Nxorëm jashtë nga shtëpia vëllain me gjithë nuse

Intervista - - RREFIME MEKATARESH -

Kur ata u kthyen nga kafja pas tre orësh, babai dukej goxha i qetë. Ime më mendoi se i kishte ndryshuar mendjen dhe po priste babanë të na thoshte se çfarë kishin biseduar.

- Atëherë, që ta merrni vesh dhe ju të dyja, - tha babai, - të dielën do të shkojmë te shtëpia e prindërve të L. Kanë vendosur që do të martohen pa ceremoni dasme sepse i ati i saj është i paralizuar dhe ata nuk kanë mundësi, por të hënën atë do ta sjellë në Tiranë i vëllai dhe do të martohen në gjendjen civile, kurse vajza do të vijë të jetojë në shtëpinë tonë. Këtë një muaj kohë që i mbetet, do të lexojë që të konkurrojë për në fakultet dhe pas konkursit, të shkojnë plazh apo diku për muaj mjalti. Problemi i vetëm në këtë mes është shtëpia jonë shumë e vogël (sepse ne jetonim në një shtëpi 1+ 1. Shtëpinë tjetër që kishim blerë dy pallate më larg, që ishte po 1+1 e kishim dhënë me qira).

Mamaja ime filloi të qante pa mundur të thoshte asnjë fjalë, kurse unë u mbusha me një mllef kundër asaj vajze që do të hynte kaq papritur në shtëpinë tonë. Me shumë debate e kundërshtime të mamasë u bëmë gati për të dielën, ditë e cila m’u duk se erdhi më shpejt seç mund të vinte në kushte të tjera.

Arritëm në qytetin e vogël, ku na priste burri i vajzës së hallës. Im atë i foli dhe e përqafoi si gjithmonë, kurse ime më e unë i kishim varur turinjtë sikur të na e kishte ai fajin. Im vëlla i tha menjëherë që na kishte zënë makina nga rruga e largët se nuk kishim asgjë.

Shtëpia e nuses sonë ishte e vogël, por shumë e bukur. Megjithëse nuk isha dakord për martesën e menjëhershme të vëllait tim, kur e pashë për herë të dytë L., u binda që ajo ishte jo vetëm e bukur. I ati, megjithëse i sëmurë dhe nuk lëvizte fare, ishte burrë i ditur e i lexuar dhe shumë i pashëm. E ëma e saj, një grua e vogël me trup, por shumë e këndshme. Ia kaluam shumë mirë. Familja e saj ishin parapërgatitur si nga L., ashtu edhe nga kushëriri i tyre.

- Nëse ju jeni dakord, ne mund ta marrim vajzën qysh sot me vete dhe nesër vjen djali juaj për ceremoninë e celebrimit në bashki. Që të jem i sinqertë, më pëlqen zgjedhja e tim biri, - tha im atë.

- Po L. nuk është bërë gati të niset, është bërë gati t’ju presë, - tha burri i vajzës së hallës dhe e vendosëm thjesht që të nesërmen rreth orës dhjetë do takoheshin afër Stacionit të Trenit.

Kështu, të nesërmen ajo erdhi me të vëllanë në Tiranë, u martua me tim vëlla dhe, kur babai, vëllai e nusja erdhën në shtëpi, dreka jonë ishte si drekë të dyzetash. Edhe sot kur e kujtoj më vjen turp. Im vëlla e kaloi me një fjali.

- Sonte do të shkojmë në Durrës dhe do kthehemi nesër, kështu që ju vazhdoni planet tuaja...

Ata ikën në Durrës, natën e parë të martesës së tyre dhe u kthyen të nesërmen, im vëlla për në punë e nusja për të mësuar. Ajo kishte vendosur të konkurronte në Inxhinieri, Arkitekturë e Mjekësi dhe për habinë tonë, i fitoi të tre konkurset. Në inxhinieri ishte e para në listë për nga pikët, tek arkitektura e dyta dhe te fakulteti i mjekësisë, emri i saj ishte i gjashti. Ajo zgjodhi Arkitekturën. Por, për time më ajo ishte sërish delja e zezë. Ishte njeriu më i pafjalë që kisha parë ndonjëherë. Bënte punët që i thoshte mamaja, lexonte gjithë kohën tjetër, shumë rrallë dhe me shumë turp ulej pranë vëllait të shihte ndonjë film në darkë. Por kjo nuk na mjaftoi mua e mamasë.

