Pesë arsye pse tradhtojnë burrat

Intervista - - INTIMITET -

Njerëzit kanë tendencë të kenë rregulla shumë të forta përsa i përket monogamisë në një lidhje dhe, në përgjithësi, ato nuk diskutohen kur vjen puna për të reaguar ndaj tradhtive. Ndjehesh shumë keq kur dikush të tradhton, ndjen lëndim, zemërim dhe sigurisht që e merr këtë veprim si diçka personale. Por, arsyet pse njerëzit tradhtojnë janë të shumta dhe kjo nuk do të thotë medoemos se lidhjes i ka ardhur fundi. Pastaj, kush e ka thënë se monogamia është diçka krejt natyrale? Mos ju duket më i natyrshëm fakti se duhet të bësh seks me një person gjatë gjithë jetës, sesa ai i ndërrimit të partnerëve seksualë, ndërkohë që shijet, interesat dhe pjekuria e një personi ndryshon me kalimin e kohës? Arsyet pse një person tradhton janë individuale dhe nuk janë të njëllojta për të gjithë, ashtu si mund të mendohet. Ja, disa nga arsyet më të shpeshta pse burrat tradhtojnë...

1. Sepse u jepet rasti

Sigurisht, edhe gratë tradhtojnë, por, kur flasim për burrat dhe tradhtinë, e vërteta është se burrat, kur u jepet rasti për të bërë seks, e shfrytëzojnë. Sipas një studimi, burrave u bëhen më pak propozime për seks dhe për këtë arsye, e shfrytëzojnë rastin kur kanë ndonjë mundësi të tillë. Asgjë nuk e stimulon më shumë egon e një burri, sesa një grua (që nuk është e tyrja), e cila u propozon një seancë seksi të shpejtë aty, mbi tavolinën e zyrës. Megjithëse kjo është arsyeja më e pavlerë për të tradhtuar, është shpesh një nga ato që përcaktojnë fillimin e një lidhjeje të tillë.

2. Sepse i pëlqen të ndjehet i dëshiruar

Fakti që një burrë martohet, nuk do të thotë se humbet nevojën që ka për të qenë i dëshiruar. Kështu, megjithëse dashuria mbi tavolinën e zyrës mund të mos jetë në planet e tij, kënaqësia e flirtimit nuk zhduket, medeomos, në momentin kur ai lidh kurorë. Nganjëherë është familjariteti dhe monotonia e një lidhjeje që e shtyn një burrë të tradhtojë, ashtu si edhe tundimi i një aventure të fundit.

3. Të tradhtosh është

zbavitëse

Tradhtia shkakton lëndim, është provë egoizmi dhe plagos shpirtin e atyre që preken prej saj, megjithatë, pavarësisht se çfarë emërtimi i vë, ajo që e bën tradhtinë kaq tunduese është eksitimi dhe zbavitja që e shoqërojnë. Një lidhje “ligjore” nuk mund të jetë kurrë kaq “e prapë” dhe eksituese sesa një lidhje e paligjshme, për faktin e thjeshtë se nuk është sekrete. Për shumë burra, një marrëdhënie e tillë nuk ka shumë lidhje me personin, bile as me seksin, sesa me eksitimin dhe drithërimat që sjell gjuetia, sekreti, bile edhe zhgënjimi. Në këtë rast, tradhtia nuk ka lidhje fare me personin që tradhtohet (pra, nuk është faji i tij), por ka lidhje me një nevojë kompulsive që duhet të plotësohet.

4. Vetëkënaqësia

e partneres

Nuk jemi duke ia hedhur fajin “viktimës” për tradhtinë, por nganjëherë, kur lidhesh, ndjehesh rehat dhe harron të bësh përpjekje. Këto përpjekje kanë lidhje me seksin, pamjen e jashtme dhe kujdesin për veten, komunikimin, të gjitha këto gjëra, për të cilat investojmë kaq shumë kohë në fillim të lidhjes dhe që i lëmë mënjanë kur ndjehemi “rehat” në të. Marrëdhëniet kanë nevojë për përpjekje, pavarësisht nëse jeni bashkë prej tre muajsh apo tre dhjetëvjeçarësh dhe jetesa në familje nuk është gjithmonë kupa e artë e lumturisë. Rritja e fëmijëve, pagesa e faturave, zënkat për të vajtur apo jo për drekë në shtëpinë e prindërve respektivë, nuk janë gjithmonë gjërat më seksi që ke në mëndje, kur përpiqesh që gjithçka të shkojë mirë në dhomën e gjumit. Të mbash gjallë anën romantike të një lidhjeje në këtë situatë është gjëja më e mirë që mund të bëhet, por nuk është gjithmonë më e lehta dhe kjo është një nga arsyet pse burrat tradhtojnë.

5. Mungesa e komunikimit

Tradhtia është shpesh simptomë e diçkaje më të thellë, një problemi në lidhje, paaftësisë që ndjen dikush për të komunikuar me tjetrin. Është çmenduri të mendosh se një çift, që ka jetuar me njëritjetrin për 10 vjet nën një çati, është i paaftë të flasë për një problem në lidhje, por nganjëherë, fshehja e kokës nën rërë (ose në diçka më zbavitëse), është më e lehtë sesa një bisedë ballë për ballë me tjetrin për t’i treguar atij emocionet e tua. Kështu, lidhja jashtëmaresore mund të jetë një mënyrë për t’iu larguar problemeve, ose një mënyrë për të gjetur rehatinë, ose sigurinë te dikush që ju sheh si prioritetin e tij, duke e bërë personin në fjalë të ndjehet përsëri i vlefshëm, i dëshiruar, i nevojshëm, ose i jep atij një hapësirë për të marrë frymë lirisht, larg tensioneve dhe zënkave.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.