtë muaj do të jesh me emigrantët shqiptarë në Itali... Çfarë të bën kaq të pëlqyer?

- Unë mendoj se duhet t’i pyesim ata për këtë gjë, po di të them se unë vetë ndihem shumë mirë mes shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut dhe them se këngët popullore janë pjesë e pandashme e jona. Kjo mund të jetë një arsye.

- Cili nga shtetet ku ke udhëtuar nëpër koncerte, të ka mbetur më shumë në mendje dhe pse?

- Në çdo shtet që ne shkojmë, gjejmë një Shqipëri të vogël, por nuk do t’i heq asnjëherë nga mendja koncertet me shqiptarët e Australisë. Atje larg, ata njerëz kanë ruajtur vlerat edhe traditat tona më të mira. Mikpritja e tyre pastaj, nuk lë më vend për koment.

- Rovena, je e hapur për bashkëpunime me këngëtarët e rinj, edhe duke i ndihmuar për të bërë përpara apo je skeptike për efektin që do të kishin këto bashkëpunime në imazhin tënd?

- Unë, kur bëhet fjalë për imazhin tim, jam skeptike dhe mendoj se është normale nëse do të ruash figurën tënde të krijuar me shumë kujdes, por nuk do ta refuzoja kurrë një bashkëpunim me një këngëtar të ri vetëm sepse nuk ka famë. Ama, niveli profesional duhet ta justifikojë bashkëpunimin me çdo kusht...

- A ndikon personi zemrës në muzikën tënde?

- Personi i zemres është frymëzim për mua. Patjetër, madje jam me fat që ai ndikon tek unë.

- Rovena, vera është përpara... Ke gjetur pak kohë për pushime këtë vit, midis dasmave të shumta ku do të këndosh?

- Gjatë verës për ne, pushimi është luks, por fatmirësisht, jetoj në Vlorë… (Buzëqesh)

- Në Vlorë i bën gjithmonë pushimet?

- Në fakt, mes datave të koncerteve jashtë Shqiperisë pothuaj gjithmonë përfitoj të bëj edhe pak ditë pushimi jashtë Vlore.

- Si po shkon puna në teatrin “Petro Marko” të Vlorës? Çfarë pjese ke luajtur kohët e fundit?

- Mes kolegësh të mrekullueshëm gjithçka shkon mirë. Së fundi kemi filluar shfaqjen e varietesë më të re me regji të Afrim Agalliut ku natyrisht, nuk mungon as “Ilaçi i beqarit”. Falënderoj publikun vlonjat që nuk mungon në shfaqjet e trupës së varietesë.

- Rovena, e mendon ndonjëherë t’i rrish larg punës për disa kohë?

- Unë nuk marr frymë larg punës e jo më të rri për disa kohë pa të. Muzika është jeta ime!

- Në përgjithësi, i menaxhon vetë apo dikush tjetër aktivitetet e tua?

- Unë vetë menaxhoj gjithçka, ndonëse kjo është shumë e lodhshme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.