Në vjeshtë të po atij viti, kolegia e zyrës së vëllait martohej dhe ishin të ftuar të dy. E dija që do të shkonte në dasmë dhe nuk e pyeta asnjë ditë se çfarë do të vishte as asnjë gjë tjetër. Vëllai më tha një ditë që ta çoja te parukierja ime dhe i thashë që ajo ishte e zënë dhe nuk kishte orar të lirë. Nusja, me shumë qetësi tha se do të rregullohej vetë. E pashë që u skuq, por e mbajti veten e nuk foli. Im vëlla e kuptoi që nuk doja dhe kaq. Të shtunën, kur do të niseshin për në dasmë, dola në korridor ta shihja me idenë për t’u tallur me të, por mbeta pa mendje kur e pashë. Kishte veshur një fustan të ngushtë, pasi ajo ishte shumë elegante, në bel kishte ca lulka me gjithë ngjyrat ku mbizotëronte ngjyra gurkali, ndërsa pjesa tjetër ishte i bardhë. Kishte vënë vathë të veckël fare gurkali, këpucët në po atë ngjyrë dhe flokët lidhur gërshet, model që s’e kisha parë askund. Ishte absolutisht e bukur. Im vëlla e përqafoi dhe i puthi kokën menjëherë kur e pa. Në dasmë kishte qenë në qendër të vëmendjes sepse të gjithë donin ta njihnin dhe veç kësaj, dukej shumë bukur dhe im vëlla tha që kërcente si balerinë. Edhe ai vetë kishte shumë gjëra që nuk i dinte për të. Nga ajo dasmë, inati ndaj saj m’u rrit më shumë. Ne flinim të tre në kuzhinë, ajo në aneks e unë e im vëlla nëpër divane si më përpara. Më vonë mësova nga ime më që i kishte thënë një shoqe se vëllai shkonte shpesh me të shoqen në një hotel në periferi. E kuptoj, ata nuk kishin një dhomë gjumi...

Ajo filloi fakultetin, lexonte shumë, ndonjëherë mbasditeve dilnin me vëllain. Në fakt në shtëpi nuk ndihej fare e s’e kuptoj pse ne e morëm aq inat. Unë e ime më ç’nuk bënim e thonim që t’ia nxinim sa më shumë ditët nuses. Ishte fillim dhjetori kur mamaja tha gjënë më të rëndë për të gjithë:

- Si nuk e shtyp makina në rrugë budallaqen, po xhanëm, nuk bie rrufeja në hale!

- Çfarë thua moj, je edhe nënë vetë?! Si mund t’i urosh vdekjen një tetëmbëdhjetë vjeçareje? – tha babai dhe mendova se do plaste grushti kur dëgjova një zë krejt pa jetë:

- Faleminderit për urimin. Do ta kem parasysh që të kem më shumë kujdes kur kaloj rrugën. S’ka problem... - iu kthye nusja babait. Im vëlla e mori e dolën për kafe. Kur u kthyen, e pashë që ajo kishte qarë.

- Qiraxhinjtë e shtëpisë tjetër kanë dalë sot nga shtëpia, - tha im vëlla, - dhe ne do të shpërngulemi atje qysh nesër. Edhe sonte, bëni si të bëni dhe na duroni.

Kaq mjaftoi dhe as “natën e mirë” dhe as “mirëmëngjes” nuk arritëm t’i thonim njëritjetrit nga situata e drekës. Të nesërmen ata morën rrobat dhe shkuan në shtëpinë e tyre.

Im vëlla kishte rrogë të mirë, miqësi gjithandej dhe kishte patur mundësi të linte para mënjanë. Ata kishin blerë gjërat kryesore të shtëpisë dhe pas tri javësh që kishin hyrë në shtëpinë e re, kur erdhi Viti i Ri, na ftuan për festë. E si mund të shkonim ne? Babai këmbënguli që s’kishte kuptim të mos shkonim dhe në fakt, kishte të drejtë. Më pëlqeu shumë mobilimi e çdo gjë që kishin blerë. Gatimin nusja e kishte bërë perfekt. Mund të them me plot gojën që ishte festa më e bukur që kam kaluar sepse nusja, ose e kishte kaluar inatin me ne, ose arrinte të përmbahej shumë mirë, s’e kuptova. Qeshëm eu kënaqëm, biseduam pothuasje gjithë natën dhe vetëm në mëngjes u nisëm për në shtëpinë tonë, se sigurisht, nuk kishin rroba fjetjeje rezervë.

Nusja që aq shumë e urryem në fillim unë e mamaja ime, mbaroi fakultetin me notën mesatare tetë. Ishte ndër studentet që të gjithë pedagogët e mbanin mend si vajza më e zgjuar.

Pas shkollës, filloi punë e na lumturoi edhe me fëmijë. Ime më rriti nipin të parin e pastaj edhe dy mbesat dhe vazhdon t’i kërkojë falje nuses për muajt e parë të saj në shtëpinë tonë. Kur u martova unë, ajo përballoi të gjitha punët e dasmës dhe jo vetëm nuk u ankua, por gjithçka e bëri perfekt. Me të vërtetë që kishte gusto. Dhe gustoja nuk ka të bëjë me vendin prej nga vjen apo me shkollimin, por me dëshirën. Si përfundim, e dua nusen e vëllait si motrën time që s’e pata kurrë.

H.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.