Djali im ka lindur pa tiroide

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Përshëndetje Doktor Dashamiri! Kam një djalë 2 vjeç i cili ka lindur pa gjendrra tiroide. Dua të di, a do të ketë ai një jetë normale kur të rritet? A do të ketë probleme me riprodhimin seksual? Jam në pritje të përgjigjes suaj. Faleminderit.

Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: - E nderuar zonjë! E lexova me kujdes shqetësimin tuaj. Edhe pse nuk jepni detaje klinike, laboratorike apo imazherike, në këtë rast është e lehtë nga ana ime të kuptoj diagnozën dhe mbi të gjitha, shqetësimin tuaj si prind. Sëmundja që manifeston fëmija juaj, në terminologjinë mjekësore njihet si hipotiro idizëm congenital ose mungesë e lindur e gjendrrës tiroide. Si rregull, kjo është sëmundje e rrallë, por sigurisht, nëse nuk diagnostikohet shpejt, ka pasoja ekstremisht të rënda për jetën e fëmijës, zhvillimin psiko-emocional dhe fizik të tij. Në përgjithësi, në vendet e zhvilluara, të gjithë fëmijëve në momentin e lindjes u merret krahas analizave të ndryshme edhe analiza e gjakut, për të matur një nga hormonet kryesore që reflekton punën e tiroides. Kjo analizë njihet ndryshe si TSH, hormoni stimulues i tiroides. Ky parametër funksional i tiroides te të gjithë fëmijët, si në rastin tuaj, del i lartë, gjë që tregon se organizmi vuan mungesën e hormoneve të tiroides. Kjo sëmundje paraqitet jo vetëm në një formë të thjeshtë siç është mungesa e pjesshme apo to- tale e gjendrrës tiroide, por ka raste që defekti mund të jetë edhe në një strukturë tjetër, për shembull në hipofizë.

- Raste të njëjta njihen edhe ato ku hormonet prodhohen siç duhet te fëmijët normalë, por nuk arrijnë të veprojnë në qelizat përkatëse. Në raste shumë të rralla kemi edhe dëmtime të mëlçisë, veshkave apo strukturave të tjera indore të domosdoshme për të kthyer hormonet e tiroides në gjendje pune apo funksionale. Si më lart trajtuar, problemi është kompleks. Rëndësi këtu ka diagnostikimi në kohë i kësaj sëmundjeje dhe fillimi sa më shpejt i mjekimit i cili është çelësi i artë i korrigjimit dhe i zbutjes së këtij fenomeni te këta fëmijë. Ideale do të ishte që kjo sëmundje të diagnostikohej para lindjes, ose fill pas lindjes, meqë këto hormone janë shumë të domosdoshme. Viti i parë i jetës së fëmijës është jashtëzakonisht i rëndësishëm në zhvillimin e tij. Tiroidja është gjendërr kryesore endokrine që mban barrën e rëndë të përshtatshmërisë dhe të mirëzhvillimit fizik e psikik të fëmijës. Nëse te djali juaj kjo gjendërr nuk funksionon pjesërisht apo totalisht, atëherë do të kemi një frenim të zhvillimit e për pasojë, do të manifestohen defiçite të mëdha fizike e mbi të gjitha, psikike te fëmija. Në vendet e pazhvilluara ku nënat dhe fëmijët ekspozohen në zona me defiçit të jodit, sëmundjet e tiroides janë më të shprehura. Si formë e kësaj sëmundjeje paraqitet edhe kreatinizmi ose prapambetja e rëndë mendore si shkak i mosfunksionimit të tiroides në moshat fëminore dhe në të rritur. Në praktikë, rastet që janë përcaktuar shpejt si të sëmurë nga kjo sëmundje dhe që kanë filluar mjekimin e mirë në kohë, kanë patur ecuri të mirë dhe pa asnjë ndryshim nga moshatarët e tyre në çdo aspekt jetik. E njëjta gjë vlen edhe për djalin tuaj, që do të ketë një jetë të gjatë të shëndetshme dhe pa asnjë problem riprodhimi për sa kohë defiçiti i tiroides do të kompensohet siç duhet dhe sa kohë nuk do të ketë probleme të tjera të palidhura me tiroiden. Fëmijës suaj i uroj shëndet dhe suksese në jetë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.