Gentian Deda:Ja, pse fitoi Edea dhe jo une!

Intervista - - FAQE 1 -

Genti është shembulli i djalit të talentuar që nuk ndalet para synimit për të arritur ëndrrën e tij. I vendosur për të hyrë në netët live të X Factor, pasi u eliminua katër vjet më parë nga ky konkurrim, ai arriti jo vetëm netët live, por edhe finalen, ndonëse pa arritur ta marrë në dorë trofeun. Djaloshi nga Lezha me zërin e ëmbël dhe stilin e tij të veçantë në muzikë, na tregon më shumë në këtë intervistë...

- Gent, i vure një synim vetes dhe shkove, jo vetëm ne netët live, por edhe në finalen e X Factor. Mendon se je sot, në pozitën për t’u dhënë një mesazh atyre që kanë ëndrra të mëdha? Cili është mesazhi yt për ta?

- Po, pas gjithë kësaj eksperience në X Factor, mendoj se kam arritur në atë pikë sa për të dhënë një mesazh… Mesazhi im për ata që kanë ëndrra të mëdha është që kurrë të mos heqin dorë nga ëndrrat sepse ato ta bëjnë jetën të lumtur dhe ashtu siç e dëshironi.

- A është e vërtetë se me punë njeriu mund të arrijë gjithçka? Nevojitet më shumë sesa punë dhe vendosmëri?

- Me punë arrihen shumë gjëra... Gjithashtu, nevojitet edhe vendosmëria, por mendoj se mbi të gjitha qëndron pasioni dhe dëshira. Në qoftë se të gjitha këto alternohen me njëra- tjetrën, atëherë mundësitë për të arritur lart, janë shumë të mëdha!

- Cila ka qenë gjëja që e ke dëshiruar më së shumti në të gjithë rrugëtimin që ke bërë në X Factor?

- Gjëja që më së shumti kam dëshiruar në rrugën time në X Factor, ka qenë pa dyshim që të gjithë ta njohin dhe ta vlerësojnë Gentin ashtu siç është, me atë çka ai përfaqëson dhe me muzikën që bën. Kjo ishte e gjitha!

- Mendon se e ke arritur këtë?

- Po, atë çfarë desha, mendoj se e arrita...

- E megjithatë, ishe kaq pranë çmimit të madh dhe nuk e preke dot atë... Sa besim kishe në vetvete se mund të ishe ti ai që do të dilte nga skena me trofeun?

- Po, isha kaq pranë çmimit të madh dhe normalisht, të gjithë do dëshironin ta fitonin, por gjithsesi, siç e kam thënë edhe më parë, fitorja ime ishte kualifikimi në finale. Me të vërtetë kanë qenë momente shumë emocionuese, që s’mund t’i harroj...

- Pse mendon se fitoi Edea dhe jo ti?

- Unë, Edean e vlerësoj shumë si këngëtare dhe artiste. Ka një vokal shumë të veçantë dhe potent dhe është e aftë të këndojë këngë të mëdha, ndryshe nga unë, që anoj më shumë te këngët e stilit.

- Cili ka qenë miku më i mirë që ke bërë në X Factor?

- Miq kam bërë plot në X Factor dhe s’mund t’i veçoj, sepse kam gëzuar respektin e të gjithëve.

- Për çfarë mendon se do të të vlejë kjo eksperiencë?

- Besoj se do të më shërbejë për planet që kam për të ardhmen time me muzikën.

- Ke filluar ta shfrytëzosh që tani?

- (Buzëqesh) Jo, nuk kam filluar sepse thashë të pushoj pak pas gjithë kësaj aventure, por do të filloj shumë shpejt punën.

- Ti, dukesh njeriu që synon dhe punon fort për të arritur synimet e tij, ndaj prej teje dua një përgjigje konkrete: Cili do të jetë hapi tjetër që do të hedhësh më tutje?

- Përveç shkollës, hapi tjetër që do të hedh do të jetë përgatitja dhe ardhja ne treg me një këngë të zhanrit tim, tek e cila dua të jap sa më shumë nga vetja.

- A ka patur ndonjë moment kur vërtet i je trembur mundësisë së eliminimit?

- Ka pasur shpesh momente kur i trembesha eleminimit sepse kishte konkurrentë goxha të fortë, por gjithsesi, kisha besim te vetja.

- Për çfarë do të të vinte keq nëse do të eliminoheshe që në netët e para live?

- Do të më vinte keq sepse nuk do të arrija dot qëllimin për të cilin ju fola pak më lart; njerëzit nuk do të më njihnin dot plotësisht dhe unë, nuk do të merrja aq shumë eksperiencë sa mora për plot 15 javë!

- Nëse edhe këtë vit nuk do të arrije dot të futeshe në netet live, do të konkurroje sërish në X Factor?

- S’e di, ndoshta... Ia kisha vënë kusht vetes: O do të futesha në netet live, o s’ka!

- Po në audicione të tjera talentesh të reja, ke marrë pjesë?

- Gjithmonë e kam provuar veten, por mendova se vendi më i mirë ku mund të paraqitesha dhe të ecja përpara ishte X Factor Albania!

- Çfarë është muzika për ty, Genti?

- Muzika për mua është gjithçka! Çdo gjë mund ta lidh me muzikën dhe s’e di si do të bëja pa të. Edhe nëse nuk do të kisha zë për të kënduar, do të isha marrë seriozisht me istrumente dhe do të kisha vazhduar të merresha me muzikë patjetër.

- Dimë se ka qenë Albani ai që në vitet e shkuara nuk të dha mundësinë për të vazhduar në X Factor... Si kanë qenë marrëdhëniet mes jush gjatë këtij edicioni?

- Është e vërtetë që Albani më refuzoi përpara 4 vjetësh, por ishte ai që më bëri të punoja edhe më shumë dhe ta merrja më seriozisht konkurrimin. Për këtë, i jam shumë mirënjohës. Këtë vit i kemi pasur marrëdhëniet shumë të mira dhe më ka mbështetur shumë.

- Gjatë audicionit, Nora të pa si kandidat potencial për finale... Do të kërkosh herë tjetër parashikimin e Norës para se të hedhësh një hap të rëndësishëm në karrierë?

- (Qesh) S’e di, ndoshta po... Nora më doli shumë fatsjellëse. Paçka se s’mundi të jetë këtë vit në X Factor, ishte një ogur i mbarë për mua, duke menduar që arrita deri në finale.

- Dhe meqë jemi te parashikimet, tani dua parashikimin tënd... Cili nga bashkëkonkurrentët e tu mendon se do të bëjë një bum të madh në tregun muzikor?

- Të gjithë konkurrentët kishin veçantitë e veta, por për mendimin tim, Lediana kishte një stil shumë të veçantë, i cili preferohet shumë këto kohë, ndaj mendoj se ajo mund të bëjë një bum muzikor.

- Gent, unë të uroj shumë suksese në vazhdim... Ku do të të shohim tani?

- Nuk di të them ku, sepse më duhet pak kohë për ta menduar, por mendoj që do të jem shumë shpejt në treg me një këngë të re.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.