Merakosesha për mbipeshën dhe u bëra me kancer

Intervista - - FAQE 1 -

Unë që po ju shkruaj jam një grua që para disa kohësh kishte problemin më të madh, mbipeshën. Edhe pse jam në një moshë relativisht të re, isha shumë e shëndoshë, gati po kapja 100 kilogramëshin. Gjithçka që vishja më dukej keq dhe nuk e dija se si të veproja që të dobësohesha. Kisha provuar dieta të ndryshme, por asnjë rezultat.

Nga anët e tjera, gjithçka shkonte mirë. Kisha një biznes privat dhe me të kishim siguruar një jetesë të mirë. Zoti më dha një fëmijë dhe nuk bëra më, sepse merresha vetë me furnizimet e nuk mund t’i përballoja të gjitha. Shkoja në Turqi e merrja mall për të shitur vetë dhe për t’ua dhënë të tjerëve me shumicë. Këto gjëra më kishin penguar të bëja të tjerë fëmijë. Burri ishte një burrë i urtë dhe që nuk më pengonte për të bërë punën time. Mundohej të më ndihmonte duke shitur a gjëra të tjera, por shumicën e punëve e bëja unë. Megjithatë, edhe ndihma e tij kishte sjellë rezultatet që kishim arritur.

Pra, siç ju thashë më lart, problem i vetëm ishte mbipesha. Në fakt, në Turqi kur shkoja takoja shumë gra të shëndosha të cilat nuk e kishin problem këtë gjë. Gjithmonë më thoshin: “Përderisa nuk të shkakton probleme, s’ke pse shqetësohesh”. Nga këto fjalë sikur më largohej pak ajo ndjenjë që kisha për shëndoshjen.

Mirëpo meqenëse jam një grua e fortë dhe e shkathët, e gjeta se si do të stabilizoja këtë problemin tim. Shkova në një klinikë në Turqi edhe pse ishte shumë e shtrenjtë dhe iu nënshtrova kurave për t’u dobësuar. Po e përsëris prapë se më kushtoi shumë kjo terapi, por më në fund unë kisha trupin që dëshiroja. Mirëpo të mbaja trupin në fomë tashmë duhej edhe vetë të merresha me palestër ose me aktivitet fizik, sigurisht, edhe të haja ushqime të shëndetshme. Kur shihja trupin tim kaq të bukur dhe kaq ndryshe nga sa e kisha, do të bëja çdo gjë që të mos bëhesha më ashtu siç qeshë. Meqenëse nuk kisha dhe shumë kohë për palestër, ku duhet të respektosh oraret e gjëra të tjera, fillova vrapin. E kisha filluar vrapin edhe kur isha e shëndoshë, por djersitesha shpejt e nuk arrija të vrapoja shumë.

Kisha një vit me pamjen time të re. Tani rrobat që vishja më tregonin aq bukur sa kur isha para pasqyrës fërkoja sytë në isha unë apo një tjetër. Pra, gjithçka ishte e shkuar. Vajza kur më shihte krenohej me mua dhe më thoshte se më adhuronte për vullnetin që kisha. Edhe burrit i vinte mirë sigurisht që kisha ndryshuar për mirë. Pra, me vullnet arrihet gjithçka.

Mirëpo një natë kur po vrapoja ( vrapoja natën se ditën kisha qenë e zënë me punë e nuk më kishte dalë mundësia të vrapoja në mëngjes), më dha një therje në fund të barkut dhe këmba e majtë nuk e mbajti peshën e trupit, andaj u rrëzova. Mendova se e kisha nga lodhja. U ktheva në shtëpi dhe nuk i tregova askujt. Për fat, kisha rënë në krah dhe nuk më ishin grisur tutat, kështu që bëra një dush dhe vazhdova rregullisht ritualin e darkës. Natën më zgjoi nga gjumi një tjetër dhimbje barku. Edhe ajo ishte e fortë si ajo kur po bëja vrap.

U ngrita të shkoja në banjo dhe kur u ktheva në krevat, burri më pyeti:

- Ç’ke zemër?! Nuk je mirë?

- Mirë jam mos u shqetëso! Vetëm se piva pak ujë.

Ai më besoi dhe fjeti përsëri. Mua për pak minuta nuk më mori gjumi, por më pas fjeta shumë qetësisht. Pra, m’u duk si diçka kalimtare.

Të nesërmen nuk pata asnjë shqetësim, madje pata aq shumë punë sa nuk më shkoi mendja tek e rrëzuara dhe ngritja natën e kaluar. Mendova se të gjitha gratë kanë dhimbje barku e puna vazhdoi normalisht. Pas një jave duhej të shkoja për furnizim në Stamboll. Ishte një gjë që kisha kohë që e bëja. Pastaj tani ishte e lehtë se kishim ndryshuar metodat dhe nuk ishte si në fillim të biznesit kur kishim shumë vështirësi.

Gjatë këtyre viteve isha njohur me një familje turke dhe kur shkoja për furnizim, rrija atje. Ishte një grua që jetonte vetëm me vajzën e saj, sepse burri i kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë para disa viteve. Kisha mbaruar punë me furnizimin dhe kishim dalë të dyja bashkë për të pirë një çaj (ata e preferojnë shumë çajin, nuk e pinë kafen, sepse mendojnë se të shton stresin). Mua më kapi një dhimbje barku ashtu si dy herët e tjera. Shoqja ime më pa dhe më tha: - Ç’ke? Unë e dija turqishten

(Vijon numrin e ardhshem)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.