Pse i luhatet sheqeri?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Doktor Dashamiri, motrës sime, pas lindjes së fëmijës së parë, iu shfaq diabeti dhe mori mjekim atje ku jetonte. Tani ka ardhur në Tiranë dhe i rritet diabeti gjer 12- 13. Ajo e merr mjekimin rregullisht dhe s’e kuptoj këtë luhatje të sheqerit. Mos vallë duhet të mbajë dietë? Çfarë diete i sugjeroni? Jam shumë e shqetësuar për të. Është diabet i tipit 2.

Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: - Duke ju falënderuar për pyetjen, si gjithmonë siç e kam unë zakon, do të doja ta nisja me dy vërejtje të vogla: Së pari, duhet të më kishit shkruar më shumë rreth ecurisë kohore të sëmundjes, rreth moshës së pacientes, për shembull sa vjeçe është ajo tani, kur e ka lindur fëmijën, a ka patur probleme përpara shtatzanisë, sa kilogramë lindi fëmija, a kishte sëmundje të tjera përveç diabetit etj. dhe së dyti, sa i përket vlerës së vetme të sheqerit në gjak që keni shkruar (12-13), jam i interesuar të di se cilës njësie matëse i referoheni, është me mg/dl apo mg/mol etj. Gjithsesi, po e filloj shpjegimin nga fundi i pyetjes suaj. Është krejtësisht e vërtetë që motra juaj, ashtu si gjithë zonjat që janë diagnostikuar me diabet për herë të parë gjatë shtatzanisë vuan formën e diabetit tip 2, ndërsa shfaqja e diabetit të barrës njihet si diabeti i barrës.

- Diabeti i barres përbën rreth 7 % të gjithë diabetit në tërësi. Ai konsiderohet si një nga sëmundjet më të shpeshta gjatë shtatzanisë dhe ndodh më shpesh te gratë që janë mbipeshë, që kanë shtatzani në moshë të madhe, që nuk bëjnë jetë aktive fizike, tek ato që kanë të afërm me diabet etj. Vetë shtatzania është një faktor “stresant” për organizmin, në kuptimin që nënës nuk i shtohet thjesht një individ i ri, por krahas rritjes së bebit në barkun e saj kemi dhe shtim të ngarkesave biokimike, fiziologjike dhe mbi të gjitha, një lloj sforcimi i organizmit për t’u përshtatur me problemet e barres. Nga të gjitha pikëpamjet, shtatzania konsiderohet një faktor rreziku për të shkaktuar sëmundje të caktuara dhe në rastin konkret, diabetin e sheqerit. E mira do të ishte që çdo grua të kontrollojë nivelin e sheqerit përpara se të fillojë shtatzaninë dhe aq më tepër, në momentin që mbetet shtatzënë. Në muajt e parë të shtatzanisë, duhet të drejtohet te mjeku dhe krahas ekzaminimeve të tjera, duhet të bëjë matjet e sheqerit apo glicemisë në gjak. Në një pjesë të mirë të ras- teve, ne përdorim testin e ngarkesës me sheqer për të kuptuar nëse kemi ndonjë diabet të fshehtë ose jo. Në momentin kur diabeti është i diagnostikuar, kërkohet një mjekim shumë i kujdesshëm si me dietë, ashtu edhe me barna. Diabeti i barres mbart rreziqe jo vetëm për nënën, por edhe për bebin. Mbi 50 % e grave që kanë vuajtur diabetin e barrës, pas 10-15 vjetësh bëhen diabetike të vërteta, prandaj shumica e këtyre nënave nuk duhet të gëzohen me faktin që pas shtatzanisë diabeti u largua, por duhet të mos i ndërpresin vizitat dhe kontaktet periodike, dietën, aktivitetin fizik etj. Në lidhje me shqetësimin e ngritur në pyetjen tuaj rreth mjekimit, do t’ju thoja që këtyre rasteve nuk mjafton t’u japin vetëm këshilla dietike, por është e rëndësishme t’i trajtojmë më thellë profesionalisht, duke bërë një vizitë te mjeku specialist endokrinolog. Pres të më shkruani sërish ju ose motra juaj, drejtpërsëdrejti.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.