E torturova gruan për një xhelozi idiote

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

Më në fund, arrita t’i thoja edhe që e dashuroja.

- Të lutem, do të më tregosh deri ku ka shkuar lidhja jote me X? – arrita ta pyesja atë ditë.

Ndërsa ajo skuqej e më dukej sikur po merrte flakë, më tha: - Deri në fund. Nuk ka mbetur asgjë nga unë, - dhe pashë lotët e saj. - Janë lot turpi, jo dhimbjeje, - më tha kaq prerë sa e kuptova që tashmë ndjenja e saj ishte kthyer në urrejtje, nuk është se e donte më atë.

- Atëherë, së pari dua të më përgjigjesh, nëse edhe unë të pëlqej ty dhe më pas do vazhdojmë.

- Nuk di ç’të them... Unë deri më sot të kam parë si kushëri, nuk di të them në të dua apo jo. Gjëja që mund të them për momentin është se je me të vërtetë djali më i pashëm i qytetit, por më tej, nuk di të vazhdoj.

- Atëherë, do të kesh kohë të mendohesh, por jo shumë, - thashë dhe e shoqërova deri afër pallatit të saj. – Do të të marr në telefon te komshija jote javën që vjen, me sebepin për të të pyetur për dhëmballën. Pastaj dalim, flasim dhe më shiko me tjetër sy, jo si kushëri.

Dhe kështu ne u takuam edhe disa herë të tjera gjoja si kushërinj, por në fakt muhabe- tet tona ishin të tjera. Më në fund, unë e mora edhe përgjigjen që prisja.

- Atëherë, meqenëse të pëlqen ta kalosh jetën me djalin më të pashëm të qytetit, ne duhet të bëjmë një pakt me njëritjetrin. - Ndërsa i thashë këto fjalë ajo po më shihte gjithë kureshtje për vijimin. - Dua që ti në mënyrën më absolute të mos ia hedhësh më as sytë atij ish-it tënd. Edhe nëse ai do të jetë në rrugë, ti do të shmangësh rrugën apo do të kthehesh mbrapsht. Nuk dua as ta shohësh, as të të shohë më.

- Dakord, do të përpiqem të jem e kujdesshme, por të jesh i sigurt se nuk ndjej asgjë për të, përveçse neveri. Gjithsesi, përderisa jam unë fajtorja, do të zbatoj rregullat tua. - Më dhembi ajo përgjigje, por isha xheloz, isha i mërzitur me veten pse e kisha lënë të lidhej me të.

U thashë prindërve të cilët në fillim u habitën për këtë lidhje, por u lumturuan sepse familjet tona njiheshin prej kohësh dhe respekti ishte reciprok. Shumë shpejt ne u fejuam dhe qëndruam të fejuar për një vit e gjysëm. Isha i lumtur me të fejuarën time sepse ishte me të vërtetë vajzë për së mbari, por thellëthellë më brente xhelozia për lidhjen e parë të saj. Dasmën e bëmë në korrik dhe nusja ime ishte gjëja më e bukur që të zinin sytë. Nuk e them këtë vetëm sepse isha i dashuruar me të, por me të vërtetë që gruaja ime është e bukur edhe sot e kësaj dite.

Shkuam në plazh menjëherë pas dasmës dhe unë, vetëm puthja e përqafoja gruan time. Më dukej sikur nuk do të ngopesha me të. Pushimet mbaruan dhe ne duhet të ktheheshim në qytetin tonë të vogël. Kishim vetëm tre ditë që ishim kthyer, për mua kishte qenë dita e parë punës e kur po kthehesha në shtëpi, pashë gruan time që kishte dalë të blinte bukë. Isha goxha larg dhe ajo nuk më dalloi. Ajo eci përpara dhe ndërsa vazhdoja rrugën, mbas saj pashë ish-in e saj në anën tjetër të rrugës që edhe foli, edhe qeshi me shokun e tij kur kaloi gruaja ime. Ajo nuk e ktheu kokën, por mua sikur m’u fundos zemra. Falë Zotit e mbajta veten për të mos shkuar e të rrihesha me ish-të dashurin e gruas, por kur arrita në shtëpi, gjithë nervin tim ia zbraza asaj. E thirra në dhomë sapo hyra, me sebepin që nuk po gjeja bluzën e shtëpisë. Ndërsa i shtrëngoja me gjithë forcën time me njërën dorë nofullën e me tjetrën krahun, i flisja ndër dhëmbë për paktin tonë.

- Përse nuk ndërrove rrugë? Ç’të tha? Kur ta la takimin? - i thoja...

