A parandalohen krizat e astmës?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Doktoreshë Mira, përshëndetje! Kam një pyetje për vajzën time, e cila është astmatike. Ajo ka shenjat e para të sëmundjes, por përkeqësohet kur vjen kjo periudhë, ose më saktë, sa fillon të nxehet koha më shumë. Po kondicioneri, a ndikon në përkeqësimin e sëmundjes së vajzës sime? A mund të parandalohen krizat e mëdha? Çfarë këshillash apo informacioni na jepni? Faleminderit. Një zonjë nga Tirana. Dr. Mira Xhixha, alergologe: - E nderuar zonjë, përderisa simptomat e problemit të vajzës tuaj theksohen më shumë në këtë periudhë, duhet ta kini shumë kujdes që të mos ekspozohet ndaj ambienteve me temperatura të larta ose të shmangë oraret me më shumë temperaturë. Ekspozimi ekstrem ndaj temperaturave ambientale të larta bëhet shkak për çrregullime të funksioneve fiziologjike të aparatit të frymëmarrjes, por edhe të atij kardiovaskular e nervor. Kur ky eskpozim është akut dhe me intensitet të lartë, çrregullimet fizologjike shkojnë deri në konvulsione, të fikët, axhitim, atak kardiak dhe goditje nga dielli. Këto reagime janë në varësi dhe të ekspozimeve të mëparshme, adaptimit fiziologjik që është individual, në bazë të moshës dhe gjendjes shëndetësore të pacientit. Nën ndikimin e temperaturave të larta dhe rrezatimit diellor, rritet sasia e ndotësve dhe e komponentëve të tyre në ajër, të cilët ndikojnë direkt në shpërthimin e krizave dhe rëndimin e astmës. Ky efekt në një individ me astmë bronkiale është edhe më i madh kur ditët e ngrohta shoqërohen edhe me erë apo stuhi. Gjendja është më e rënduar edhe nga bashkëshoqërimi me sëmundje të tjera, pra, me ato kardiake, nervore dhe te moshat e avancuara. Për shkak të temperaturave të larta, dëmtohet ozoni, i cili irriton aparatin e frymëmarrjes dhe redukton funksionimin pulmonar, kështu që rëndohet astma dhe sëmundje të tjera kronike.

- Ndërsa përsa i përket kondicionerit, sigurisht që ai ndikon në acarimin e astmës. Qëndrimi direkt nën kondicioner apo përpara freskueseve bën që të avullojë djersa dhe kështu, ftohet lëkura. Kjo ftohje shkakton hiperaktivitet bronkial, gjë që shkakton kriza të astmës bronkiale. Do t’ju rekomandoja që vajza juaj të mos pijë as pije të ftohta, t’i qëndrojë sa më larg kondicionerit, dhe korenteve të ajrit, sidomos kur është me djersë, të bëjë dush me ujë të vakët dhe nëse shkon në plazh, të futet gradualisht në ujë ose të lagë trupin përpara. Ajo nuk duhet të dalë asnjëherë me flokë të lagur jashtë, pa i tharë ato dhe të jetë gjithmonë nën kontrollin e mjekut që e ndjek. Në lidhje me parandalimin, mund të mbahet nën kontroll që të shmangen krizat e mëdha. Mos harroni të mbani kontakt me doktorin specialist që ndjek vajzën tuaj, pasi i duhen bërë vizita të rregullta, pa neglizhuar kështu edhe medikamentet që sigurisht, do të ketë marrë për mjekim.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.