Si i shpëtova nga duart maniakut

Intervista - - FAQE 1 -

Si shumë vajza të tjera, edhe unë kam historinë time, që filloi pikërisht në ambientet e një lokali. Pavarësisht dëshirës për të vazhduar shkollën, asnjëherë nuk ia arrita këtij qëllimi sepse kisha një familje të varfër dhe plot probleme. Unë jam vajza e madhe e një familjeje prej katër personash. Të tjerët janë mami vëllai dhe motra. Duke qenë se mami kishte ngelur e ve prej vitesh, kishte nevojë për ndihmën time që të mbanim familjen. Që e vogël jam mësuar me punën, sepse dhe kur ishte gjallë babi, ai herë punonte, herë s’punonte. Ishte njeri shumë i mirë, por me karakter shumë të dobët dhe jo shumë i aftë për të mbajtur familjen, kështu që unë dhe mami përpiqeshim të fitonim të ardhura duke shitur banane, paketa cigaresh dhe ndonjëherë, duke punuar si pastruese, vetëm e vetëm që të mos mbeteshim pa ngrënë. Unë mbarova 8-vjeçaren dhe nuk isha e zonja as të vazhdoja shkollën e mesme. As babain nuk e kisha më, sepse vdiq nga një atak në zemër. Për dy vjet punova duke shitur gjëra të ndryshme në rrugë bashkë me mamin. Pastaj, një ditë, një i njohuri i mamit më mori si banakiere në një lokal në periferi të Tiranës. Tashmë, isha vetëm 17 vjeçe, moshë të cilën do kisha dashur ta shijoja ashtu si moshataret e mia. Shikoja shoqet që shkonin në shkollë e argëtoheshin dhe sytë më mbusheshin me lot. Gjithsesi, tashmë e kisha fjetur mendjen që ky ishte fati im dhe kaq, nuk shpresoja për më mirë. Në lokal shkoja në 6 të mëngjesit dhe kthehesha vonë, sepse përveçse si banakiere, punoja edhe si pastruese, për të marrë ndonjë lek më tepër.

Kishte edhe klientë që më ngacmonin, por s’ua vija veshin. Mëngjes për mëngjes, aty pinte kafen edhe një djalë shumë i këndshëm, që quhej Klevis. Ia mësova emrin, sepse dëgjoja ndonjëherë ndonjë mikun e tij që e thërrisnin në emër. E kisha vënë re që më shikonte dhe më buzëqeshte sa herë i çoja kafe. Dukej vërtet djalë shumë i shtruar dhe diç kishte filluar të më pëlqente tek ai.

Një ditë po pastroja banakun, kur Klevisi u ngrit nga tavolina dhe m’u afrua. Më përshëndeti dhe filloi të më jepte muhabet, duke u prezantuar si fillim. Pastaj, po më thoshte:

– Shiko, Ermira, unë punoj në një agjenci top-modelesh. Nuk dua të më keqkuptosh, por po të them se jam në kërkim të disa top-modeleve të reja për një studio mode. Unë ka kohë që të vëzhgoj dhe duke qenë se je shumë e hijshme dhe ke fizik të bukur, mendoj se je e përshtatshme për t’u bërë modele. Është gjynah të punosh këtu si kamariere dhe pastruese, kur fare mirë mund të bëhesh një topmodele e dëgjuar, bile mund të dalësh edhe jashtë shtetit.

Unë mbeta e habitur dhe nuk dija çfarë t’i thoja. U mendova dhe menjëherë më vajti mendja te shkolla, unë kisha vetëm 8-vjeçaren.

– Klevis, po unë kam vetëm 8 vjeçaren dhe ndoshta nuk më pranojnë në këtë agjenci... – i thashë.

- Atëhere, ky është shanci yt, Ermira, duke vazhduar për modele, ne do të të ndihmojmë edhe të vazhdosh shkollën, njëkohësisht. Mendohu dhe më kthe përgjigje sa më parë.

Gjithë mbrëmjen dhe natën më ngeli mendja te propozimi i Klevisit. Më pëlqeu shumë kjo ide dhe më dukej se ishte e vetmja mënyrë që unë të shpëtoja nga varfëria dhe nga këto punë të rëndomta. I tregova edhe mamit dhe asaj iu duk ide e mirë, por menjëherë i ra një hije e keqe në fytyrë, sepse mendonte se do t’i ikte një krah pune në familje.

– Mami, mos u mërzit! Klevisi më tha se do të paguhesha si modele.

Kjo e gëzoi jashtë mase mamin. Që nga ajo ditë, unë fillova t’i kushtoja më shumë rëndësi paraqitjes dhe dilja herë pas here para pasqyrës. Çuditërisht, vërtet m’u duk vetja e bukur dhe thosha me vete: “Sa keq që s’e kam parë te vetja këtë gjë më parë”. Duke qënë se jeta ime kishte qenë vetëm vuajtje, bëja një punë të rëndomtë dhe asnjëherë s’i kisha dhënë rëndësi paraqitjes time. Të nesërmen u takova me Klevisin dhe ai më çoi në një studio ku mendohej të ishte agjencia e modeleve. Aty ishin dy gra dhe një burrë i moshuar i cili m’u duk shumë antipatik, që në fillim.

– O, ja edhe bukuroshja e vogël! – m’u drejtua plaku. Ai më puthi dorën dhe me shikonte sikur donte të më përpinte. Klevisi, paksa i nevrikosur nga sjellja e të moshuarit, më prezantoi me të dhe më tha:

- Ky është pronari i agjencisë.

Pronari i agjencisë, që e kishte emrin Fatmir, m’u duk fytyrë shumë e njohur, më dukej sikur e kisha parë diku më parë. Klevisi pastaj mori rrugën për të ikur nga agjencia. Unë i shkova mbrapa dhe e pyeta: - Po ti, nuk punon këtu? – Po, - më tha - edhe unë punoj, por vij më rrallë. Unë jam agjent marketingu dhe dal në terren që të gjej modele. Tani, ti do të punosh me Fatmirin dhe këto dy gratë.

Nuk e di pse, por teksa Klevisi po fliste, kuptova që ai nuk po më thoshte tamam të vërtetën. E shikoja shumë të trishtuar dhe jo ashtu të qeshur, si më parë, në lokal. Fatmiri më mori përdore dhe po më shpjegonte punën. Ai ma bëri gjithçka fushë me lule. Si fillim, më tha se duhet të bëja menjëherë pasaportën sepse do të shkonim në një udhëtim në Evropë, pasi atje do të bënim provat e para për t’u përgatitur si modele. Ai më përkëdhelte dhe më puthte në faqe duke më bërë shmë komplimente mbi fizikun. Kjo gjë nuk më pëlqeu aspak, por s’ia vura veshin si fillim. Nejse, iku dita e parë.

Ditën e dytë duhej të shkoja sërish dhe shkova. Në agjenci kishte dhe dy vajza të tjera, por edhe pse nuk ua kisha fare haberin agjencive të modeleve, nuk më dukej aspak si një shkollë modelesh, siç pretendonin ata që mund të ishte. Ajo që më habiti më shumë është se Klevisin nuk e pashë edhe për një javë rresht. Pyesja Fatmirin e gratë aty, por nuk më përgjigjeshin saktë. Bile, shkova dhe te lokali ku vinte ai për të pirë kafe, pyeta për të ...

(Vijon numrin e ardhshëm)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.