- Të betohem që nuk kam dëgjuar asgjë. E pashë shumë vonë dhe nuk kisha ku të dredhoja rrugë që të kaloja nga mbrapa pallatit, - më thoshte dhe dridhej. E lëshova dhe i thashë me fytyrën time mbi të sajën:

- Do të pendohesh për këtë të sotshmen, - dhe dola në kuzhinë.

Ajo erdhi e më shtroi tavolinën për të ngrënë drekë, bëri kafetë për prindërit e mi dhe vazhdoi të bënte punët si gjithmonë, por unë që po e shihja me kujdes, e dalloja si dridhej. Erdhi koha të binim në krevat e gruaja ime u përpoq të më bindte se nuk kishte dëgjuar apo folur me të, por xhelozia m’i kishte errur sytë.

Nuk i flisja fare në dhomë, nuk e prekja më me dorë, që të bënim dashuri nuk bëhej fjalë dhe gjendja ime sa vinte e rëndohej. Gruaja ime filloi të mos dilte më fare, as për të derdhur mbeturinat nuk dilte më. Edhe kur ndente rrobat, i thoshte mamasë sime se gjoja kishte frikë të dilte në ballkon natën vetëm dhe merrte atë me vete. E kuptoja që e bënte të gjithën për të më bindur që nuk po më tradhtonte, u përpoq disa herë të më fliste apo të më prekte, por unë isha kthyer në një copë akulli. I përgjigjesha vetëm kur më thoshte se donte të shkonte te prindërit e saj.

Edhe pasi e çoja atje, ajo nuk dilte, as në dritare, as në rrugë. Në shtëpi përpiqej të bënte muhabet e të sillej normalisht me prindërit dhe me vëllezërit e mi. Përpiqej të mos e jepte veten, lexonte libra të ndryshëm që ia kërkonte babait tim t’i merrte në bibliotekën e qytetit apo nëpër shoqëri. Kjo mënyrë jetese e jona që ishim të martuar, por vetëm burrë e grua nuk ishim, vazhdoi për një vit. Gjatë këtij viti, të vetmet raste kur i flisja, ishte në kuzhinë ku ishin edhe prindërit e mi apo persona të tjerë edhe unë isha i detyruar të mos bija në sy, për të mos treguar se ku ishte katandisur martesa jonë. Kaloi vjeshta, dimri e pranvera dhe ne ishim kthyer në dy të huaj. Na erdhi një ftesë për një dasëm, një kushëri nga njerëzit e babait.

Sigurisht që do të shkonin prindërit e mi, por unë duhet t’i shoqëroja me makinë dhe e kishim vendosur që do t’i çoja unë. Isha i sigurt që gruaja ime nuk do të dilte as në dritare, edhe pse do të rrinte vetëm në shtëpi.

Ndërsa po vishesha për t’u nisur për në dasmë, pashë në dollap një napë të mbledhur çuditshëm. Më bëri përshtypje sepse gruaja ime, duke qenë gjithë ditën në shtëpi, nuk linte asgjë rrëmujë. E hapa me zemrën copë nga xhelozia sikur do të gjeja ndonjë dokument. Nuk e di si nuk vdiqa kur pashë rreth njëzet aspirina të mbledhura në napë. E kuptova që i kishte mbledhur pa rënë në sy me të vetmin qëllim, që t’i jepte fund jetës. E thirra në dhomë dhe e pyeta: - Çfarë janë këto? - Aspirina, nuk i shikon? - më tha me një ftohtësi që më përshkoi deri në palcë.

- Po për çfarë të duhen? Pse nuk janë në sirtarin e ilaçeve?

- Meqenëse burri im nuk më do dhe te prindërit e mi nuk kthehem dot, më duhet të gjej një vend ku të rri pa bezdisur askënd dhe kjo është mënyra e vetme që të laj hesapet me këtë botë.

- Vishu do vish me ne, - i thashë me një zë që nuk e di si më doli fatmirësisht si urdhër.

Pas asaj dasme, kur u kthyem në shtëpi vonë në darkë, e prita gruan time në këmbë para krevatit. E përqafova dhe e putha, bëra dashuri me të për të zëvendësuar mungesë timen për një vit rresht, si për t’i kërkuar falje për çfarë kisha bërë e si isha sjellë. U bëmë edhe me fëmijë.

Sot jam dyzet e tetë vjeç edhe pas 18 vitesh martesë, vazhdoj ta dua gruan time siç e kam dashur kur ajo ishte fëmijë. Më në fund, arrita të kuptoja se kam një grua të mrekullueshme. F.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.