Njëri-tjetrin

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

PYETJE QË ENDE PRESIN PËRGJIGJE...

- A do t’i jepnit një shans të dytë dikujt që ju ka lënduar në të kaluarën? Kjo vlen si për meshkujt, edhe për femrat. Arbiola.

- E vërteta është që kur thyhet xhami, vështirë është të ngjitet sërish. Prandaj unë mendoj se edhe lidhjet kur thyhen nuk duhet të ribashkohen, sepse kurrë nuk harron tjetri lëndimin që ka kaluar. Pastaj një person që të dashuron, nuk mund të lëndojë, prandaj para se të ribashkohesh me tjetrin, mendo para se të veprosh. Leta.

- Keni qarë ndonjëherë në sy të të dashurit apo të dashurës? Si ka reaguar ndaj këtij veprimi? Zina.

- Kam pothuajse 13 vjet në një lidhje dhe jo vetëm një herë apo dy kam qarë përpara tij, por shumë herë. Reagimi i tij është të largojë çdo mërzitje nga zemra ime dhe të më bëjë të qesh, aty ku unë jam duke qarë. Prandaj edhe jemi bashkë gjithë këto vite, sepse unë mendoj se kemi dashurinë më të pastër që ekziston në këtë botë. X-person Tiranë.

- Si ju duken fushatat që po bëhen për këto zgjedhjet bashkiake? Mua më duket se po luajnë me ne. Ju, çfarë mendimi keni? Turi.

- Po ashtu si gjithmonë, të gjithë duan votën tonë dhe sapo të futen në një zyrë apo të zënë një karrige, na kanë harruar. Pak janë ato që po dëgjojmë për kryetarët e bashkive? Tjetrin e futën në burg, në një qytezë, me sa mbaj mend unë. Prandaj duhet ta japim votën vetëm aty ku na japin fjalën që do të ndryshojnë gjërat për më mirë. Nuk duhet të humbasim besimin se në dorën tonë është të bëjmë zgjedhjen e duhur. Besi.

- A do të sakrifikonit një dashuri, vetëm sepse fëmija juaj bëhet xheloz? X Tiranë.

- Të sakrifikoj jetën time për fëmijën i cili mbas pak vitesh do shikojë jetën e tij dhe do të më harrojë se kush jam? Patjetër që nuk do e sakrifikoja as edhe një sekondë jetën time për xhelozinë e fëmijës. Mund të sakrifikoj jetën time vetëm për ta rritur dhe për t’i dhënë një rrugë jete sa më të mirë, por jo të prish jetën time, sepse bëhet xheloz. Flora

- Isha në një shkollë të mesme një ditë dhe ç’më kanë parë sytë, as në filma s’i kam parë: Seks dhe drogë! Këta fëm- ijë, e marrin këtë edukatë në familje, apo e krijojnë vetë jashtë familjes? Klara.

- E dashur Klara, në ditët e sotme, fëmija nuk merr më mësim nga shtëpia apo të ngjajë nga prindërit si dikur, por i ngjan vetes së tij. Prandaj edhe ke parë ato që ke parë në shkolla, sepse s’ka më as mësues që të merren me nxënësit siç ishin në kohet e kaluara. Prandaj mos u habit fare për ato që ke parë, sepse jeta ka ndryshuar dhe brezi i ri është krejt ndryshe nga ne. Nëna

- Sa herë që kemi zgjedhje për kryeministra, kryetarë bashkish etj., kur i dëgjon premtimet e tyre, thua: “Ua shpëtuam, gjithçka do jetë e bukur!”. Përfundimisht, jemi vendi i fjalëve të bukura, por veprave të shëmtuara. A jeni në një mendje me mua? Lediana.

- Po sa bukur që e thua, moj Lediana, sa më bëre të qesh hahaha. Tamam ashtu është i veprave të shëmtuara dhe jo të bëjnë ato që premtojnë para se të votosh. Të gjithë shikojnë të rregullohen për veten e tyre apo për njerezit e familjes dhe populli të vaftë në djall pastaj. S’kemi më besim tek askush, jemi në demokraci prej kaq vitesh dhe akoma s’kam parë ndryshime në këtë vend. Elle.

- Pse prindërit në Shqipëri u vënë emra turqish dhe jo emra shqiptarë fëmijëve të tyre? Gjergji.

- Avash o Gjergji ti se e paske marrë me shumë shpejtësi. Pa më thuaj cilët janë emrat shqiptarë, sepse me 500 vjet që ishim skllevër të turkut, si mund të gjejmë kush ka gjak të pastër shqiptari dhe kush është turk? Pothuajse 70 % e shqiptarëve janë muslimanë, prandaj edhe kanë emra turkë. Ashtu siç je ti katolik dhe vendos emra të fesë tënde, po ashtu dhe muslimanët. Artjola.

- Ju ka ndodhur juve t’ju vijnë fatura për energjinë elektrike edhe pse ke 3 vjet që nuk e përdor atë shtëpi? Kur erdha në Shqipëri, pashë që fatura kishte arritur 3 milion lekë të vjetra dhe unë s’e kam përdorur fare energjinë. Ku ta kërkoj të drejtën time? Sajmiri.

- Ku ta kërkosh o vllai të drejtën tënde në këtë vend? Po e shikon vetë, që edhe pse ke 3 vjet që nuk ke ndezur asnjë dritë në shtëpi, sepse s’ke qënë në Shqipëri dhe të kanë vënë të paguash gjithë ato para, s’ke ku të shkosh asgjëkundi tashmë. Kështu është vendi ynë, i bukur nga jashtë dhe nga brenda vetëm hajdutë me kravata kemi. Sonja.

- Përse ka kaq shumë aksidente në rrugë? Është faji i kursit të makinës që zgjat vetëm 1 muaj, apo i ligjeve rrugore? Andi.

- Po aman, mos të dëgjoj marrëzira. Faji nuk është i kurseve apo i ligjeve, është shumë e qartë që faji është vetëm i yni dhe i askujt tjetër. Në gjithë botën, njerëzit me kulturë ecin shumë mirë dhe nuk kanë kaq shumë aksidente siç kemi ne këtu. Pra, kur zbaton shenjat rrugore dhe je i rregullt në ecje, s’ka për të ndodhur asgjë. Të mos ua vëjmë fajin gjithmonë të tjerëve, kur nuk zbatojmë rregullat dhe shenjat rrugore. Shpresa.

- Në qoftë se i dashuri do t’ju kërkonte të punonit si striptiste, ju, si do të vepronit? X vajzë studente.

- Po si do vepronte një femër në këtë moment moj çupë? Ajo që do bëja në çastin që do më kërkonte një gjë të tillë, është që do ndahesha nga ai në sekondin që do e dëgjoja. Se çfarë bëj me jetën time, s’ka askush në botë që mund të më thotë një gjë të tillë, thjeshtë nuk pranoj kurrë të planifikojnë jetën time të tjerët. Elle.

- Cili mendoni ju është kandidati më i mirë për Kryetar Bashkie në Tiranë nga ato kandidatura që janë paraqitur gjer tani? Bashkimi.

- Kur shoh reklamat që bëhen për ta, më vjen të qesh me lot. S’e di kush është përfundimisht, ndoshta ata që kanë më pak premtime, po kush është nga ata se nuk e di! Juli.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.