Si më tradhtuan shoqet…

Intervista - - HISTORI NGA JETA -

Unë që po ju shkruaj quhem Sara. Kam lindur në Fier, por jetoj në Tiranë që prej 5 vjetësh. Gjithmonë kam dashur të bëhem modele. Prindërit dhe vëllai nuk donin që unë të ndiqja këtë rrugë sepse mendonin që s‘ishte me perspektivë, por unë isha e vendosur të mos hiqja dorë nga ëndrra ime, pavarësisht nga gjithë këto kundërshtime. Kur kishte aktivitete në shkollë, gjithmonë angazhohesha si modele. Madje, ishin vetë organizatorët që më ftonin. Pasi mbarova gjimnazin, konkurova për regjisurë në Tiranë me qëllimin për të qenë sa më pranë botës së spektaklit. Për fatin tim të mirë, e fitova të drejtën e studimit, pavarësisht se nuk ishte aspak e thjshtë. Shumica e atyre që konkuronin, e merrnin shkollën me mik ose me lekë. U gëzova shumë, por dhe u trishtova njëkohësisht, sepse ishte hera e parë që largohesha nga familja për një kohë të gjatë. Për në Tiranë më përcolli im atë, i cili para se të kthehej në Fier më porositi që të tregoja shumë kujdes, sepse jeta në konvikt ishte e vështirë.

Kështu, nisa jetën në konvikt, mes njerëzve të panjohur. Në dhomë kisha edhe tre shoqe të tjera me të cilat u njoha shumë shpejt. Dukej se më donin. Një ditë filluam të flisnim për veten dhe kur më erdhi radha mua, u tregova se ëndrra ime më e madhe ishte të bëhesha modele. Prandaj edhe kisha zgjedhur një degë në Akademinë e Arteve të Bukura. Pasi folëm gjatë, mikeshat më ndihmuan të sistemoja rrobat dhe pas kësaj, zbrita në dyqanet afër konviktit që të blija ndonjë gjë për të ngrënë. Portofolin e lashë mbi krevat, por kur u ktheva dhe po fusja reston e mbetur në portofol, pashë që mungonin 2000 lekë. Shoqet e dhomës s‘i pyeta fare për lekët pasi mendova që mund t‘i kisha prishur dhe thjesht nuk e mbaja mend. Ditët kalonin dhe shkolla filloi. Në fakultet fillova të njihja shokë e shoqe të tjera. Tre vajzat e dhomës studionin për koreografi, kështu që rrugën për në shkollë e bënim bashkë. Gjatë kohës që rrija me to, vura re se nuk kishin sjellje të mira. Shoqëroheshin me djem jo të mirë, pinin duhan dhe alkool. Herë pas here më ftonin edhe mua në shoqërinë e tyre ku më prezantonin me djem të ndryshëm. Shumë prej tyre më kërkuan që të lidheshim, por asnjërin nuk e pranova. Kjo nuk u pëlqente aspak shoqeve të dhomës, madje shpesh ato më thoshin: “Po pse nuk pranon asnjë djalë? Çdo studente e ka nga një të dashur, nuk është turp”. Nuk e di pse, por fillova ta pranoja sugjerimin e tyre dhe një ditë vendosa që po të më jepej një tjetër rast, të lidhesha. U njoha me një djalë dhe e pranova si të dashurin tim. Ai sillej mirë me mua. Edhe me shoqet e dhomës shkoja mirë. Ato shkonin gati çdo natë në disko dhe më merrnin me vete. Që nga ajo kohë u bëra frekuentuese e rregullt e jetës së natës, cigares dhe alkoolit. Kishte raste që pija shumë dhe nuk dija çfarë bëja. Ndonjëherë kthehesha në konvikt në 5 të mëngjesit dhe kjo sjellje m’u bë rutinë. Sa herë që flisja me prindërit në telefon u thosha se çdo gjë shkonte mirë, kur me mësimet isha shumë mbrapa. Kisha ngelur në disa lëndë dhe rrezikoja të humbisja vitin. Ndihesha keq që i gënjeja të mitë, por shoqet e dhomës më thoshin se tashmë ishin mësuar me gënjeshtra dhe do vinte një ditë që dhe mua nuk do të më bënin më përshtypje. Kur u tregova shoqeve se rrezikoja vitin, ato më thanë se e vetmja mënyrë për të kaluar ishte të jepja lekë ose… kuptohet! Varianti i lekëve ishte krejtësisht i pamundur për mua, nuk u kërkoja dot para prindërve sepse ata mezi më dërgonin dhe ato pak që më duheshin për të ngrënë. Ngaqë s‘kisha tjetër rrugëzgjidhje, fillova t’i fitoja paratë siç më mësonin shoqet. Fillimisht m’u duk diçka shumë e ulët, por me kalimin e kohës u mësova. Arrita t’i merrja provimet në të cilat kisha mbetur, ndonëse shkollën e frekuentoja fare pak dhe mungesat më ishin bërë mal.

