Shqiptarët kërcënojnë fituesin e Eurovizionit

Intervista - - JAVA VIP -

Edhe njëherë tjetër, shqiptarët paraqiten problematikë ose më saktë, ashtu siç njihen më së shumti nga vendet e tjera. Shkak këtë herë ka qenë një veprim ndoshta i pamenduar i fituesit të Eurovizionit, i cili pas përfundimit të spektaklit publikoi një foto teksa po pushonte i shtrirë në një divan, por problemi ishte se poshtë këmbëve të tij gjendej flamuri shqiptar. Diçka e tillë është pasuar nga titulli i gazetës norvegjeze VG: “Fituesi i Eurovizion kërcënohet me vdekje nga shqiptarët”. Sipas kësaj gazete, ai është kërcënuar me vdekje pasi publikoi në Instagram foton në fjalë, ku i shtrirë në një kolltuk, i kishte mbështetur këmbët mbi flamurin e palosur shqiptar. Pas kësaj, këngëtarit i është kërkuar që ta heqë foton me akuzën se ai postim ofendonte shqiptarët, madje disa prej tyre kanë shkuar deri aty sa edhe e kanë kërcënuar atë me jetë nëse fotoja nuk do të hiqej nga Instagrami. Fotoja ka marrë rreth 7000 pëlqime dhe më pas, si duket nën trysninë e komenteve që e kanë shoqëruar, Zelmerlou është detyruar ta fshijë. Ndërkohë, policia suedeze, ka marrë seriozisht në konsideratë kërcënimet në adresë të fituesit të Eurovizionit. Kjo nuk është hera e parë që artisti suedez bëhet pjesë e polemikave. Më parë ai është akuzuar se kënga e tij “Heroes”, është shumë e ngjashme me këngën e David Getës “Lovers on the sun”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.