Jam djalë dhe më janë rritur gjinjtë

Intervista - - PYETJE PËRGJIGJE PËR GJITHÇKA -

- Jam 18 vjeç dhe i kam gjinjtë shumë të fryrë. Kjo më bën të ndihem shumë në siklet. Më kanë thënë që është problem i hormoneve. Çfarë ndikon në rritjen e gjinjve te meshkujt, a mund të ma thoni ju si doktor? Dua një informacion të plotë dhe çfarë duhet të bëj që ta rregulloj këtë gjë te vetja ime. Faleminderit.

Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog- diabetolog: - Fillimisht, ju falënderoj për pyetjen interesante që më keni dërguar. Ju kuptova drejt si në aspektin e shqetësimeve fizike, ashtu edhe emocionale. Mirë do kishte qenë që veç ankesave që ju prezantoni, të kishim në krah edhe analizat hormonale, biokimike, imazherike etj. Të dhënat që mund të përfitoni nga këto ekzaminime do të më kishin ndihmuar për të patur një qasje më racionale në drejtim të diagnozës, mjekimit e mbi të gjitha, në drejtim të gjetjes së shkakut apo shkaqeve që ka sjellë këtë problematikë. Duke supozuar se ju nuk keni kryer asnjë ekzaminim, dhënia e vetëm e një informacioni apo ankese jo vetëm që nuk na lejon të zgjidhim problemin, por nuk na krijon dhe mundësinë e orientimit të drejtë rreth tij. Zmadhimi i gjinjve te burrat njihet si gjinekomasti (gjinjë si te gjinia femërore). Kjo sëmundje, për fat të keq, sa vjen e po bëhet më e shpeshtë. Në të shumtën e rasteve, gjinekomastia te meshkujt konsiderohet proces beninj (i mirë), por një përqindje e vogël, 1 %, mund të jetë kanceroze (malinje). Shkaqet që sjellin këtë sëmundje janë të shumta, kryesisht janë çrregullime hormonale ku më së shumti predominojnë ulja e hormoneve mashkullore ose mosveprimi i tyre, rritja e hormoneve femërore dhe shtimi i prodhimit të disa hormoneve të tjera si hormoni i qumështit, horomoni i rritjes etj.

Përtej çrregullimeve hormonale kjo sëmundje është e shpeshtë edhe me çrregullime të organeve të tjera si për shembull në sëmundjet e mëlçisë. Hepatite të avancuara dhe ciroza hepatike manifestohen shpesh me këtë problem, sëmundjet e veshkave, sëmundje të mushkërisë, sëmundje të trurit e të testikujve janë jo rrallë shkaktarë të gjinekomastisë. Shkaqe të tjera të mundshme mund të jenë edhe përdorimi i disa grupe barnash më të shpeshta që japin këtë çrregullim, siç janë barnat që merren si drogë (përdorimi i kokainës, heroinës, marijuanës), barnat që përdoren për sëmundjet e zemrës, barna që përdoren për të ulur aciditetin e stomakut, si dhe për ulçerën, barna që përdoren si il- açe kundër sëmundjeve kanceroze, barna që përdoren kundër infeksioneve etj. Përtej shkaqeve që mund të konsiderohen si sëmundje, gjinekomastitë mund të jenë edhe rezultat i ndryshimeve fiziologjike që përjeton njeriu gjatë zhvillimit të tij. Një zmadhim i lehtë i gjinjve vihet re te çdo bebe që lind, por gjithashtu ardhja e pubertetit paralajmërohet si te meshkujt, ashtu edhe te femrat me një mënyrë jo të barabartë të zmadhimit të gjinjve. Kjo periudhë te meshkujt nuk zgjat shumë, mund të jetë kalimtare dhe si rregull varion nga tre muaj deri në tre vjet. Lidhur me moshën që ju thoni, nëse keni pak pubertet të vonuar atëherë mund ta konsideroj një fryrje fiziologjike dhe nuk duhet të shqetësoheni. Ajo çka duhet të bëni në këtë moment është që të humbisni peshë nëse jeni obez dhe të ndërprisni marrjen e barnave ose drograve nëse i përdorni, të përdorni xhel ose patche në vendet e fryra për të qetësuar dhimbjen në zonen e gjinjve dhe nëse gjithçka nuk qetësohet brenda 3-6 muajsh, duhet t’u drejtoheni strukturave mjekësore për këtë qëllim. Shpresoj se tani e keni më të qartë problemin dhe duhet të kërkoni zgjidhjen e tij. Të shkuara.

Valbona VUKULAJ

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.