Ç’kuptimkaëndrraime?

Duke dhënë gji

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Kam parë në ëndërr sikur po i jepja për të pirë gji një fëmije të vogël. Unë jam një grua me fëmijë të rritur. Ju lutem, më tregoni çfarë do të thotë se jam e shqetësuar.

- Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Janë vetëm disa shqetësime shëndetësore që do t’ju shfaqen në ditët në vazhdim, por nuk do të jenë problematike. Çdo gjë do të kalojë. Fakti që keni parë fëmijë në ëndërr, do të thotë që do ta merrni veten shumë shpejt. Ju urojmë shëndet. - Kam parë në ëndërr sikur ishim brenda një ndërtese ku jetonim. Jashtë frynte një erë aq e madhe, saqë edhe xhamat e dritareve zgjateshin prej erës si goma, por nuk thyheshin. Unë u frikësohesha sepse kisha frikë mos thyheshin dhe na lëndonin. Jashtë ndërtesës ishin shkatërruar disa ndërtesa të tjera dhe ndërkohë, po i prishnin. Disa burra gërmonin në to. Unë i thoja tim shoqi: “Po pse po i prishin të tëra?”. Pastaj u desh të largoheshim bashkë me burrin, sepse filluan të bien pjesë të ndryshme nga ndërtesa. Burri i tha njërit prej punëtorëve: “A mund ta marr një dërrasë?” dhe ai tha: “Posi jo?!”. E zgjodhi njërën se ishin forma të bukura, dërrasa druri të papërpunuara. Kur e mori, e vuri në tokë dhe direkt u transformua në një tavolinë të bukur. Ju lutem, më thoni, çfarë do të thotë? - E nderuar letërshkruese! E gjithë ëndrra juaj ka lidhje me jetën e përditshme dhe disa siklete që tashmë i keni hedhur pas krahëve. Ju keni frikë mos ju kthehen sërish shqetësimet që kishit. Ndërtesat e prishura që keni parë përfaqësojnë marrëdhënie të prishura, por që janë jashtë shtëpisë tuaj, sepse në ëndërr keni parë që ndërtesa ku ishit ju, nuk prishej. Pra, rëndësi ka që kulmi i shtëpisë suaj të jetë në rregull. Pavarësisht se keni kaluar këto siklete, marrëdhënia juaj qëndron e fortë, pra, brenda shtëpisë ju jeni të bashkuar. Fakti i formimit të tavolinës, do të thotë që i keni rrënjët e forta dhe mos kini frikë aspak nga ato çfarë kanë ndodhur apo mund të ndodhin, sepse nuk mund ta prekin familjen tuaj. - Kam parë në ëndërr sikur një shoqja ime punonte në spital dhe kishte dërguar babain e vet se ishte sëmurë. Unë i thashë kësaj: “Dil te dera se do vij të të takoj”. Shkova atje, por po më ndiqnin ca goca që donin të më rrihnin dhe unë po ikja me vrap. Kjo shoqja i kapi dhe u tha: “Atë mos e prekni me dorë se është shoqja ime”. Çfarë kuptimi ka? Jam në merak... - Ju jeni shumë e lidhur me këtë shoqe dhe arrini ta mbroni njëra-tjetrën në çdo lloj situate në të cilën ndodheni. Duhet të keni kujdes këto ditë sepse dikush po përpiqet ta prishë shoqërinë tuaj dhe t’ju hyjë në mes. Mund të jenë edhe familjarët tuaj, të cilët ju keqkuptojnë dhe mund t’ju thonë diçka ose juve, ose shoqes suaj, që t’ju largojnë paksa nga njëra-tjetra. Shoqet në ëndërr përfaqësojnë fjalët që thuhen për ju, por këto nuk do të ndikojnë në marrëdhënien që keni ju të dyja, sepse e mbroni shumë njëra-tjetrën, ashtu siç e keni parë ëndrrën.

- Para dy netësh kam parë në ëndërr sikur u ndava nga i dashuri im dhe u ndjeva aq keq sa mezi merrja frymë. Aq e shqetësuar isha saqë u zgjova nga gjumi e djersitur dhe duke qarë me dënesë. Jam shumë e mërzitur. Vërtet do të më ndajë i dashuri?

- E dashur lexuese, duket që jeni shumë e shqetësuar, por një ëndërr e tillë nuk nënkupton domosdoshmërisht ndarje apo probleme. Përkundrazi, një ndarje e tillë në ëndërr tregon se marrëdhënia juaj do të shkojë në një stad tjetër më të fortë. Është fundi i diçkaje dhe në të njëjtën kohë, lindja e një stadi tjetër të jetës suaj, bashkë me partnerin. Do të thotë që mund ta bëni zyrtare lidhjen. Edhe e qara në ëndërr tregon shqetësimet që keni në lidhje me partnerin tuaj, por në të njëjtën kohë, ngushëllim. Shqetësimi që keni në lidhje me partnerin nëse ju do apo jo, shumë shpejt do të zhduket sepse do të keni diçka më serioze me njëri-tjetrin, ndaj qetësohuni. - Vëllai im ka parë në ëndërr sikur i kishin rënë dhëmbët, ndaj doja të dija se çfarë kuptimi ka, sepse kam dëgjuar se kjo tregon fatkeqësi brenda familjes. A është e vërtetë? - Varet gjithnjë nga përmbajtja e ëndrrës. Kur nuk ndjeni dhimbje gjatë rënies së dhëmbëve në ëndërr, kjo s’ka lidhje me asnjë lloj fatkeqësie, është heqje e një sikleti, por që nuk e prek drejtpërdrejt personin që e shikon. Rënia e dhëmbëve ka më shumë lidhje me ndryshime në jetën reale, por lidhet gjithnjë me dhimbjen që ndjeni apo jo në ëndërr. Nëse ka ndjerë dhimbje, mund të pësojë një zhgënjim, ose do të sëmuret, por do t’i kalojë shumë shpejt. - Kam parë një ëndërr të bukur, por përsëri jam kurioze ta di se çfarë kuptimi ka. Isha në një fushë të gjelbër, ku kishte shumë drurë të cilët si fillim nuk kishin degë apo gjethe, por përsëri dukeshin të bukur në atë fushë të gjelbëruar. Papritur, u mbushën me lule me ngjyrë të kuqe. Ngaqë u mahnita shumë, më doli gjumi. Doja të flija akoma, por s’e pashë më atë ëndërr. - Është vërtet një ëndërr shumë e bukur, por edhe kuptimi i saj, gjithashtu. Ëndrra tregon për shpresa të reja, dëshira, energji pozitive, stabilitet dhe ngjarje të bukura në jetën tuaj. E gjitha kjo, falë karakterit tuaj të fortë, optimist dhe shumë punëtor. Me pak fjalë, mundi, puna juaj dhe gjithçka që keni bërë gjer tani do të shpërblehet ashtu si në ëndërr. Gjërat në jetën tuaj do të fillojnë të lulëzojnë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.