E prisha martesën për hir të mamit

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam Ina. E di që historia ime do t’ju duket si një marrëzi, por për mua ishte dhe është vendimi më i mirë që mund të marrë një femër për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e familjes. Çfarë na dallon ne njerëzve nga kafsha? Pikërisht kjo që ju thashë më sipër. Për të qenë njerëz me plot kuptimin e fjalës, duhet të udhëhiqemi nga disa rregulla që na bëjnë të ndihemi të tillë. Më duket sikur u zgjata shumë me këto filozofitë e mia, por ç’të bësh, kështu jam gatuar unë.

Isha vetëm dhjetë vjeçe kur im atë na la. Ai ishte i sëmurë nga një sëmundje që i mori jetën, por nuk është historia e tim eti që dua t’ju tregoj. Dua t’ju tregoj për mënyrën se si më rriti mamaja ime mbas vdekjes së babait. Ajo sakrifikoi jetën e saj për të më rritur mua me gjithë të mirat e duke mos më munguar asnjë gjë, përkundrazi, gjithmonë kam qenë më e kompletuar nga shoqet e mia. Mbas hallit që na ra në familjen tonë, mami filloi punë si edukatore kopshti dhe vendosi të mos martohej më, edhe pse ishte shumë e re. Ajo nuk kishte më sy për asnjeri tjetër, vetëm për mua. Aty në lagjen tonë, mami kishte një shoqe shumë të ngushtë dhe me të qante hallet. Ajo kishte dy djem, i madhi ishte dhjetë vjet më i madh se unë, ndërsa i vogli, ishte në moshë me mua. Mbasi mbarova shkollën, Vali, shoqja e mamit, kishte diskutuar me mamanë time që unë me djalin e saj të madh të fejoheshim. Në atë kohë unë nuk e njihja atë djalë, sepse ai më shumë rrinte në Itali dhe rrallë i kishte rënë puna që të vinte në familjen e tij në Shqipëri. Besoj edhe ju e kuptoni se si bëhen këto punë… Mami nuk ishte në gjendje ekonomike që të më ndiqte mua me shkollë të lartë dhe më propozoi që të fejohesha me djalin e shoqes së saj më të ngushtë. E si mund t’ia ktheja unë fjalën mamit?! Ajo kishte sakrifikuar jetën për mua dhe për më tepër, ajo këmbëngulte se ai djalë ishte shumë i mirë dhe se unë nuk do të hiqja keq kurrë në jetën time. Vendosa ta takoja. Ai erdhi për të festuar festat e fundvitit dhe ne, për herë të parë, u takuam në një lokal, ku ishte e pranishme edhe mamaja e Benit. Ajo ndenji pak momente dhe na la vetëm. Beni më krijoi përshtypjen e një djali shumë të mirë e të sjellshëm dhe me thënë të drejtën, unë iu binda dëshirës që pati nëna ime për të na lidhur të dyve. Ajo më thoshte gjithmonë: “Ai është djalë shumë i mirë sepse unë e kam rritur vetë”. Kuptohet, unë atëherë nuk kisha lindur akoma.

Mbas dy vitesh, unë u martova me Benin dhe gati tre vjet i kalova në familjen e tij sepse nuk më dilnin dokumentet për në Itali. Ditën që u largova për në Itali, nuk e keni idenë se si jam ndarë me nënën time. Të dyja qëndronim të përqafuara dhe vetëm qanim. Ajo i lutej Benit: “Të lutem, kujdesu për vajzën time, ajo është gjëja më e shtrenjtë që kam!” e ndërsa fliste, lotët i rridhnin në faqe. Atë ditë i bëra një premtim vetes, që kurrë nuk do të lejoja njeri të ma lëndonte nënën time. Madje, në ato momente, mallkoja edhe veten time që e lashë mamanë aq të vetmuar dhe u largova jashtë Shqipërisë. Megjithatë, më ngushëllonte fakti se burrë të jetës zgjodha njeriun që edhe nëna ime e kishte për zemër dhe unë besoja se do t’ia kaloja shumë mirë me të. Por në fakt, nuk ndodhi kështu.

Njeriu, në pamjen e jashtme, të gënjen gjithmonë; po nuk jetove me të, nuk arrin ta njohësh. Kështu ndodhi me mua dhe Benin. Ne, në fejesë, ndenjëm shumë pak bashkë, për të mos thënë fare, përveç disa ditëve që ai vinte për festat e fundvitit. Me mbërritjen time në Itali, gjërat si fillim po shkonin mirë. Beni punonte në ndërtim, kurse unë rrija në shtëpi sepse nuk më linte Beni të punoja. Në atë fillim e ndjeja shumë mungesën e nënës dhe Benit i kërkoja që të më blinte karta për telefonin, pasi atëherë kjo ishte e vetmja mënyrë që të komunikoja me nënën time. Në Itali ishin shumë shtrenjtë minutat me Shqipërinë, po ç’të bëja? Nuk kisha rrugë tjetër për t’i dëgjuar zërin nënës. Mbas disa muajsh, Beni mbeti pa punë, pasi firma ku ai punonte falimentoi dhe kjo gjë ndikoi shumë në lidhjen tonë. Me kalimin e ditëve, ai bëhej gjithnjë e më nervoz. Unë i lutesha që të ktheheshim në Shqipëri, por ai nuk donte. Në atë kohë, telefonatat me mamanë filluan të rralloheshin gjithnjë e më shumë, për shkak të mungesës së lekëve, por kjo gjë më nervozonte, sepse asnjëherë nuk isha ndarë nga nëna ime dhe aq më tepër që më duhej të qëndroja për kohë të gjatë pa folur me të. Një ditë i thashë Benit:

- Nuk po duroj dot më, dua të flas me nënën time. U bë gati një muaj që nuk komunikoj me të...

Ai ma priti shkurt: - Le të të marrë ajo në telefon, nuk e shikon që jemi pa punë?

Ai nuk më kishte folur asnjëherë me atë gjuhë dhe u mërzita shumë. U mbylla në dhomën time dhe vetëm qaja. Sa i vetmuar ndjehet njeriu në dheun e huaj, ku nuk ka asnjë njeri me të cilin të qajë hallin! Fjalët e Benit më vranë shumë. Në komodinë kisha një byzylyk floriri që ma kishte dhuruar tezja për fejesë. E mora dhe i thashë Benit ta shiste e lekët të m’i blinte karta. E kuptova që kjo gjë nuk i pëlqeu, por nuk kishte çfarë të bënte.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.