Fëmijët me duar simetrike janë më inteligjentë se të tjerët

Intervista - - ENCIKLOPEDI -

Duart tregojnë shumë gjëra për ne, që nga fëmijëria e hershme e deri në pleqëri. Kështu, studiuesit e Universitetit të Edimburgut kanë zbuluar se, sa më simetrike të jenë duart e një fëmije, aq më inteligjent është ai. Për të arritur në këtë përfundim, shkencëtarët kanë studiuar të dhënat mjekësore të 856 fëmijëve të moshës 4-15 vjeç. Ata kanë regjistruar më pas simetrinë e duarve të tyre falë një skaneri dhe më pas u kanë bërë teste kujtese dhe logjike këtyre fëmijëve. Rezultati? Fëmijët që kishin duar simetrike, pavarësisht moshës apo seksit të tyre, kishin një kapacitet të reagimit mendor më të shpejtë se fëmijët e tjerë.

Por nuk ndodh kështu vetëm me fëmijët. Studimet zbuluan një lidhje mes simetrisë fizike dhe performancës mendore te të moshuarit. Sa më simetrike të ishin tiparet fizike të fytyrës së një të moshuari, aq më pak i humbiste ky person aftësitë mendore me kalimin e moshës.

Studiuesit e Universitetit të Edimburgut kishin punuar edhe më parë mbi simetrinë fizike, të bazuar te tiparet e fytyrës. Gjatë studimit të tyre, të publikuar më 2011, ata kishin zbuluar se simetria e fytyrës mund të tregonte shumë gjëra për fëmijërinë e një personi të rritur. Duke vrojtuar 15 pika të fytyrës, ata zbuluan se, sa më asimetrike të ishte fytyra e një personi, aq më fëmijëri të vështirë kishte pasur ai. Sipas rezultateve të tyre, eksperiencat e përjetuara në fëmijërinë e hershme, si edhe ekspozimi ndaj tymit të duhanit, ndotjes, ose mënyra e të ushqyerit, linin shenja të pashlyeshme në fytyrë. Ata vunë re, se, edhe nëse një person që kishte pasur një fëmijëri të vështirë, arrinte të kalonte në një klasë shoqërore superiore, e shkuara e tij mbetej e shkruar në fytyrë; ai e ruante në fytyrë asimetrinë. Kjo lidhje mes fëmijërisë së vështirë dhe asimetrisë mund të shpjegojë pse personat me fizik simetrik konsiderohen si më joshës.

Zbulimet e bëra mbi simetrinë fizike janë sa të rëndësishme, aq edhe thikë me dy presa. Në fakt, ato mund të ushqejnë dëshirat e disave për të mënjanuar ata persona, fiziku i të cilëve nuk është në simetri të përkryer. Duhet trajtuar dhe vlerësuar me kujdes veçantia e çështjes së asimetrisë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.