Dua të kem shoqërinë që kam pasur

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Unë që ju shkruaj jam një lexues i rregullt i kësaj gazete. Jam i shqetësuar për diçka në lidhje me shoqërinë. Gjithmonë kam patur imazh të mirë në shoqëri, në shtëpi e kudo, por kohët e fundit ndihem shumë i vetmuar, sepse jam prishur me shoqen time më të mirë dhe jemi zënë për kot gjë. Kjo gjë më ka mërzitur shumë. Tani, edhe shoqëria që kishim të përbashkët është larguar, nuk janë me mua, por me atë. Unë dua t’i kërkoj falje, më duket çdo gjë e errët kohët e fundit, dua të kem shoqërinë që kam pasur dhe nuk di si të veproj.

Borana Marku, psikologe:- I nderuar, me ato që më shkruan, më lë të kuptoj se çdo gjë që të shqetëson është e lidhur me problemin që ke pasur me shoqen tënde të ngushtë. Mendoj se duhet ta analizosh mirë situatën në të cilën ndodhesh e, nëse të bën të ndihesh mirë shoqëria e më- parshme, s‘ ka gjë më të thjeshtë sesa të kërkosh falje kur ke gabuar, aq më tepër që me anë të kësaj, mund të fitosh ti vetë; shoqërinë e mëparshme së bashku me aktivitetet që të pëlqejnë shumë.

Pra, siç thotë shprehja “Të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore”. Këtë mund t’ia kujtosh shoqes, pasi ta kesh bërë ti hapin i pari.

Jepi zemër vetes, shko drejt saj dhe kërkoji falje duke biseduar si dy shokë të mirë. Do të kuptoni që pas këtij veprimi do të ndiheni përveçse i çliruar, edhe shumë më mirë me veten dhe jeta do t’ju duket më e bukur. Ju jeni shumë i ri që ta shikoni jetën kaq të zymtë. Mendoni se shumë veta kanë edhe fatkeqësira në jetë dhe përsëri jetojnë e ecin përpara. Edhe nëse shoqja nuk ju fal, veprimi juaj do ta vërë në sedër dhe me kalimin e kohës, zemërimi i saj do të zbutet dhe do të vijë vetë drejt jush. Gjithë të mirat.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.