Të shqetësohem për tiroiden?

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam vizituar para ca ditësh dhe më ka dalë TSh 5.6. A është kjo një vlerë nga e cila duhet të shqetësohem? Nëse dua të ngel shtatzënë, a mund të më shkaktojë probleme tiroidja? Jam në pritje të përgjigjes suaj. Faleminderit.

Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: - Në mungesë të falënderimit sepse nuk di si t’ju drejtohem, duke qenë se nuk më keni as moshën dhe asgjë tjetër, po tentoj ta trajtoj sqarimin e pyetjes tuaj në një sens më të gjerë, si një rast paradigmatik për problemin që ju keni. Analiza që keni paraqitur më bën të mendoj se ju vuani nga një problem i gjendrrës tiroide dhe konkretisht nga Hypotireoza subklinike. Sëmundja e mësipërme bën pjesë në grupin e sëmundjeve me funksion të ulur të tiroides dhe konkretisht, në këtë rast, kemi reduktim të pjesshëm të prodhimit hormonal nga gjendrra tiroide. Shkaqet nga vjen kjo sëmundje janë të shumta duke filluar nga dëmtimet traumatike të tiroides, rrezatime të ndryshme, infeksionet e saj dhe mbi të gjitha, sëmundje autoimune kur organizmi “lufton” tiroiden e tij. Shpeshherë, kjo sëmundje diagnostikohet në mënyrë të rastësishme ose në spital kur i sëmuri mund të jetë paraqitur për probleme të tjera.

- Dilemat sot në qarqet shkencore rreth kësaj sëmundjeje qëndrojnë në aspektin se a duhet filluar mjekimi apo jo. Në të gjitha rastet, kur bjerrja e funksionit të tiroides është e plotë, detyrimisht këto raste duhet të marrin mjekim, por rastet e tjera siç jeni dhe ju, kur humbja e funksionit është e pjesshme, është e debatueshme për momentin si vendimarrje klinike dhe terapeutike, sidomos për kohën se kur duhet të fillojë të trajtohet kjo sëmundje. Sa më i madh të jetë defiçiti i prodhimit, aq më afër fillimit të mjekimit jemi. Ka edhe momente të tjera kur këta pacientë vuajnë nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese si në gratë shtatzëna, kur çrregullohen yndyrnat, kur subjektet janë mbi peshë dhe si faktorë përprarues është çrregullimi i tiroides. Duke i marrë në konsideratë të gjitha këto raste të lartpërmendura, pavarësisht se defiçiti është i pjesshëm, në të gjitha protokollet botërore rekomandohet fillimi i mjekimit. Duke u kthyer te rasti juaj, është e domosdoshme të realizoni sa më shpejt një vizitë te specialisti për të përcaktuar stadin dhe tipin e shkaktarit që ka sjellë anomalinë hormonale te ju dhe është kompetencë e këtij mjeku të përcaktojë nëse e keni të nevojshëm fillimin e mjekimit në këtë moment, apo jo. Gjithashtu, ju bëj me dije se nëse keni planifikuar mundësinë për shtatzani, ju duhet që analizën e mësipërme ta keni në vlera normale, përndryshe perspektiva e shtatzanisë do të jetë e rezervuar, në kuptimin që mund të mos arrini të mbeteni shtatzënë, por edhe nëse shtatzania realizohet, mbarëvajtja e saj do të ketë disa rreziqe të paprashikuara ku në thelb të çdo gjëje qëndron ky defiçit apo mosfunksionim i gjendrrës tiroide. Shpresoj t’ju kem ardhur në ndihmë sadopak. Gjithë të mirat dhe të shkuara.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.