Japonia po ndërton një qytet ekologjik

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Japonia po bën investime për një ardhme më të mirë për mjedisin. Rrugën po e hap gjigandi elektronik, Panasonik, i cili po krijon “qytetin inteligjent”, të quajtur Fuxhisava. Qyteti ekologjik ka filluar t’i hapë dyert e veta në fund të vitit që shkoi dhe, që nga ajo kohë, shtëpitë janë zënë me banorë që duan të japin ndihmën e tyre për ekologjinë. Çmimi i ndërtimit të këtij qyteti është afro 450 milionë euro. Qyteti do të ketë 1000 shtëpi, të cilat do të funksionojnë me energji diellore, ndërkohë që, për të lëvizur, banorët do të përdorin biçikleta dhe makina elektrike. Përveçse ekologjik, qyteti është projektuar me kujdes që të jetë edhe i mbrojtur nga fatkeqësitë natyrore.

Panasoniku e ka ndërtuar infrastrukturën e Fuxhisavës në funksion të banorëve të tij, me një planifikim të kujdeshëm për vendet e ndërtimit dhe zonat e zbavitjes. Në qendër të tij, projekti është përqendruar në pesë drejtime kyç: Energjia, Siguria, Lëvizshmëria, Kujdesi për shëndetin dhe Jeta në komunitet. Shtëpitë janë të pajisura me panele fotovoltaike (diellore), që duhet të jenë të afta të shfrytëzojnë energjinë diellore për të prodhuar 30% të nevojave të qytetit me energji. Është gjithashtu një qytet i vërtetë, me një shoqëri menaxhimi të qytetit, të krijuar për t’i lejuar qytetarët e tij të vendosin për të ardhmen e tyre. E ardhmja mund të jetë shumë ekologjike, falë një sistemi inteligjent të menaxhimit të energjisë, që fuqizohet nga bateri litiumi, të cilat e ruajnë energjinë deri në momentin kur t’u nevojitet banorëve të shtëpisë.

Edhe zhvendosja në këtë qytet të ri është një çelës për zhvillimin e tij, me makinat elektrike dhe biçikletat, të cilat u jepen me qira banorëve kur kanë nevojë për to. Panasoniku ka zhvilluar një sistem efikas për të shkuar nga pika A në atë B, i cili bën që qarkullimi të jetë pa probleme dhe të evitohen bllokimet e trafikut. Ai ka marrë rolin e liderit në këtë drejtim, por kjo nuk është nisma e vetme në botë. Afro një dyzinë qytetesh britanike po përpiqen të kthehen në qendra me makina që lëshojnë pak gazra në atmosferë. Sipas një skeme të caktuar, do të shpërblehen qytetet që do të tregojnë më shumë potencial në të qenit shembull për përdorimin e makinave elektrike.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.