Megjithëse sjellja prej “prostitue” të krijonte lehtësira, shumë shpejt u pendova për rrugën që kisha zgjedhur dhe vendosa ta merrja seriozisht shkollën. Edhe me shoqet e dhomës nuk po shoqërohesha më, s`shkoja më me to në disko dhe as nuk pija duhan e alkool. Më thoshin se nuk ia vlente të rrija mbyllur e të mësoja si fyçkë, kur mund të dilja e të shijoja jetën. Unë i kundërshtoja! Në mësime fillova të përmirësohesha dhe të paktat herë që dilja, takohesha me të dashurin tim. Nuk ishte e thënë që jeta ime të ecte në rrugë të mbarë… Një ditë shoqet e dhomës më thanë të shkoja me to në një klub nate. Sigurisht që nuk pranova menjëherë, por ato më thanë se atje do të më prezantonin me dikë që mund të më ndihmonte të bëhesha modele. Mendimi se ëndrra ime po merrte jetë më paralizoi dhe logjika nuk më funksiononte më, kështu që pranova. Pasi isha bërë gati për të dalë, shoqet më thanë se “isha veshur më tepër serioze se sa duhej për këtë rast. Duhet të nxirrja trupin në pah, që t`ia mbushja mendjen “menaxherit” që ia vlej si modele”. Kështu, më dhanë disa nga rrobat e tyre me të cilat dukesha më shumë e zhveshur se sa veshur. Poshtë konviktit na priste një makinë. Shoqet më thanë se ishte e një shokut të tyre të fakultetit. Me siklet hipa në atë makinë sikur ta parandjeja atë që do të më priste në disko. Dhe atje, vërtet mbeta e shokuar nga ajo që pashë… Një kaos i vërtetë: vajza që kërcenin në mënyrë tepër provokuese, të tjerë putheshin dhe kishte nga ata që tymosnin kushedi se çfarë. Shoqet më drejtuan te një person që qëndronte ulur afër banakut. Pasi e përshëndetëm, i thanë se isha “vajza për të cilën i kishin folur” dhe më lanë të bisedoja vetëm për vetëm me të. Ndihesha shumë në siklet. I panjohuri më pyeti për emrin, sa vjeç isha e gjëra të këtij lloji… Pastaj më tha se merrej me organizim spektaklesh dhe veçanërisht punonte me modele. Më tha se isha shumë simpatike dhe se kisha trupin e përshtatshëm për të punuar si modele. “Do të të bëj yll ty, do të të jap famën” në tha. U ndjeva shumë e lumtur në ato momente. Ndjeva se po buzëqeshja dhe sytë po më shkëlqenin. “I panjohuri” më mori numrin e telefonit dhe më tha se do të më telefononte. Pas asaj nate të zhurmshme në klub, vajzat më pyetën se si vajti biseda me menaxherin. E lumtur siç isha, u thashë se gjithçka kishte shkuar mirë, i falenderova që më ndihmuan dhe u thashë se u kisha një borxh. Njëra nga shoqet, E-ja më tha: “E vetmja mënyrë për të na e shlyer borxhin është të dalësh me ne si dikur”. Pranova jo vetëm sepse u zura ngushtë, por dhe sepse më mungonin ato kohë kur dëfrehesha. Pas dy ditësh më telefonoi tipi i “botës së modës” dhe më la takim. Kur u takuam, atë e shoqëronte edhe një djalë tjetër. Biseduam për të bërë fotot e para dhe aty i thashë që s`kisha veshjet e përshtatshme. M-ja më tha se do t`i gjente ai. Të nesërmën vajta në “studion e tij” ku më priste dhe garderoba e re, ndoshta më e bukur nga ç`e kisha imagjinuar. Në fakt, veshjet dolën shumë ekstravagante, megjithatë, pranova t`i mbaja për hir të pasionit që kisha për modelimin. Ndërkohë që bëja foto, M-ja më orientonte me disa pozicione që nuk më pëlqenin, madje më dukeshin të ekzagjeruara. Ngaqë nuk kisha përvojë në këto punë, i pranoja “urdhrat” e tij sepse mendoja që ashtu duhet të fotografohesha. Kur mbaruam, më tha se do të bënim foto të tjera pas një jave. Në të parin takim me të dashurin i tregova gjithçka për atë pas- dite. E pashë që kjo nuk i pëlqeu aspak, por shoqet e dhomës ia ndryshuan mendjen duke i kujtuar se po realizoja një ëndërr timen. Ditët kalonin dhe erdhi dhjetori. Pushimet më duhej t`i kaloja në vendlindje, në Fier. Shoqet m`u lutën që të kthehesha pak më herët nga pushimet e Vitit të Ri, sepse Lja (njëra prej tyre) kishte ditëlindjen, madje ato vetë, nuk shkuan fare në shtëpi. Ndërkohë që familjes sime s’i tregova asgjë për fotografitë.

Ia kalova shumë bukur me të mitë, por shpejt erdhi dita e kthimit në kryeqytet. Kisha blerë një dhuratë për shoqen që kishte ditëlindjen dhe po ngjitesha gjithë gëzim në dhomën e konviktit. Sapo hapa derën, pashë L-në në shtrat me një djalë. Dy të tjerat kishin dalë. L-së nuk i bëri fare përshtypje prania ime, madje me qetësinë më të madhe më prezantoi me djalin. Ai s‘më pëlqeu fare… Pastaj m‘u lut që të dilja dhe atë natë të kthehesha vonë. E kuptova ku e kishte fjalën dhe bëra për nga dera, kur syri më kapi një pluhur të bardhë mbi tavolinë. Doja ta pyesja L-në se çfarë ishte, por ndërrova mendje. Megjithatë, ajo që ndodhi më la një shije aq të keqe saqë nga ajo ditë fillova ta kem frikë miqësinë me to. Atë pasdite dola me të dashurin tim, R-në. Kur kërkoi të më përcilltë s‘pranova sepse nuk doja ta shihte atë që ndodhte brenda në shtëpi. Kur ai u largua pak, u nisa për në diskon ku shkonim zakonisht me shoqet e dhomës. Hyra në klub, u ula dhe porosita diçka për të pirë kur… ç‘të shihja…

(

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.