ERVIN BUSHATI: Kam nuhatje për hite...

Intervista - - MUZIKE -

Rita Rrjolli: - Ervin, këtë herë vjen me “Kom me t` ndez”… Kë do të ndezësh?

Ervin Bushati: - “Kom me t`ndez”, ka për ta ndez atmosferën kudo që do të dëgjohet! Këngën ma tregoi Dj Erian nga Toronto, Canada. Ndodhesha në një tur atje në dhjetor 2014 dhe më pëlqeu sa e dëgjova. I thashë se do ta përpunoja pak në Tiranë kur të kthehesha edhe do ta bëja hit. Mua nuk më mungon nuhatja për hite...

- Sa kohë të mori realizimi i këngës edhe i klipit?

- Me tekst nga Alex dhe realizimin te Gent Myftaraj puna zgjati 4 muaj, pak a shumë, kurse klipi më mori 1 muaj, bashkë me montazhin. Them se ia ka vlejtur sepse është ndryshe.

- Sa shpenzime ke bërë për klipin?

- Mua nuk më pëlqen të them shifra, por mund të them se është një nga klipet më të kushtueshme që kam bërë. Ka shumë figurantë balerinë, shumë kostumografi etj.

- Ke sponsor për klipet e tua?

- Në fakt, unë çdo gjë e bëj vetë, por them se ka ardhur koha të gjej një menaxher të saktë, gjë që mungon në Shqipëri. Çdo gjë e realizoj nga të ardhurat e mia personale, por në fakt për këtë klip dua të falënderoj “Venice Art” në Shkodër për maskat dhe kostumografinë e shkëlqyer, si edhe Tabu Club& Luna Rossa Restorant, për ambientet dhe gatishmërinë. Miss-et e qytetit të Elbasanit si dhe koreografin Denis Blaceri, me grupin e tij të baletit. Nuk lë pas edhe shoqërinë time, që më ka qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj kohe.

- A është e vështirë ta ruash cilësinë në muzikë, kur kostot janë kaq të larta?

- Mendoj se kam krijuar ekuilibër në muzikë. Pa prishur imazhin, për të cilin kam vite që kam investuar, por edhe duke qenë sa më bashkëkohor. Kënga e fundit e dëshmon më së miri këtë.

- Pas kaq kohësh në skenë, çfarë do ta ndryshoje me patjetër në muzikën shqiptare?

- Nuk ka receta në këtë punë, por them që antivlerat po na mbysin.

- A është e vështirë të bësh hit veror, pa lakuriqësi edhe pa ekspozime të pasmesh?

- Edhe lakuriqësia, po erdhi bukur në art, është në rregull, por po të vijë me vulgaritet, ngelet vulgare.

- Si mendon, fenomeni “Kallash” po i zbeh, apo po i nxjerr më në pah klipet e mirëfillta?

- S‘kam ndonjë koment për këtë. Shumëkush gjen mënyra të ndryshme për të kërkuar vëmendje e klikime.

- Klipe të tilla, i shikon si civilizim për shoqërinë tonë, apo e kundërta?

- Të them që është civilizim gënjej, por ka nga ata që kanë shije të tilla dhe janë me shumicë.

- Je tunduar nga rryma tallava?

- Deri tani jo, por edhe s’di ta këndoj tallavanë. Ka edhe ajo përfaqësuesit e saj.

- Po nëse do të të propozohej një bashkëpunim në këtë rrymë?

- Në qoftë se do ta sillja në një stil të moderuar dhe me përfaqësues tipik, pse jo...

- Muzikën popullore s‘do ta këndosh më?

- Muzikën popullore e kam timen tashmë, pasi është pjesë e çdo fundjave ku ftohem për të performuar. Si muzikën shkodrane, si të Shqipërisë së Mesme, të jugut, apo të Kosovës.

- Klipi është një kthim mbas në kohë, përballë kohëve të sotme… Pse erdhe me këtë ide?

- Videoja shtrihet në dy kohë të ndryshme. Një çift të cilët dashurohen që nga ballot me maska aristokrate e historia e tyre vazhdon në ditet e sotme... Idea është që edhe pse koha dhe jeta mund të ndajë dy shpirtra, ata do ta gjejnë rrugën që të ribash- kohen. Këtu fshihet kuptimi i dashurisë së vërtetë.

- A mund të zgjasë kaq shumë një dashuri?

- Nëse është e vërtetë, besoj edhe në përjetësi. - Për ty, sa ka zgjatur? - Do t‘ ia lëmë kohës. (Qesh)

- Ç‘ ka të veçantë kjo këngë dhe ku dallon nga këngët e tua të mëparshme?

- Të veçantë e bën muzika, teksti, klipi dhe interpretimi im. Është house më i fortë, sepse evolon koha, evolon dhe muzika.

- Çfarë i duhet një kënge që të kthehet në hit veror?

- Nuk është shumë e thjeshtë; duhet të vijë natyr- shëm, të ketë reklamën e duhur që të vijë në televizion e në radio. Të vijë te publiku natyrshëm, pastaj është ai që vendos.

- Beson se “Kom me t`ndez” do të jetë e tillë?

- Besoj shumë te kjo këngë. Do të jetë hit!

- Gjithmonë e më shumë house në muzikë?

- Kjo është kënga e dytë në këtë rrymë, pas asaj “Mele Karramele”. Rryma pëlqehet dhe mua më pëlqen shumë.

- Je aktivizuar në koncerte humanitare… Si ndihesh kur këndon për bamirësi?

- Nuk u kam thënë jo ftesave të tilla dhe do të mundohem t’i bëjmë dhe më të shpeshta koncerte të kësaj natyre. Është mirë të japim kontributin tonë.

- Do ta ribëje këtë gjë, vit pas viti? - Patjetër. - Sa i zënë je me koncerte këtë kohë?

- Po vjen një stinë e nxehtë me koncerte që do të shtrihen në gjithë bregdetin shqiptar, por edhe jashtë Shqipërisë.

- Si ia bën të jesh familjar dhe të kesh në të njëjtën kohë shumë obligime, paraqitje në jetën e natës, edhe për netë live?

- Tashmë, djemtë janë rritur pak. Kur ishin më të vegjël, ishte shumë më e vështirë. Kohën më të madhe e kalojnë në shkollë, kurse në fundjavë mundohem t‘ i përkushtohem gjatë ditës. Edhe pak do rriten e do më bëhen shokë.

- Ankohen ata për mungesën tënde?

- Ankohen pothuajse gjithë kohës. Kanë një mal me kërkesa dhe po u premtove gjë, u rri mendja aty, kështu që mundohem maksimalisht të jem në momentet më kryesore të jetës së tyre.

- Nuk lodhesh duke udhëtuar nga njëri qytet në tjetrin, nga njëri shtet në tjetrin?

- Profesioni ynë nuk është aq i bukur sa duket. Rrugët, sidomos në kontinentin tjetër, janë ato më të gjatat e më të lodhshmet, por ka edhe kënaqësinë e vet kur ke pjesëmarrje në koncerte, duartrokitesh dhe i kënaq shpirtrat me muziken e bukur shqiptare. Kjo të çlodh…

- Pushimet planifikuar? - Akoma jo. - Zakonisht, preferon Shqipërinë?

- Kohët e fundit i kam alternuar të dyja; herë brenda e herë jashtë Shqipërisë. Kjo, në varësi edhe të impenjimeve të mia.

- Diçka të fundit të cilën do ta ndash me fansat e tu? - Shumë shpejt vjen një tjetër hit veror.

i ke

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.