Ç’kuptimkaëndrraime?

Mace

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Shoh gjithmonë mace në ëndërr. Ndonjëherë i shikoj shumë të egra, sikur përpiqen të më qëndrojnë afër e unë i largoj. Përpiqem t’i heq qafe, por nuk ikin. Ndonjëherë shikoj mace që më drejton thonjtë dhe do të më bëjë keq, por nuk ia arrin dot. Ndërsa ndonjëherë shikoj kotele shumë të bukur që e dua shumë, kujdesem për të dhe ajo më rri shumë afër, sikur kemi nevojë për njëra- tjetrën. I shoh shpesh, ndaj dua të di se çfarë kuptimi kanë? -

Së pari, macja tregon disa karakteristika të karakterit tuaj. Ju jeni sa e butë dhe ledhatare, sa agresive dhe gati të nxirrni thonjtë. Nga ana tjetër, duke qenë se shikoni shpesh ëndrra me mace, ëndrra ju paralajmëron të keni kujdes sepse mund të keni vizita të papritura nga persona të cilëve është mirë të mos u besoni lehtë, sepse janë pak a shumë si macet, tinëzarë dhe nuk i dihet se çfarë ka pas tyre. Mos u besoni lehtë. - Kam parë ëndërr sikur isha shumë sëmurë. Këtë lloj ëndrre e shoh shumë shpesh me thënë të drejtën dhe më shqetëson kjo gjë. Përveç kësaj, sikur kërkoja ndihmën e njerëzve rreth meje. Pres përgjigje nga ju. Leo - Një ëndërr e tillë tregon që po kaloni një periudhë të vështirë, jeni i dëshpëruar dhe keni shumë ngarkesë emocionale. Përveç kësaj, simbolizon një lloj plogështie ku keni rënë dhe paaftësi për të përballuar një situatë të caktuar. Në njëfarë mënyre, ëndrra ju tërheq vëmendjen që t’i kushtoni më shumë rëndësi shëndetit tuaj për momentin. Duhet të reshtni së ndjeri keq për veten tuaj, sepse vetëm i zoti e nxjerr gomarin nga balta, thotë fjala popullore. Ju prisni që t’ju ndihmojnë. Po si mund t’ju ndihmojnë, kur nuk e kërkoni një gjë të tillë dhe nuk përpiqeni kurrsesi vetë për këtë gjë? - Para dy netësh, pashë sikur isha në dhomën e nënës sime dhe për një çast, u zhduk çatia e shtëpisë. M’u bë sikur e kisha qiellin shumë afër. Qielli ishte me ngjyrë të mbyllur dhe u paraqitën figura të ndryshme. Në një moment, ato figura lëviznin, por vetëm një u ndal para syve të mi dhe më ngjante me qenie humane. Vura re se ishte një mashkull, i cili rrinte me këmbët e kryqëzuara dhe duart i kishte të shtrira anash. Gishtin drejtues sikur e kishte nga unë. Ai ishte me flokë të gjatë e mjekër dhe në të dyja anët e rrethonin disa ngjyra që më ngjanin si ylberë. Aq shumë u habita, saqë u zgjova. Ju lutem, më ktheni një përgjigje për këtë ëndërr, se jam shumë kureshtare. - Së pari, zhdukja e çatisë së shtëpisë tregon një moment të vështirë në jetën tuaj. Ju duket sikur jeni pa mbrojtje. Keni nevojë për dikë në krah, për një mbështetje madhore, por ja ku shfaqet qielli blu, i cili tregon shpresën, mundësinë, paqen dhe lirinë tuaj. Shfaqja e qiellit, tregon në njëfarë mënyre pranimin e lutjeve tuaja. Figurat përfaqësojnë lutjet e dëshirat tuaja të cilat janë drejt realizimit. Edhe personi që keni parë, tregon një fuqi madhore së cilës ju i luteni, përfaqëson urtësinë, lutjen, faljen dhe këshillat. Gishti drejtues është një thirrje për këshillim me dikë më të pjekur se vetja juaj, një person të cilit i besoni më shumë. Ylberi tregon fat të mirë, pra, më në fund, do të hapet një dritë jeshile për ju. - Kam parë në ëndërr vjehrrin tim i cili nuk jeton më. Ishim në shtëpi dhe kishim shumë debate, dikush po thoshte “jo është faji yt, jo po i atij tjetrit që ai nuk është më”. Kishte lindur një debat shumë i madh dhe një moment u shfaq vjehrri im, i cili po na shikonte vëngër. Jam shumë e shqetësuar, ndaj do t’jua dija shumë për nder sikur të ma shpjegonit këtë ëndërr. - Kjo është një ëndërr që ka lidhje më shumë me të kaluarën tuaj si familje; janë debate, pishmane dhe diskutime që vazhdojnë ende sot e kësaj dite, ose janë disa pengje që ju kanë ngelur në shpirt dhe do të donit t’i rihapnit si diskutim në shtëpi. Pastaj, sigurisht që mungesa e vjehrrit në shtëpi ka sjellë një lloj shqetësimi. Nga ëndrra kuptojmë që do të keni një mbledhje familjare, por kjo do t’ju shqetësojë. Shfaqja e vjehrrit tregon në njëfarë mënyre që ndihet i shqetësuar në atë botë për ato çfarë diskutoni ende në shtëpi. Mos vallë kjo është një shenjë që ju ta lini të prehet në paqe vjehrrin tuaj dhe të mos hapni tema që i përkasin të kaluarës, sepse vetëm sa do të lëndoheni? Gjithë të mirat. - Si ka mundësi që shoh shumë shpesh ëndrra sikur vjen fundi i botës? Ndonjëherë shoh cunami, ndonjëherë tërmet, por gjithnjë flitet për një botë të shkatërruar. Unë gjithmonë shpëtoj dhe dukem sikur kam rilindur, pavarësisht se shoh përmbytje. Çfarë kuptimi ka kjo ëndërr, sepse më ka bërë merak? - Përgjithësisht, ëndrrat që paralajmërojnë fundin e botës kanë kuptimin e një rilindjeje të brendshme, ashtu siç e keni parë ju veten. Çfarëdolloj ngjarjeje të përjetoni, qoftë ajo edhe e keqe, në fund ju do të dilni të fituar. Ndoshta si fillim e përjetoni çdo gjë keq, por në fund kuptoni se keni bërë gjënë e duhur. Jeni person që përballoni çdo problem dhe vështirësi me kurajo dhe nuk keni frikë nga asgjë. Nuk i shmangeni problemit, por e përballoni me guxim dhe kjo gjë ju ndihmon që të dilni të fituar, qoftë dhe të çliruar nga çdo barrë mendimesh.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.